Petraq Risto
Petraq Risto ka lindur në Durrës, më 9 qershor 1952. Ka kryer studimet e larta për Gazetari dhe një vit pasuniversitar për kritik teatri. Ka punuar si gazetar dhe libretist. Pas viteve ’90 shtëpia e tij botuese “Globus R”, ka publikuar me qindra libra e autorë seriozë. Është autor i shumë vëllimeve me poezi, romane, tregime etj. Librat e tij më të spikatur janë në poezi: “Zgjohu, princesha ime”, “Mollë zhvirgjëruar nga rrufetë”, “Lojë shahu në shekullin XXI”, “Engjëlli me virus H5N1”, “Hallelulja”, “Lexuesi i buzëve: ar+sy+eja!”; “Apo-ka-lypsi”, “Miq të dyshimit”, “Udhëtar me pluhur ferri”, "Unë quhem Dje"; romanet “Avioni ‘Madam Baterflaj 9/11’”, “Bukuroshja fantazmë dhe unë zoti Prek Vdek”; “Një grua me Urdhrin e Ujkut”, vëllimet me tregime: “Vdekja e palaços”, “Ndalohet vrasja e ujqërve”, etj. Librat e tij poetikë janë përkthyer në vende të ndryshme të botës si në Francë “Amer est le miel des tombes” (“I hidhur mjalti i varreve”), përkthyer nga Solange d’Angely dhe Luan Rama, botuar nga “L’Harmattan”, Paris 2009; në Meksikë “El guardian de las golondrinas (“Kujdestar i dallëndysheve”), botuar në dy gjuhë, spanjisht dhe shqip, përkthyer nga Xhevdet Bajraj dhe Ricardo Romero Vallejo, botuar nga Géiser & Toshka, Meksiko, 2008; në Rumani “Vânatul câluţilor de mare” (“Gjuetia e kuajve të detit”), përkthyer nga Kopi Kyçyku, botuar nga Librarium Haemus, Bukuresht, 2008, si dhe “Lojë shahu në shekullin XXI” në ShBA publikuar në sistemin e librit elektronik Kindle, shpërndarë nëpërmjet amazon.com, 2011. Gjithashtu, poezia e Ristos është publikuar në revista dhe në antologji të ndryshme në ShBA, Spanjë, Itali, Angli, Meksikë, Maqedoni, Rumani, etj. Poezia e tij bie në sy për figuracionin xixëllues, ndjesitë e holla, zhgënjimin, dhembjen dhe rebelimin qytetar.
RAZI BRAHIMI: Ç’ndjeva duke të të lexuar? Të të them të drejtën, para së gjithash, befasi. Pastaj – mahnitje... Për mua poeti Petraq Risto, që të shprehem në vetën e tretë, është, mbi të gjitha, një ndër reflektuesit më të sinqertë e më të gjaktë të tragjizmit të epokës sonë hemafrodite...Në poemat dhe vjershat e tua, si asnjëherë më parë në poezinë shqiptare, (rrallë dhe në poezinë botërore), njeriu – gur shahu, jo në duar të fatit e të perëndive, po të 0,1% të llojit të vet, pa ditur si do t’i vejë filli lojës dhe atij vetë, kundrohet si bërthama e tragjedisë botërore, si ai top bore, që edhe prej një krisme të vetme, rrokulliset (vdes urie, mbaron prej sëmundjesh, vritet dhe vret, vetëvritet, degradon shpirtërisht e moralisht), merr me vete një masë gjithnjë më të madhe bore, gjersa shndërrohet në ortek, që duke shkatërruar gjithçka gjen përpara, bie në humnerë, shkatërrohet e thërrmohet edhe vetë... Je poet i kohës, prandaj poezia jote përmban tharmin e të ardhmes, të prirjes drejt saj në jetë e në letërsi...Një autor që të përfshin në shtjellat e krijimtarisë së vet, të bën të mendosh dhe të gjesh në vargjet e tij diçka nga vetvetja, nga shqetësimet e ëndërrimet e tua, është vërtet poet. Kurse ai autor, që përveç kësaj, duke e lexuar, të shtyn të mendosh për poezinë dhe për problemet e saj, është një individualitet i spikatur. Është një novator.
ALFRED UÇI: Ka poetë të talentuar zhurmues për çdo fjalë të vërtetë e poetike që ligjërojnë, por ka edhe poetë të vërtetë që krijojnë pa hedhur tollumbace e fishekzjarre, që ligjërojnë me filozofinë e thjeshtë të kallirit plot. Petraq Risto i ka kushtuar një jetë të tërë letërsisë, në prozë e në poezi, gjithnjë në kërkim. Dhe tani me “Lojë shahu në shekullin XXI” dëshmon se krijimtaria e tij,sidomos poetike, veçohet si një arritje me peshë, gjurmëlënëse, e përfshirë në atë rrugë, në të cilën nuk mbeten shumë emra që u afrohen majave.
… Me ç’vlera vjen e ngarkuar poezia e Petraq Ristos? Me individualitet, sinqeritet, spontaneitet e mençuri të spikatur. Si gjithnjë Risto ka “vuajtur” nga që organikisht nuk mund të ndahej e t’u kthente kurrizin rrymave të jetës së vendit. Poezia e tij i ka përcjellë me shpresa e me dhimbje gjithë peripecitë, zikzaket, vrullet dhe rrëzimet, të përpjetat e të tatëpjetat e realitetit e të historisë sonë. Ky ka qenë e vazhdon të jetë burimi i të gjithë shqetësimeve të poezisë së tij. Dhe, siç thotë poeti për brezin e humbur, shumë prej tyre të zhgënjyer: qajnë si udhëtari i lodhur/ në një kryqëzim/ ku veç kryqit/ s’ka mbetur asnjë udhë.
Përmbledhja poetike “Lojë shahu...” i merr frymëzimet në trojet e hallemadhes Shqipëri, por ato e kanë tërhequr dhe në një parabolë me shtrirje paralelesh dhe meridianesh, që ia përplas frymëzimet në vatrën e një qytetërimi të ëndërruar, nga burojnë shtysat kryesore të botës së sotme globale.Ndërmarrje e vështirë, e rëndë për muzën poetike t’i radhitë në këtë kohë njërën pas tjetrës Atdheun, Amerikën e Shteteve të Bashkuara, Evropën e Bashkuar dhe Globalizmin, këtë Perëndi të re të plotfuqishme, që ka zënë të administrojë botën dhe s’ngopet vetëm me kaq…
...Tema poetikisht e vështirë e jetës sonë në rrjedhat e globalizmit të sotëm, gjen edhe shprehje adekuate formale veprën e P.Ristos.Duke lexuar poezitë e vëllimit të fundit, vëren se ai nuk është i njëtrajtshëm, përkundrazi, duket qartë se poeti zotëron mjeshtërinë dhe teknikën e begatë të prozodisë klasike e moderne, duket që në rrugën e tij të gjatë krijuese i ka provuar me sukses mjaft nga modelet e saj të suksesshme.
Në përmbledhjen “Lojë shahu në shekullin XXI” P.Risto nuk është rob i asnjerit prej këtyre modeleve; mesa duket ai i është dorëzuar fuqisë së ideve poetike, që format, mjetet e shprehjes artistike të lindin spontanisht nga lënda poetike, nga tema e konceptuar estetikisht, që shquhet për vrojtime të mprehta të aspekteve të ndryshme të jetës. Ai ndjen një liri prej mjeshtri në përdorimin e mjeteve shprehëse, larg çdo rregullsie shkollareske, gjë që të kujton Uollt Uitmanin.
MOIKOM ZEQO: Petraq Risto është një talent i vërtetë dhe e pasuron poezinë shqipe jo me retorikë, por me substancë të re. I spikatur që në vitet 70 të shekullit të kaluar, kinse u fsheh nën heshtjen e punës dhe të dinjitetit, për të shpërthyer afirmimin e tij në vitin 2000. Po kjo nuk ka aspak një kuptimshmëri thjesht kronologjike. Bëhet fjalë për provën titanike të poezisë: për cilësinë e saj.
Poetë të njohur në hierarkinë e realizmit socialist, mbas vitit 1991 nuk i rezistuan provës së historisë, vorbullës së ndryshimeve dhe sidomos përballjes me cilësinë e modernitetit të poezisë së vërtetë. Po hierarkitë e vjetra, për habi, ende mbijetojnë trishtueshëm, kur është e domosdoshme për të caktuar meritueshëm hierarki të reja dhe të vërteta.
Në këtë kontekst krijimtaria e P.Ristos është tipologjikisht ndryshuese dhe pjesë e avanguardës së vërtetë. Risto është poet luftarak dhe pllenues i modernitetit të poezisë shqipe si pakkush.
Petraq Risto ka një vizionarizëm të një grishjeje të re, këlthitëse; ai i ka farkëtuar fitoret e tij me përpjekje dhe tendosje të admirueshme. Petraq Risto guxon dhe shpërthen, ravizon me lëvizje kozmike, me tema të ekzistencialitetit tronditës dhe të dyzuar të epokës globale.
Poezia e afishuar shqipe shpesh vuan nga provincializmi si dhe nga krahinarizmi, fetishizon teknikat tradicionale të prozodisë klasike, nuk e ka genin aksiliterues dhe revolucionarizues të zhvillimit. Risto kërkon diçka të re, një tematikë universale, në bioritmin e vargjeve, në aktualizimin e metaforave të çuditshme, në kriticizmin shoqëror dhe në atë letrar. Është sfidues deri në fund. Ai është poet i metaforizimit si proces i pandërprerë; kapërcen kufijtë jo thjeshtë konvencionalë, e botëzon Shqipërinë, motivet e botës i shqiptarizon.
Të dy librat e tij poetikë duken si të papritur, por në të vërtetë nuk është ashtu: ata janë të parapëgatitur, të ftillëzuar. Ai ka arritur shumë dhe gati në vetmi si çdo krijues origjinal. Suksesi i tij është sukses i poezisë shqipe të ditëve tona, projektuar në ardhmëri.