Panairi i librit "Tirana 2012"

Panairi i librit "Tirana 2012" u hap më 14 nëntor 2012 me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë. Ky ishte panairi i pesembedhjete i librit shqip, në të morrën pjesë rreth 150 shtëpi botuese dhe ente të tjera që kanë të bëjnë me librin, të ardhura nga të gjitha trevat shqiptare, me autorë nga vendi dhe bota, të cilët sollën për lexuesin afro 50 mijë tituj librash, nga të cilët 1500 tituj të rinj. Panairi zgjati deri më 18 nëntor 2012. Panairi i librit në edicionin e tij të 15-të, ngjarja më e rëndësishme e librit në hapësirën mbarë shqiptare.

Edhe këtë vit botuesit ftojnë lexuesit të vijnë në Pallatin e Kongreseve prej 14 nëntor deri 18 nëntor për të gjetur aty gjithçka është botuar këto dy dekada në vend, por edhe ribotime të veprave themelore të veprave shqiptare por edhe të autorëve të huaj.

“Panairi do të jetë një ngjarje e madhe dhe sigurisht shumë e rëndësishme. Në pesë ditët që ai do të zhvillohet do të ketë dhe aktivitete, promovime të ndryshme. Këtë vit pritet të marrin pjesë 80-85 shtëpi botuese nga Shqipëria, Kosova, etj. Por do të ketë dhe një hapësirë më të madhe, ku të tre katet e Pallatit të Kongreseve do të jenë të zëna nga panairi, gjithashtu do të ketë dhe shumë tituj të rinj”, pohon Petrit Ymeri, kryetar i Shoqatës së Botuesve.

Në prag të Panairit të 15-të të Librit Tirana 2012, gjithçka është gati dhe botues nga e gjithë hapësira shqiptare por edhe nga diaspora do të sjellin për lexuesit shqiptarë të gjitha botimet e tyre.

Në mjediset e Pallatit të Kongreseve, ceremonia e çeljes së këtij panairi do të mbahet më 14 nëntor. Si çdo vit, ndonëse ende nuk bëhen me dije detajet, do të jenë personalitete të kulturës në vend që do e çelin panairin.

Për botuesit pjesëmarrës, këto janë ditë intensive pune. Përpos veprimtarive promovuese, shkrimtarëve prezent në stendat e panairit, takimet e tyre me lexuesit dhe diskutimeve për problemet me librin shqip ndër profesionistët e fushës do të gjejmë dhe një numër të lartë të titujve të rinj. Edhe këtë vit nuk do të mungojnë botimet e autorëve të njohur shqiptarë si Bashkim Shehu, Zija Çela, Moikom Zeqo, Rudolf Marku, Mirela Sula, Arben Puto, etj, por dhe autorë të huaj mes tyre përmendim Fernando Garcia de Cortsazar dhe Jose Manuel Gonzalez Vesga, Matei Calinescu, Umberto Eco, Andrea Camilleri, etj. Po ashtu nuk do të mungojnë dhe çmimet e panairit që ndahen prej 15 vitesh, për autorin më të mirë, shtëpinë botuese, etj.