Sugjestioni posthipnotik, ose siç quhet edhe ndryshe hipnoza e tempuar (kurdisur), përbëhet nga ajo, që sugjestioni i dhënë gjatë gjendjes hipnotike, zbatohet më vonë dhe atë deri sa personi i tempuar është në gjendje të zgjuar, si dhe mund të bindet që asgjë nga sugjestionet e dhëna ose veprimet e bëra të mos i mbaj në mend.

Një ndër paraqitjet më interesante në fushën e hipnozës, është fenomeni i sugjestionit posthipnotik. Kjo paraqitje interesante ka zgjuar interesim të madh jo vetëm ndër magjistarët e skenave publike, por edhe në psikologjinë moderne e sidomos në qarqet e shërbimeve informatimeve duke e keqpërdorur deri në ekstremitet për qëllime të llol-llojshme...

Sugjestioni posthipnotik, ose siç quhet edhe ndryshe hipnoza e tempuar (kurdisur), përbëhet nga ajo, që sugjestioni i dhënë gjatë gjendjes hipnotike, zbatohet më vonë dhe atë deri sa personi i tempuar është në gjendje të zgjuar, si dhe mund të bindet që asgjë nga sugjestionet e dhëna ose veprimet e bëra të mos i mbaj në mend. Gjatë kësaj kohe, personi mbi të cilin është zbatuar veprimi i detyruar (posthipnoza), ndjenë nevojë të papërballueshme për ta kryer atë urdhër, pavarësisht se kjo në dukje të parë duket diç e pakuptimtë ose edhe e palogjikshme, dhe gjatë kësaj as ai vet nuk di të sqarojë motivin që e ka shtyrë ta kryej veprimin, por gjenë arsye të ndryshme si p.sh. një studenteje të cilës i ishte sugjeruar (nën urdhrin posthipnotik) që në kohën e caktuar ta hap dritarën, pasi e kryen saktë veprimin, arsyetohet me atë se ambienti është bërë i tendosur dhe duhet të ajroset, ndërsa studentja tjetër, e cila kishte hyrë me ombrellë në amfiteatër (poashtu nën urdhrin posthipnotik), arsyetohet se atë veprim e ka ndërmarrë sepse nuk dëshiron që t’u përulet rregullave dhe traditave dhe të jetë konformiste.

Para zbatimit të sugjestionit posthipnotik bien në sy dy momente: zbatimi me kohë i urdhrit të dhënë posthipnotik, si dhe zbatimi i vetë urdhrit, pavarësisht nga intervali kohor që ka kaluar nga dhënia e tij. Gjithashtu është interesant edhe zbatimi i urdhrit të dhënë në kohën e caktuar, pa pasur kurrfarë mjeti ndihmës për orientim kohor, p.sh. edhe pse nuk ka orë e kryen veprimin në kohë të caktuar sipas sugjerimit. Disa autorë janë të mendimit se zbatimi i urdhrave posthipnotike në kohën e saktë, është i mundur duke ju falënderuar një lloji „ore biologjike“ që posedon truri i gjallesave të llojit më të lartë, e cila te disa është më e zhvilluar e te disa më pak, si dhe ndikon përgjithësisht në mënyrë të pavetëdijshme. Si fakt ata e marrin shembullin e shumë njerëzve të cilët mund të zgjohen në kohën e caktuar pa pasur nevojë për mjete ndihmëse.

Gjithashtu, sugjestioni posthipnotik nga këndvështrimi psikiatrik dhe psikologjik është me rëndësi edhe për faktin se vërteton ekzistimin e ndërdijes te njeriu. Në këto lëmi, posthipnoza zakonisht përdorët për shërimin e sëmundjeve të varësisë si dhe disa shprehive asociale.

Në literaturë të ndryshme hasim raste të shumta që e vërtetojnë ndikimin veprues të kësaj force të pasfidueshme. Një rast interesant na jep prof. Bernheimi: Ai një mediumi - epror ushtarak, i kishte sugjeruar se në javën e parë të tetorit do të shkojë te mjeku Liebeaulti, ku do ta takojë edhe kryetarin e shtetit i cili do ta dekorojë. Këtë sugjestion, eprorit ia kishte dhënë në muajin gusht. Edhe pse në mes të atyre muajve ai atë e kishte takuar edhe disa herë, asgjë nuk i kishte thënë për urdhrin posthipnotik. Me tre tetor, të premten e parë të muajit, 63 ditë pas sugjestionit posthipnotik, prof. Bernheimit i arrin një letër nga mjeku Liebeaulti, i cili shkruan: „S. sot në orën një e dhjetë minuta erdhi tek unë, pa përfillur askë u drejtua tek libreza ime. Atje, me shumë respekt, u përkul dhe e dëgjova duke thënë „Ekselencë“, pastaj e zgjati dorën dhe tha: „faleminderit ekselencë“. Kur e pyeta se me kë po bisedon, ai qetë m‘u përgjigj: „me presidentin e shtetit, natyrisht“. F., dëshmitar i kësaj skene, më pyeti se kush është ky i marrë, sepse ashtu e konsideronte. Ju përgjigja se, S. është plotësisht normal si unë dhe ti...“


Rastet e tilla të ndikimit posthipnotik janë të shumta. Secili hipnotizues është i njohur me efektin e tyre, një rast të tillë po e cek edhe nga përvoja ime: Mediumi ishte një fëmijë 11 vjeçar. Atij i sugjerova se kur të dalë nga gjendja hipnotike, pas 10 minutash, do t’i afrohet personit A. (person 35 vjeçar, për të cilin mediumi kishte respekt të posaçëm) dhe t’ia kapë hundën. Pas daljes nga gjendja hipnotike, saktësisht pas 10 minutash, mediumi i afrohet personit A. dhe ia kap hundën, por edhe pse e bëri një veprim të tillë në praninë e disa vetëve, ai assesi nuk mund të bindej se e ka kryer atë veprim.

Edhe te posthipnoza kemi të bëjmë me dy këndvështrime të ndryshme. Disa mendojnë se mediumi i zbaton urdhërat në gjendje normale, derisa të tjerët mendojnë se mediumi, në kohën kur duhet ta zbatojë urdhrin, bie prapë në gjendje hipnotike, e cila ka baza që të jetë më reale. Por, pavarësisht nga kjo, se a është mediumi në gjendje të zgjuar apo është prapë në gjendje hipnotike, me rëndësi është se mediumi, në te dy rastet, e kryen urdhrin e dhënë.

Rast 1. Një psikolog amerikan shkon tek kolegët e tij, të cilët punonin me hipnozë, dhe kërkon që ta hipnotizojnë për të parë efektin e saj. Kolegët, pasi e hipnotizojnë, i sugjerojnë se kur të dalë nga gjendja hipnotike, në shenjën e dhënë përkatëse ai do të shkojë e të ulet tek karriga e cila qëndronte e veçantë në qoshe të dhomës. Pas daljes nga gjendja hipnotike, biseda vazhdon me tema të ndryshme deri në momentin kur ai e vëren shenjën e dhënë. Atëherë, ai lëviz nga kolltuku ku ishte i ulur, dhe iu thotë kolegëve se i kishte hipur një ide e marrë, se duhet të shkojë e të ulet tek karriga në qoshe të dhomës. „Sigurisht se ju ma keni imponuar si posthipnozë, iu thotë ai kolegëve, se duhet të shkoj atje në ndonjë shenjë tuajën, por unë një veprim të tillë nuk do ta bëj“.

Kolegët nuk treguan interesim për këtë dhe filluan prapë bisedën. Por, kolegu i tyre assesi të qetësohet. Më në fund u ngrit nga kolltuku duke thënë: „Nuk po mundem më të duroj“, dhe drejtohet tek karriga, derisa kolegët e tij filluan të qeshen.

Rast 2. Në zyrën e gjeneralit S., komandant i divizionit amerikan në Pacifik, qëndronin komandanti dhe psikologu për të parë efektin e posthipnozës. Papritur, në dhomë futet një ushtar i thjeshtë, duke e shtyrë adjutantin, kalon nëpër dhomë qetë dhe shkon tek dritarja, dhe, pa fjalë, heq këpucët duke e mbushur hapësirën e dhomës me erë kundërmuese. Pastaj, ai merr këpucët në dorë dhe, ashtu me çorapë kundërmuese del ngadalë jashtë. E shikuan orën ishte saktë 12. Psikologu e kishte urdhëruar: „Nesër në ora 12, do të futesh në zyrën e komandantit pa pyetur askë për leje. Do të shkosh tek dritarja dhe do t’i zbathësh këpucët. Pastaj me këpucë në duar do të dalësh jashtë“. Këtu nuk duhet fantazi e madhe që nga gjithë kjo të dalë përfundimi se për çfarë qëllimesh mund të përdoren këta persona!

Edhe ju, lexues të nderur, që pretendoni të merreni me aplikimin e hipnozës në praktikë padyshim që do të takoheni me rastet e posthipnozës, pasi që çdo sugjestion i dhënë gjatë gjumit hipnotik zakonisht finalizohet me efektet e veprimit në posthipnozë. Sugjestionet e dhëna duhet t’i formuloni në mënyrë shumë precize pasi, siç e kemi cekur disa herë, efekti i tyre është i paparashikueshëm. Gjithnjë duhet ta keni qëllimin e caktuar se për çfarë e aplikoni atë. Përjashtohen rastet kur keni të bëni me ndonjë shoqëri të ngushtë me qëllim argëtimi. Gjithnjë mundohuni që mos të jeni ju faktor i ndryshimit të ndonjë vetie të personalitetit të individit, pasi që më këtë ju ndikoni në sovranitetin e tij.

Edhe gjatë aplikimit të posthipnozës në shoqëri, si atraksion argëtimi, duhet të keni shumë kujdes në zgjedhjen dhe formulimin e sugjestionit, pasi që sugjestioni i gabuar mund t’i kushtojë shumë mediumit. Gjithashtu, duhet ta keni parasysh edhe karakterin e individit. Këtu po e cekim vetëm një rast ku individi i pafajshëm në duart e një hipnotizuesi sharlatan përfundoi në klinikë. Në një paraqitje publike, hipnotizuesi e merr nga publiku këtë individ për të demonstruar aftësitë e tij hipnotike dhe për të krijuar atraktivitet në sallë. Atij i sugjeron se po e ndjek një qen i tërbuar, kështu që ai fillon të vrapojë i tmerruar nga frika nëpër podium, derisa publiku qeshte i ngazëllyer. Edhe pas daljes nga gjendja hipnotike (pasi që hipnotizuesi nuk ia kishte fshirë atë sugjestion nga ndërdija), ai ballafaqohet me atë dukuri të frikës, se dikush po e ndjek, deri sa më në fund kërkon ndihmë në klinikën psikiatrike ku trajtohet një kohë të gjatë si i sëmurë psikik.

Procesi i posthipnozës zhvillohet kështu: Pasi ta keni futur mediumin në gjendje të rëndë hipnotike, me anë të ndonjë teknike të cilën ju e preferoni, ia sugjeroni atij sugjestionin e dëshiruar p.sh.: „sa herë që do ta ndieni se po ju fillon dhembja e kokës, ju automatikisht do të bini në një gjendje si kjo tani dhe do të numëroni deri në tre. Pastaj, prapë do të jeni në gjendje normale dhe çdo gjë me ju do të jetë në rregull. Do të jeni i qetë, i disponuar dhe i kthjelltë, pa dhembje koke. Këto që po ua them do ta regjistrojë ndërdija juaj, ndërsa vetëdija nuk do të dijë asgjë. Regjistrojeni në ndërdije këto që ua thash. Kur të dilni nga kjo gjendje, vetëdija juaj asgjë nuk do të mbajë mend në lidhje me sugjestionet e dhëna, ato do të veprojnë në mënyrë të pavetëdijshme. Do të veprojë ndërdija juaj...“Ka raste kur mediumit i jepet edhe shifra me të cilën ai vetë mund të hipnotizohet dhe t’i përsërisë sugjestionet e caktuara, por, për to do të bëjmë fjalë në pjesën - Autohipnoza.