Poezia epike gojore e shqiptarëve dhe e sllavëve të jugut
Poezia epike gojore e shqiptarëve dhe e sllavëve të jugut Autori: Stavro Skendi. Botuesi: "Botimet IDK" Faqet e librit 344.
Më në fund vjen dhe në shqip vepra aq e diskutuar e Stavro Skendit, një prej studiuesve më të rëndësishëm shqiptarë të shekullit të kaluar. Që prej botimit të saj në anglisht në SHBA, në vitin 1954, “Poezia epike e shqiptarëve dhe e sllavëve të jugut” ka qenë shpesh një burim polemikash, por njëkohësisht dhe një pikë e qëndrueshme referimi për të gjithë ata studiues në botë që merren me studimet shqiptare.
Edhe sot, mbi gjysmë shekulli pas botimit, ajo vazhdon të mbetet po aq ngacmuese, interesante dhe dëshmi e një studiuesi të dorës së parë, që meriton padyshim të njihet mjaft më shumë nga ç’e njohim.
Vepra e S. Skendit, në këtë botim është e shoqëruar me një portret të autorit të shkruar posaçërisht për këtë botim nga prof. Nikolla Pano. Njëkohësisht, në formën e pasthënies, po botojmë dhe studimin e studiueses ruse A. V. Desnickajaja, në të cilin ajo paraqet një pikëpamje të kundërt me atë të Skendit përsa i takon pikave të takimit të eposit tonë të veriut me atë të Bosnjes.
Ndërsa botimi i tyre në përmbledhje ka nisur rreth dy shekuj më parë për sllavët e jugut dhe pothuaj një shekull më parë për shqiptarët.
Në vende të ndryshme të botës njerëzit gjejnë kënaqësi t’u këndojnë bëmave të heronjve të tyre. Këngët epike për një kohë të gjatë janë endur nga një vend në tjetrin, të përcjella gojarisht, përpara se të mblidheshin të shkruara. Mjafton të përmendet, se poemat epike të Homerit për disa shekuj kanë shtegtuar nga një krahinë e Greqisë në tjetrën, derisa u paraqitën si Iliada dhe Odiseja. Po kjo gjë është e vërtetë edhe për këngët epike të shqiptarëve e të sllavëve të jugut.
Poemat epike tradicionale të jugosllavëve dhe të shqiptarëve kanë dalë në shtyp pasi kishin kaluar shumë brezni. Të paraqitura plotësisht ose pjesërisht, ato hasen për herë të parë në veprat e ndryshme të shkrimtarëve, veçanërisht të atyre poetëve, që shkruanin mbi bazën e traditës epike popullore.