Petalet dhe idealet
Petalet dhe idealet poezi, Autori: Vasil Makoçi. Botuesi: Toena. Faqet e librit 104.
Dëshira për të përshkruar ndijimet tona është e shoqëruar gjithmonë me nevojën e gjuhës. Edhe pse poezia është një lëmë i vazhdueshëm fillesash, shpesh shkrimtarë me emër krijojnë një farë standardizimi në mënyrën sesi, pastaj të tjerët, të rinj apo më pak të famshëm, kërkojnë veten në poezinë e tyre. Shkatërrimi i gjuhës dhe rindërtimi i saj me sa duket është një proces paralel me kërkesën e njeriut për t’u riprezantuar. Është e habitshme që këto mendime më vijnë ndërsa kam lexuar një vëllim të vogël me poezi nga Vasil Makoçi. Ishte djali më i bukur i kryeqytetit në fillim të viteve 90'. Një nga ato krijesa për të cilat natyra nuk ka kursyer as format dhe as ngjyrat. Krejt e kuptueshme ishte që të kryente shkollën për aktor. Pa u zgjatur, në duart e mia rastësisht vjen ky vëllim: "Petalet dhe Idealet", në të cilin do të gjeni shpesh konstruksione gjuhësore befasuese poezish, që për nga gjatësia dhe ritmi kanë analogji edhe me poema. Ajo që mban peshën kryesore të këtij mbresimi është një gjuhë tjetër, një mënyrë ndryshe nga ajo që jemi mësuar t’i prekim objektet tona, mënyra e tërthortë. Kjo mënyrë e tërthortë ose stili, është po aq e tërthortë sa çdo gjuhë në përpjekje te çdo artist për komunikim. Ajo që e veçon atë është mungesa e skrupujve, aftësia për të parë në zemër defektin dhe për të nxjerrë prej tij shkëndijën e ndritshme. Këtë operim Vasil Makoçi e kryen me një vetëbesim pothuajse violent gjë e cila dëshmon për energjinë e tij konceptive në situatë më se të zakontë. Të gjitha këto provojnë se kalimi nga një nivel vetëshprehjeje në një tjetër, nga perceptimi jetësor drejt ndërtimit të tekstit poetik, procedon nëpërmjet një karakteri linguistik, i cili emancipohet në përputhje me vetë rritjen e njeriut. Dhe ndërsa mendohet si ekskluzivitet i artistit, është art i çdo ekskluziviteti njerëzor, që në mënyrë të papritur të dhuron, në rastin tonë, një vëllim poetik, si vëllimi i Makoçit, që është një variant i ri, origjinal i një gjëje që e dije por nuk e dije, dhe që e zbulove prej një gjuhe tjetër. Në të vërtetë bota mund të perceptohet vetëm si ndryshim gjuhe dhe anasjelltas. (Mimoza Ahmeti)