Patatet, veçanërisht të rejat, qërohen, shpëlahen dhe ato të mëdhatë priten në copa në mënyrë që të jenë afërsisht në një madhësi dhe hidhen në tenxhere me ujë të vluar me kripë. Sasia e ujit duhet të jetë aq sa ato të mbulohen. Zierja bëhet në zjarr të javashëm, për 25-30 minuta. Kur patatet të jenë zbutur i derdhet uji dhe ena, përsëri e mbuluar me kapak, mbahet mbi zjarr edhe 5-6 minuta, në mënyrë që patatet të thahen pak dhe të zbuten në brendësi pa u thërrmuar.
Patatet e nxehta vendosen në pjatë dhe sipër u hidhet gjalpë i shkrirë, kopër e grirë hollë ose majdanoz. Patatet e ziera mund të jepen të veçanta ose si garnityrë për gjellët me mish, peshk etj. Këto lloj patatesh mund të bëhen me qepë e domate të skuqura, të cilat hidhen përsipër. Në këtë rast mund të përdoret dhe vaj.