Pirro Vito
Kjo faqe është e palidhur nga faqe të tjera. |
Pirro Vito ka lindur në Nivan të Gjirokastrës, në vitin 1941. Arsimin fillor e mbaroi në fshatin e lindjes. Pas kësaj, në vitet 1954-1958, ka vijuar studimet e përgjithshme në gjimnazin e Gjirokastrës. Për tre vjet, 1958 - 1961, ka punuar si mësues në fshatrat e atij rrethi. Në vitet 1961 - 1963 kryen shërbimin e detyrueshëm ushtarak. Menjëherë pas përfundimit të shërbimit të detyrueshëm ushtarak, në vitin 1963, ai ngjitet në shkallët e universitetit shtetëror, ku kryen studimet në fushën e drejtësisë, të cilat i përfundoi në me rezultate të shkëlqyera në vitin 1967. Viti 1968, ishte viti kur Pirro Vito do të ushtronte profesionin e gazetarit në gazetën e njohur dhe me potencë të asaj kohe, “Bashkimi”. Pikërisht në atë gazetë ai mbulonte ngjarjet në Çeki, të cilat në atë periudhë kishin zhvillime të paparashikuara. Në muajin tetor të po atij viti (1968), pra kur u denoncua Traktati i Varshavës, Viton e thërret Ramiz Alia dhe i tha se do të shkonte pedagog në Universitetin e Tiranës, sepse ky i fundit në atë kohë kishte nevojë. Për dhjetë vjet në universitet, ku ai punoi deri në vitin 1977, dha mësim në disa lloj lëndësh, si Filozofi, Histori e PPSH-së, Teori e Shtetit dhe e së Drejtës, E Drejta Civile, në shumë fakultete, duke filluar në Inxhinieri, Filologjik, Gjeologji, Mjekësi, Ekonomik, Institutin e Fizkulturës, Shkencat Politike e Juridike etj. Dhjetë vjet më vonë, në vitin 1977, kur kishte fituar një përvojë të admirueshme në fushën e arsimit, ai emërohet në sektorë të rëndësishëm në aparatin e Ministrisë së Jashtme, e cila në atë periudhë është drejtuar nga Nesti Nase dhe Reis Malile, ku punoi deri në vitin 1989. Pirro Vito arriti që, në detyrën e nëndrejtorit të Drejtorisë së Dytë të asaj ministrie, të bëhej një njohës i problemeve të perëndimit, me të cilat merrej pikërisht kjo drejtori. Specifika e veçantë e karrierës së tij të punës është se në vitin 1978, ai pati një përplasje me ish-kryeministrin Mehmet Shehu. Kjo ndodhi pasi ai nuk pranoi publikisht kërkesën e Kryeministrit për të punuar si këshilltar i tij për sektorin e kulturës. Kundërshtimi që iu bë Mehmet Shehut nga Pirroja, befasoi shumë persona, kryesisht punonjës pranë aparatit të Kryeministrisë. Këtë, siç thotë dhe vetë Pirroja, e bëri pasi nuk ndihej kompetent për atë drejtim që i jepej. Aq më shumë që në kulturë mund të bëje gabime të paimagjinueshme politike vetëm në një konkluzion apo në dhënien e një vlerësimi të një vepre letrare e kulturore. Ky kundërshtim para Kryeministrit do t’i kushtonte goxha ambasadorit të ardhshëm. Ai, nga nëndrejtor i Drejtorisë së Dytë, do të kalonte për një kohë në arkivin e asaj ministrie. Më vonë, pikërisht pak kohë pas vdekjes së Mehmet Shehut, ai do të merrte postin e nëndrejtorit të Drejtorisë së Parë, e cila mbulonte vendet e lindjes dhe Azinë dhe, në vitin 1982, emërohet drejtor i Drejtorisë së Organizatave Ndërkombëtare, detyrë të cilën e kreu deri në vitin 1989, kur ai emërohet në detyrën e ambasadorit të Shqipërisë në Rumani. Ajo periudhë për koincidencë korrespondon me revoltat antikomuniste që përfshinë atë shtet, të cilat sollën rrëzimin të liderit të njohur, Çausheskut, me të cilin zoti Vito pati disa takime, pak kohë para se ai të rrëzohej dhe ekzekutohej. Detyrën e lartë diplomatike në shtetin e Rumanisë Vito e kreu deri në korrikun e vitit 1992. Pastaj kalon sërish në Ministrinë e Jashtme, ku mbulonte Greqinë. Do të ishte viti 1993, ku me ligjin 24/1, ai do të dilte i papunë.