Pereslavl-Zaleskij

qytet në Rusi
(Përcjellë nga Pereslavl-Zalessky)

Pereslavl-Zaleski (rusisht: Переславль-Залесский) është një nga qytetet më të bukura dhe shumë të lashta të Rusisë. Ai ndodhet rreth 130 kilometra nga Moska, në bregun e Liqenit Plesheievo (Pleshcheyevo) në rajonin Jaroslavl.

Pereslavl-Zaleski
Qytezë
Flamuri i Pereslavl-Zaleski
Stema zyrtare e Pereslavl-Zaleski
Popullsia
 • Gjithsej42.900
Faqja zyrtarewww.adm.pereslavl.ru

Historia

Redakto

Qyteti u themelua në mes të shekullit XII nga Princi (Kniazi) Juri Dollgoruki. Ai është vendlindja e prijësit të famshëm ushtarak Aleksandër Nevski. Në shekullin e XIII Pereslavl-Zaleski ka qenë faktikisht kryeqyteti i Rusisë. Kurse në fillim të shekullit XIV ai, sipas amanetit të nipit të Aleksandër Nevski, iu dhurua Principatës së Moskës.

Si strateg ushtarak Aleksandër Nevski konsiderohet me plot të drejtë i madh, meqenëse gjatë gjithë jetës së vet nuk humbi asnjë betejë. Në kohën e betejave ai, po ashtu si dhe Napoleoni, ishte gjithmonë me ushtrinë e vet, në krye të saj. Aleksandrin e vogël, si dhe shumë princë të tjerë, sipas ritualit e pagëzuan luftëtar në moshën 4 vjeçare. Por veprat heroike luftarake të princit të ri filluan më vonë. Në moshën 20 vjeçare ai i preu rrugën mbretit suedez dhe nuk e la atë të pushtonte një nga qytetet më të pasura dhe më të mëdha të atëhershme të Evropës - Novgorod. Beteja e anijeve luftarake u zhvillua në lumin Neva. Pas saj suedezët u detyruan t’ua mbathin këmbëve. Pikërisht mbas kësaj ngjarjeje Princi i Pereslavlit Aleksandër, i cili udhëhoqi trupat ruse, fitoi pseudonimin “Nevski”. Më tej ai korri dhe shumë fitore të tjera të lavdishme. Më e famshmja ndër to është fitorja mbi kalorësit kryqtarë gjermanë në sipërfaqen e mbuluar me akull të liqenit Çud (kjo betejë është e njohur në historinë e Rusisë si Beteja e përgjakshme (kasaphana) në Akull - rus. Ледовое побоище).

Natyra e Pereslavl-Zaleski është me të vërtetë e mrekullueshme. Mijëra vjet më parë akullnajat gjigande krijuan në këtë vend Liqenin Plesheievo (Pleshcheyevo) të rrethuar nga pyje të dendura, të pashkelura nga këmba e njeriut. Sipërfaqja e Liqenit Plesheievo (Pleshcheyevo) është rreth 50 kilometra katrorë, kurse thellësia e tij arrin deri në 25 metra. Uji i liqenit është jashtëzakonisht i pastër dhe në mot të ngrohtë ata që dëshirojnë bile mund të lahen në të. Në këtë liqen banojnë lloje të rralla peshqish, duke përfshirë edhe peshkun e njohur koregon (rus. пятушка) - kështu quhet harenga e Pereslavlit, të cilën ata që duan mund ta provojnë në një nga restorantet e qytetit.

Një nga kuriozitetet, objektet më interesante të liqenit është i ashtuquajturi Gur Blu. Në mot me shi ai merr me të vërtetë ngjyrë blu të errët. Në kohët e lashta për sllavët ai ishte një objekt kulti, të cilit ata i përuleshin me adhurim duke besuar se shëron të gjitha sëmundjet dhe plotëson të gjitha dëshirat.

Një tjetër objekt interesant i këtij qyteti është “Varkëza e Pjetrit I” (rus. «Ботик Петра») - vendi ku Cari rus 16-vjeçar Pjetri i Parë (apo i Madh) filloi të merret me krijimin e zbavitjes së tij të preferuar, domethënë me flotiljen demonstrative apo maketin në miniaturë të saj. Aktualisht ky vend është shndërruar në muze, në të cilin ruhet e vetmja anije e mbijetuar që nga ajo kohë - varka “Fortuna”. Kurse gjithsej në liqenin Plesheievo atëhere u lëshuan për lundrim në ujë nga Pjetri i Madh më shumë se njëqind anije. Në mesjetë rreth e përqark liqenit Plesheievo u ndërtuan shumë manastire të krishterë. Një nga më të spikaturit prej tyre është manastiri i burrave Goritski (rus. Мужской монастырь Горицкий), i cili u ndërtua në shekullin e XIV. Në ditët tona ai është kthyer në muze.

Në anën tjetër të liqenit ngrihet manastiri i moçëm i burrave Nikitski (rus. Мужской монастырь Никитский). Ai ishte veçanërisht i dashur për Carin rus Ivani i Tmerrshëm, gruaja e të cilit i dhuroi atij imazhin e njërit prej shenjtorëve të qendisur me duart e veta. Në këtë manastir Ivani i Tmershëm pat ardhur disa herë me familjen dhe i dhuronte atij mjete të konsiderueshme financiare. E adhuronte shumë këtë manastir edhe dinastia Romanov duke i bërë atij herë pas here dhurata mjaft bujare. Në manastirin e moçëm të burrave Nikitski jetojnë edhe sot e kësaj ditë murgjit.

Një nga vendet mjaft tërheqëse të qytetit Pereslavl-Zaleski është Sheshi i Kuq (apo Katedral). Ai mban po të njëjtin emër si dhe Sheshi i Kuq në Moskë. Fjala e kuqe (rus. красная-krasnaja) në Rusinë e moçme do të thoshte “e bukur”. Pikërisht në këtë Shesh Princi (Kniazi) Juri Dollgoruki në shekullin e XII hodhi themelet e Katedrales gurë-bardhë të Shpërfytyrimit (Metamorfozës) të Hyjit (rus.Спасо-Преображенский собор), i cili destinohej për plotësimin e nevojave të oborrit të Princit dhe garnizonit të qytetit-fortifikatë. Sipas legjendës, në Sheshin e Kuq të Pereslavlit ndodheshin edhe sarajet ku lindi prijësi i famshëm ushtarak Alekandër Nevski.[1]

Burimet

Redakto
  1. ^ Qyteti rus Pereslavl Arkivuar 3 prill 2013 tek Wayback Machine, Zëri i Russisë, 20.11.2011