Pusi (roman)
Pusi roman me autor Kim Mehmeti. Botuar nga "Mapo Editions" në vitin 2018. Faqet e librit 222. ISBN 978-9928-213-16-7
Fragment nga librin:
Kurrë nuk e mora vesh nëse lulet u vyshkën për shkak të sëmundjes së nënës apo nëna u sëmur për shkak të vyshkjevs së luleve, por një javë përpara së të shpërnguleshin te shtëpia e re pranë lumit nëna ra në shtrat, ndërkaq lulet u vyshkën sikur t'i kishte djegur bryma.
E tërë kjo situatë ia shtoi edhe më shumë mërzinë babait, i cili sorollatej nëpër oborr pa ditur si të vepronte: ta shtynte shpërnguljen dhe të priste sa të shërohej nëna apo ta merrte ashtu të sëmurë e të niseshim rrugës teposhtë, drejt fushës.
Mbase edhe do të priste që nëna të shëndoshej, por ndodhi edhe një e papritur që e përshpejtoi shpërnguljen tonë dhe e çoi tim atë ta merrte nënën ashtu të molisur nga sëmundja, ta hipte mbi kalë dhe të niseshim drejt fushës.
Arsyeja që e çoi babën të nisej drejt shtëpisë së re me nënën e sëmurë mbi kalë, kishte të bëntë me ngordhjen e peshqve kuqaloshë në fund të pusit. Pra, disa ditë pasi u sëmur nëna dhe pasi u vyshkën lulet përreth pusit, filloi të vinte një erë e keqe nga thellësia e tij.
Kur im atë shkoi të shihte se ç'ishte ajo që qelbej në fund të pusit, pa peshqit e shumtë që kishin nisur të zhbëheshin dhe të ngjanin me leckurina që notonin mbi syprinën e ujit.