Piruni ngritës
Pirunët ngritës ose makinat pirun janë lloje mjetesh ndihmëse, relativisht të ngadalta, që përdoren për ngarkim-shkarkim dhe transport të ngarkesave të rënda të paketuar në paleta ose kuti. Në dallim nga transpaleta, ata kanë aftësi më të fuqishme ngritjeje dhe transporti, ndërkohë që furnizohen me energji elektrike ose kanë motor me djegie të brendshme si burim energjie. Quhen pirun ngritës apo ngritës pirun për shkak të pirunjve të mëdhenj metalikë që përdoren për të ngritur paletat.
Këto pajisje përdoren në kompani të mëdha (si ato të pijeve freskuese, aluminit, produkteve higjienike, etj.) me qëllim kursimin e kohës dhe transferimin më të shpejtë të mallrave në distanca jo shumë të largëta. Struktura e trupit ngjason me një lloj kamioni të vogël që në pjesën e përparme ka dy "pirunj", ku vendosen produktet për t’u transportuar dhe që mund të rregullohen në lartësi sipas nevojës për shkarkim në një kamion ose vendndodhje specifike. Disa prej tyre kanë aftësinë të ngjiten mbi terrene të pabarabarta, ndërsa të tjerë arrijnë shpejtësi të lartë.
Një zhvillim i këtyre mjeteve janë pirunët ngritës me çifte pirunjsh të kundërt, të cilët mund të mbështjellin një paketim, madje edhe cilindrik, për ta ngritur dhe lëvizur majtas-djathtas, pa lëvizur vetë mjeti. Po ashtu, ato mund të kthejnë ngarkesën deri në 180° për grumbullim më të shpejtë. Makinat pirun të specializuara gjejnë përdorim në mjedise që kërkojnë produktivitet të lartë dhe trajtimin e ngarkesave specifike. Ato ofrojnë shpejtësi dhe kapacitet të madh pune, por janë të destinuara për detyra të kufizuara ose mallra të veçanta. Për shembull, ekzistojnë makinat pirun të dedikuara për ngarkimin e fletëve metalike në industrinë e çelikut, apo makinat pirun anësore, të cilat janë të zakonshme në industrinë e drurit.[1]
Përdorimi dhe drejtimi i këtyre mjeteve kërkon leje të veçantë. Këto mjete gjenden kryesisht në zona industriale, porte, aeroporte, etj., si pjesë e pajisjeve teknike të tyre.
Referime
Redakto- ^ Davçev, Jançevski, Todor, Janko. Automjetet dhe Makineria. Graficki centar dooel. ISBN 978-608-226-233-8.
{{cite book}}
: Mirëmbajtja CS1: Emra të shumëfishtë: lista e autorëve (lidhja)