Këmbët pastrohen, thyhen me hanxhar (sidomos kyçet) dhe vendosen në ujë të ftohtë për 1-2 orë që t'i largohet era karakteristike. Këmbët e lara vendosen në tenxhere me ujë të ftohtë dhe vihen të ziejnë. Pasi të marrin valë, hiqet shkuma dhe vazhdon zierja në zjarr të ngadaltë duke shtuar qeoë, karota, selino, piper të zi të bluar, dafinë dhe kripë. Mundësisht qepa më parë të piqet në pllakë të sobës. Zierja vazhdon derisa mishi të shkëputet nga kocka, pastrohen mishrat, priten në copa dhe lihen në një anë. Në një tenxhere ku kemi hedhur dhjamë ose gjalpë, kaurdisen mishrat, shtohet lëngu i tyre, lihen të marrin valë, hidhet pak spec djegës dhe gjatë vendosjes në pjatë hidhen hudhra të shtypura me uthull dhe piper i zi. Paçja mund të përgatitet edhe e përzier me kokë e këmbë bashkë. Në këtë rast bëhet edhe më e shijshme.

Për 4-5 persona duhen :

lëng këmbësh 1 litër, këmbë lope 2 copë, këmbë të bagëtive të imëta 10-12 copë, dhjamë ose gjalpë 50 g, spec djegës sipas dëshirës, kripë, piper, hudhra 4-5 thelpinj, uthull 2-3 lugë gjelle, qepë 1 kokërr, karota 2-3 copë, selino 1 rrënjë.