Pirro Çako lindi në Tiranë në 19 Nentor 1965 një familje artistësh. Të dy prindërit e tij ishin këngëtarë, Gaqo dhe Luiza Çako, njëri tenor dhe tjetra soprano. Mjedisi artistik familjar krijoi traditën që ndoqi më pas dhe Pirron.

Jeta dhe karriera

Redakto

Pirro Çako lindi në Tiranë. Por ai kishte vendosur ndryshe, ëndrra e tij ish të bëhej kompozitor e të shkruante muzikë për të prekur zemrat e mijëra njerëzve, ti bënte ata të gjenin në këtë muzikë një ngjarje apo episod të jetës. Njohuritë e para muzikore i merr në moshen 6-vjecare, duke ndjekur degën e pianos pranë shkollës "Kongresi i Përmetit", me mesuese Lali Gabecin. Në moshën 9 vjeçare ndjek kursin e parë të kompozicionit që u hap në Pallatin e Pionerëve në Tiranë, me inisiativen e kritikut të njohur të muzikës Spiro Kalemi. Me përfundimin e shkollës 8 vjeçare në degën e pianos Pirro vazhdon studimet në liceun artistik "Jordan Misja" në Tiranë, në degën e kantos, pasi prindërit aspironin që të bëhej një pasardhës i tyre në këtë fushë. Studimet në lice, të cilat zgjatën 4 vjet, ridimensionuan formimin e tij artistik të deri atëhershëm.

Pas një përgatitje dy vjecare me kompozitorin Aritistin e Popullit Çesk Zadeja për degën e kompozicionit dhe nga ana tjetër me Artistin e Popullit dirigjentin Rifat Tejqa në degën e dirigjimit, ju dha e drejta për të ndjekur Akademinë e Arteve në degën e dirigjimit, të cilën Pirro e kreu me sukses. Me mbarimin e studimeve të larta emërohet në Radio Tirana, ku për 5 vjet me rradhë punon si redaktor muzike në programin e dytë. Por ëndrra e tij ishte të shkruante muzikë, prandaj, duke përfituar edhe nga pozicioni i favorshëm ku punonte, fillon të shkruajë këngët e para në anketat muzikore të festivaleve për pionierë. Puna e tij krijuese jep frytet e saj hap pas hapi derisa në vitin ’88 Pirro Çako merr pjesë për herë të parë në Festivalin e Këngës në RTSH dhe është fitues me këngën "E duam lumturinë". Do të pasojnë me rradhë Fest ’89 me këngën "Jemi zemrat e çdo moshe", si fitues i çmimit të dytë; Fest ’90 me këngën "Veç një herë jetojmë", fituese e çmimit të tretë dhe Fest ’91 me këngën "Horoskop ’92", gjithashtu fituese e çmimit të tretë.

Karriera e tij premtuese ndërpritet nga erërerat e forta të tranzicionit dhe ai, si mijëra bashkëatdhetarë, largohet nga Shqipëria drejt perëndimit, për një jetë aq të ëndërruar dhe të panjohur, për tu vendosur në Paris. Me kalimin e viteve fillon të ndjejë mungesën e publikut shqiptar dhe bën një tentativë të parë për tu rikthyer në dhjetorin e vitin ’94 ku merr pjesë në Festivalin e RTSH me këngën "Një tren drejt lindjes". Por situata në Shqipëri nuk premtonte, kështu që, me përmbushjen e kësaj dëshire që kish munguar prej kohësh, rikthehet në Paris dhe shkruan muzikën e filmit "Larg Barbarëve" te regjisores shqiptaro-franceze Liri Begeja.

Viti ’95 për Pirron nuk ishte si gjithë të tjerët. Për herë të parë bëhet baba dhe dëshira për ti qëndruar afër të birit, Anthony, dhe Invës, e cila ndërkohe kishte filluar të hidhte hapa gjigandë në karrierën e saj, e detyrojnë për disa vite të qendrojë larg jetës artistike shqiptare. Gjatë kësaj kohe njihet më mirë me muzikën variete franceze dhe e finalizon atë me marrjen e diplomës në "École Normale de Musique de Paris / Alfred Cortot" në degën e kompozicionit për muzikë filmi. Kjo kurorëzon dhe pasionin e tij për kompozicionin.

Ana tjetër e pasionit mbetej muzika e bukur dhe publiku që i mungonte gjithnjë e më shumë. Pas një periudhe 7 vjeçare, Pirro vendos të rikthehet jo si turist, por kësaj rradhe si kantautor, ëndrra që e kishte tunduar gjatë gjithë jetës. Ideja se ishte djali i një këngëtari të madh dhe bashkëshorti i një sopranoje po aq të talentuar e kishin vënë përpara një përgjegjësie artistike. Do të shfaqej dhe ai si këngëtar një ditë vallë?. Ëndrra u bë realitet në tetor të vitit 2000, kur Pirro Çako bashkë me Rovena Dilon fitojnë çmimin e parë në Festivalin e Kënges Magjike në interpretimin e këngës "Për një çast më ndali zemra". Kjo i dha besimin në vetvete dhe hapi portat për të vazhduar karrierën si kantautor. Po atë vit ai fiton çmimin e tretë në Festivalin e 40 në RTSH me këngën "Antinostradamus", por kësaj rradhe vetëm si kompozitor.

Një vit më vonë së bashku me Redon Makashin është fitues i çmimit të tretë me këngën "Falja njërit dashurinë" në Festivalin e Kënges Magjike, ndërsa në vitin 2003 kënga "Unë ai, Ti ajo" fiton çmimin e kantautorit më të mirë po në këtë festival. Po në atë festival kënga "Kuturù" e kënduar nga Aleksandër Gjoka fiton çmimin e dytë.

Në qershor 2004 publikon albumin e tij të parë të titulluar "Herët a vonë". Brenda tij gjenden 15 këngët më të mira që ka kompozuar e kënduar që nga pranvera e vitit 2000, por pjesa më e madhe e tyre dëgjohen për herë të parë nga publiku shqiptar. Në vitin 2005 fiton çmimin e tretë në festivalin e këngës magjike me këngën "Letër dashurie". Veç kësaj juria e vlerësoi me çmimin "Çesk Zadeja" për kompozimin më të mirë. Një vit më vonë, në korrik 2006, Pirro Çako prezantohet në publik me një album krejstësisht të ri me titull "Mos më krahaso". Në projektet e tij mbetet hapja e një studioje regjistrimi në Tiranë, ku përveç kompozimeve vetjake Pirro do të shkruajë këngë edhe për këngëtarë të rinj shqiptarë.[1]

Albumet

Redakto

Albumi i trete : Në ashensor

Referime

Redakto
  1. ^ Biografia

Shih edhe

Redakto

Lidhje të jashtme

Redakto