Pani (greqisht: Πάν, Latin: Pan) - i biri i nimfës Driopa dhe i zotit Hermesit apo i Zeusit, zotit suprem zoti i pyjeve, gjahtarëve dhe i barinjëve. Ka lindur me këmbë dhie, me bri dhe mjekërr të gjatë, kështu që edhe vetë nëna e vet u tmerrua dhe iku. Frika e tillë edhe sot quhet "frikë panike". Mirëpo, Hermesi e mori Panin e vogël dhe e dërgoi në Olimp. Zotërat pamjen e Panit aq shumë e përqeshnin sa që ka ikur dhe është fshehur në pyjet e Arkadisë. Atje u rrit dhe i braktisur prej të gjithëve kurse më vonë aty banonte më me ëndje. Më së shumti iu kushtua kullotjes së kafshëve dhe të rënit në instrumente muzikore. Shoqëria e tij më e dashur përbëhej prej Satirëve, ndërsa shoqet më të dashura i ka pasur nimfat me të cilat argëtohej. Poashtu shpesh paraqitej në shoqërinë e hareshme të Dionizit, zotit të verës. Prej zotërave më së shumti e donte Apollonin dhe e mësoi edhe të shtjerë fall, ndonëse ka ditur se Apolloni për vete e organizonte orakullin kundërshtar në Delfe, për çka do ta ndiejë orakulli i tij në Arkadi. Për Panin janë ruajtur shumë tregime, në të shumtën për aventurat e tij të pasukseshme në dashuri. U dashurua në nimfën Pitiden, por ajo nga frika u shndërrua në pishë. Ka luftuar për simpatinë e Siringës, nimfës së bukur, por ajo më me ëndje kërceu në ujë dhe u shndërrua në kallam për të shpëtuar prej agresivitetit të tij (prej këtij kallami ia bëri vetes kavallin që sipas saj u quajt Siringa). Sukses ka pasur vetëm te nimfa Eko e cila e përcillte nëpër kodra si jehonë. Me të nuk ka mundur të flasë asnjë fjalë, sepse njëherë hyjnesha Hera e ka dënuar që me askend të mos guxojë të flasë duke e munduar aq fort sa që prej Ekos ka mbetur vetëm zëri. Së këndejmi, mbi Panin tregimi i njohur është i lidhur për garat e tij me zotin Apollon në malin Tmol. Kuptohet se Pani e ka humbur për arsye se me kavallin e vet nuk ka mundur të ngadhnjejë mbi liren e artë të Apollonit (gjatë kësaj gare mbreti Mida i ka fituar veshët e gomarit. Ndaj njerëzve Pani ka qenë posaçërisht i përzemërt, dhe posaçërisht i ka dashur barinjët, të cilëve u ka ndihmuar t'i ruajnë kopetë. Mirëpo, vetëm për një gjë kanë qenë të detyruar të kenë kujdes: që mos ta zgjojnë deri sa flinte. Kur e zgjonte ndokush papritmas, e sulmonte të pakujdesshmin dhe kështu e frikësonte sa që e kaplonte "frika panike". Ndonjëherë e frikësonte edhe tërë ushtrinë, si bie fjala ushtrinë persiane në betejën te Maratoni në vitin 490 para e.s. Andaj athinasit mirënjohës ia kanë ngritur një faltore në shpellën nën Akropol. Arkeologët atje e gjetën kah mbarimi i shekullit të kaluar.

Pan, Mikhail Vrubel 1900.


Në fillim Pani jetonte në pyjet e Arkadisë, pastaj njerëzit me të ndesheshin në tërë botën greke, dhe më në fund edhe në atë romake, ku u identifikua me zotin e vjetër, Faun. Në kohërat më të lashta ishte vetëm mbrojtës i pyjeve dhe i barinjëve, më vonë u bë mbrojtës i tërë natyrës. Veçmas e kanë adhuruar në fshat. Kur u shua bota antike, Pani sërish u ringjall gjatë renesansës. Vetëm nga qenia hyjnore u shndërrua në dekorim të parqeve princore. Në kohën e barokut hyri në pallatet dhe kopshtet e bujarëve ku e luante rolin e shkurtabiqëve të sotëm prej gipsi. Në literaturën secesioniste u degjenerua në postamente të llampave rrugore. Kuptohet, se kundër kësaj, nuk ka mundur asgjë të bëjë, madje më pak se për djemt e tij të shumtë Paniskë ose Faunë. Piktura të Panit nga antika janë ruajtur mjaft shumë; në vaza janë ruajtur më së dyqind, ndërsa skulptura disa qindra. Prej veprave të medha po e përmendim vetëm Panin me Siringen, kopja e kokës së vjetër e origjinalit grek nga shek. IV para e.s. (sot gjendet në Muzeun Arkeologjik Kombëtar në Athinë), me siguri për nga vjetërsia e njëjtë me Panin me Dionizin e vogel (sot gjendet në Muzeun e Lateranti), me Panin dhe Dafnisën e Heliodrit dhe kopjen romake të skulpturës helenistike Pani dhe Olimpi (të dyjat në Muzeun Popullor në Napoli). Prej pikturave murale më e njohura është Pani me nimfat nga fillimi i erës sonë nga Pompejet (sot gjendet në Muzeun Popullor të Napolit), ndërkaq prej mozaiqeve Pani nga Genazzano (Gjenacano) përafërsisht rreth vitit 50 të e.s. (sot gjendet në Muzeun Popullor të Romës në Terme). Prej këngëve për nderë të tij ndoshta kujdes të posaqëm meriton në Himnet e Homerit (me siguri nga shek. VI - V para e.s.).