Prejardhja e emrit shqiptar : (etnonimi shqiptar)
Prejardhja e emrit shqiptar : (etnonimi shqiptar) : ese me Autor: Aristotel Mici. Shtëpia Botuese "Dudaj" Tiranë, 2012. Botimi i 2-të. Faqet e librit 70.
Në vigjilje të festës së 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, shtëpia botuese “Dudaj “ vuri në qarkullim botimin e dytë të librit esseistik të Aristotel Micit me titull “Prejardhja e Emrit Shqiptar”, (Etnonimi Shqiptar). Me anë të këtij libri studimor autori trajton çështjen se hipoteza që kërkon të gjejë origjinën e etnonimit të ri shqiptar tek simboli i lashte i shqipes duhet marrë në konsideratë dhe të mos anashkalohet. Në të mirë të kësaj ideje janë shumë detaje dhe fakte historike dhe gjuhësore. Argumentet e kesaj hipoteze janë në përshtatje me rregullat gramatikore të fjalëformimit, me etnografinë dhe psikologjinë mbarëkombëtare.
Shënojmë se në mbrojtje të idesë së tij autori sjell dhe gjykime e mendime të studjuesve të shquar të fushës së albanologjisë duke filluar me historianë të antikitetit si Straboni e Plutarku e deri te Marin Barlet e Marin Bicikemi,; nga albanologë të huaj si Edith Durham, Maximilian Lambetz, Milan Shufflay e deri tek dijetaret e diteve tona të albanologjisë si Prof. Eqrem Çabei e Prof. Shaban Demiraj; nga studiuesi Eqrem Bej Vlora e deri te historiania albanologe Lucia Nadini, profesoreshe e Univesitetit te Venecias.
Ky libër esseistik shquan për mënyrën e argumentimeve, për një logjikë të qartë në shtruarjen e mendimeve e me një gjuhë të kthiellët. Çdo shqiptar, kudo që të ndodhet, më anë të këtij libri ka mundësi të marrë një informacion të gjërë lidhur me origjinën e emrit të tij kombëtar.