Petrit Ahmeti
Petrit Ahmeti u lind në Prishtinë në vitin 1982. Shkollimin fillor dhe të mesëm e përfundoi ne Prishtinë. Diplomoi në Fakultetin e Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës, seksioni i Arkitektuës në vitin 2006.
Pas përfundimit të studimeve, filloi të punojë si arkitekt në sektorin privat.
Në vitin 2009 përfundoi studimet postiplomike, në fushën e Arkitekturës dhe Planifikimit Hapësinor, ku në vitin 2009 mori titullin Magjistër i Shkencave. Gjate kohës së studimeve Master, vazhdoi me ushtrimin e profesionit si arkitekt përgjegjës në një nga kompanitë projektuese në Prishtinë dhe ishte përgjegjës për një numër të madh projektësh dhe ndërtimesh në Kosovë. Studimet e tij kishin në fokus kursimit të energjisë përmes arkitekturës dhe implementimin e standardeve të larta ndërtimore. Gjatë vitit 2008 dhe 2009, si një nga studentët e përzgjedhur, mori pjesë në përgatitjet e tij teorike dhe praktike në fushën e aplikimit të standardit Passivhaus, në Austri, të organizuar nga Facchochschule Karnten-Carinthia University of Applied Science.
Pjesëmarrja e tij në shkollimet plotësuese në Austri, e motivuan që në vitin 2009 mori nismën për krijimin e kushteve për aplikimin e masave të efiçiencë të energjisë në ndërtesa. Kjo nismë ishte një bashkëpunim me Passivhaus Institut në Darmstadt të Gjermanisë, nga të cilët iu besua që të filloj me punët rreth përkthimit dhe adaptimit të softuerit në gjuhën shqipe.
Në vitin 2011 u inkuadrua edhe në fushën akademike duke u angazhuar si asistent në Fakultetin e Arkitekturës dhe Planifikimit Hapësinor, në kuadër të Kolegjit për UBT në Prishtinë.
Në vitin 2018 përfundoi studimet e doktoratës në Universitetin e Pécs-it, Fakulteti i Arkitekturës-Departamenti i Dizajnit Energjetik, ku mori titullin PhD (Dr sc.). Gjatë 4 viteve studimi në fushën e efiçiencës së energjisë në sektorin banimor në qytetin e Prishtinës, dha kontribut në përpilimin e disa dokumenteve dhe udhëzuesve teknik për organizata të ndryshme dhe Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor në Kosovë.
Gjate periudhës 2012-2017, u angazhua si zyrtar i projekteve infrastrukturore në kuadër të ndihmës qeveritare të Luxemburgut, ku udhëhoqi projekte të shumta ndërtimore dhe renovuese për përmirësimin e kushteve në shkollat publike dhe mjekësisë familjare në komunat jugore dhe lindore të Kosovës. Gjatë viteve 2015-2016 u angazhua si profesionist vullnetar në monitorimin e cilësisë së punëve renovuese të ndërtesave të mjekësisë familjare në Komunën e Prishtinës, si dëshirë për kontribut ndaj komunitetit.
Aktualisht, Petrit Ahmeti është ligjerues në Kolegjin UBT Fakultetin e Arkitekturës dhe Planifikimit Hapësinor dhe Inxhinieria e Efiçiencës së Energjisë në Prishtine, Ferizaj dhe Prizren. Është themelues i një kompanie shërbyese në fushën e arkitekturës si dhe konsulent i jashtëm në cilësinë e ekspertit ne fushen e efiçiencës së energjisë në projekte të rëndësishme si: GIZ - Përgatitja e udhëzuesit "Tipologjia dhe Performanca Energjetike e Ndërtesave Banimore në Republikën e Kosovës"; LuxDev - Përgatitja e Kurrikulës për shkollën Profesionale "Teknik i izolimit të ndërtesave"; Konzorciumit GFA&HPC - "Pilot Incentives for Energy Efficiency (PIEE)”, part of the Reliable Energy Landscape Project (RELP)", Asociacionin e Arkitektëve të Kosovës - Përpilimi i "Udhëzues teknik për efiçiencë të energjisë në ndërtesat publike komunale në kosovë" dhe projekte tjera.