Parku Kombëtar Divjakë - Karavasta
Parku Kombëtar "Divjakë - Karavasta" është një park kombëtar dhe zonë e mbrojtur natyrore i cili ndodhet në Qarkun e Fierit, në rrethet Lushnjë, Fier e Kavaje.
Përshkrimi
RedaktoSipërfaqja aktuale 22,230.00 ha dhe ndodhet 5 km larg Divjakës dhe 40 km larg qytetit të Lushnjes. Është pa dyshim zona më e rëndësishme përgjatë zonës bregdetare të vendit dhe nga më të rëndësishmet në Mesdhe. Takohen një sërë habiatatesh si: delta lumenjesh, laguna, duna ranore, bimësi psamofite, halofite, dhe hygrofite, pylli me pishë të butë dhe të egër dhe me prani të dëllënjës kokërrmadhe (Juniperus monocarpa). Takohen 3 lloje endemike salepesh të gjinisë Orchis dhe lloji endemik Aster albanicus. Përgjatë deltave takohet gjitari globalisht i kërcënuar lundërza (Lutra lutra). Përhapje ka dhe çakalli, dhelpra, baldosa, etj. Parku dhe zona rreth tij ka vlera historike, kulturore, arkeologjike me potenciale të mëdha për zhvillimin e turizmit. Po hartohet plani i menaxhimit me JICA.[1]
Laguna është në afërsi të Lushnjes. Në të rriten disa lloje të rralla pishash dhe një lloj i rrallë Pelikani, "Dalmatian Pelican". Supozohet se 5 % e të gjithë pelikanëve të këtij lloji jetojnë aty. Është më e madhja e vendit tonë dhe në gjithë bregdetin jugor të Adriatikut, sip. 4330 ha, gjatësia 10,6 km, gjerësia 4,3 km dhe thellësia deri në 1,5 m. [nevojitet citimi] Ndahet nga deti nëpërmjet një brezi të gjerë rëre, të mbuluar nga pylli i dendur, buzë te cilit ndodhet një plazh mjaft i madh. Lidhet me detin me tri kanale, njëri prej të cilëve artificial, i hapur për nevojat e peshkimit. Nëpër këto kanale, si pasoje e baticës dhe zbaticës, rrjedhja e ujit ndryshon drejtim çdo 6 orë. Gjate një cikli të baticë-zbaticës shkëmbimi i ujit me detin arrin afërsisht 1/50 e volumit të gjithë lagunës. Në brendësi të saj ka dhe ishuj të vegjël, në të cilin folenizojnë shpendët. Karakteristike në këtë zonë është kolonia e Pelikanit Kaçurel me rreth 60 çifte që përfaqëson rreth 5 % të numrit të përgjithshëm të kësaj specie në shkallë botërore.[nevojitet citimi] Karavastaja për këtë specie përfaqëson kufirin më perëndimor të saj. E veçantë është dhe prania e disa qindra çifteve të dallandysheve të detit. Ky park është njëkohësisht pjesë e kompleksit Laguna e Karavastasë, që ndodhet nën mbrojtjen e Konventës Ndërkombëtare të Ramsarit, që nga viti 1994.[nevojitet citimi]
Rreziku nga ndërtimet brenda parkut
RedaktoNë 2016-ën, mjedisorët dhanë alarmin se në qendër të parkut planifikohet të ndërtohet një super resort i cili pritet të strehojë deri në 28 mijë pushues, një ndërtim i cili do të shkatërronte krejtësisht ekosistemin e funksionimin e parkut.[2] Projekti parashikon të urbanizojë pjesën e parkut nga grykëderdhja e Lumit Shkumbin deri në kanalin lidhës së Lagunës së Karavastasë me Detin Adriatik. Nëse ky projekt miratohet, atëherë do të çonte në fundin e ekosistemeve dhe biodiversitetit të parkut. Projekti prek të gjithë popullatën folezuese të shpendëve si pelikanit kaçurrel (Pelecanus crispus), karabullakut të vogël (Microcarbo pygmeus), çafkës së vogël të bardhë (Egretta garzetta), çafkës së natës (Nyctycorac nyctycorax) dhe çafkës së verdhë (Ardeola ralloides), si dhe 15 lloje shpendësh globalisht të rrezikuar e 39 lloje shpendësh të rrezikuar në Republikën e Shqipërisë. [3]
Shih edhe
RedaktoLidhje të jashtme
Redakto- Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura të Shqipërisë Vizituar më 18.09.2016.