Parangua
Kjo faqe është e palidhur nga faqe të tjera. |
Fshati Parangua, ndodhet në verilindje të qytetit të Beratit, pranë kodrës së kalasë të këtij qyteti. Pa mbërritur në fshatin Parangua, në një kodër me ullinj, gjatë punimeve për instalimin e një shtylle të tensionit të lartë janë gjetur fragmente qeramike, mbetje arkitektonike si dhe një kapitel në formë kryqi . Një pjesë e këtyre gjetjeve janë marrë nga banorët e fshatit ndërsa kapiteli ndodhet në arkivin e Drejtorisë Rajonale të Institutit të Monumenteve Berat. Sipas burimeve gojore vendi njihet me toponimin "kisha". Ata, gjithashtu kujtojnë se deri në fillim të shekullit të njëzetë në këtë vend kanë ekzistuar rrënoja të një kishe. Njëri prej banorëve të fshatit, i cili është edhe pronari i tokës, zotit Kozma Manestra, tregon se gjatë punimeve për instalimin e antenës është gjetur një varr, që më pas u shkatërrua plotësisht, ndërsa në lindje të antenës janë gjetur gjurmë të një linje muri. Gjatë vëzhgimit sipërfaqësor të këtij ambienti, nga ekipi i projektit FoAP u vu re një linjë muri me drejtim veri-jug dhe me gjatësi prej 5 metrash. Në drejtim vertikal me murin e sipërpërmendur u zbuluan gjurmë të një tjetër muri me gjerësi 0, 60 m dhe gjatësi 0, 50 m, (Fig. 2). Ky fragment muri është ndërtuar me gurë të vegjël të punuar dhe me lidhje të fortë llaçi. Linja e plotë e murit nuk mund të ndiqet sepse punimet për ndërtimin e rrugës e kanë shkatërruar një pjesë të madhe të tij.Të dhënat mbi gjetjet të lënë të mendosh që monumenti i shkatërruar mund të ketë qenë një objekt i kultit kristian. Në shtëpitë e banorëve të zonës u vu re ripërdorimi i materialeve të marra nga shkatërrimi i objektit. (Fig 3). Në shtëpinë e pronarit të tokës ndodhen disa pjesë fragmentesh arkitektonike, të tillë si; një kolonë 0, 30 m e lartë, gurë të punuar si dhe tulla dhe tjegulla me shumicë.