Qemal Bego
Qemal Hysen Bego Lindi më 10.10.1927 në Çepan ku kreu edhe katër klasë fillore me mësues Vasil Kitën e Gjon Harushën në vitet 1936-1940. Shkollat e tjera ai do t’i mbaronte shumë vite mbas luftës. Më 10 shtator 1943 në moshën 16 vjeç shkoi me dëshirën e tij në detyrën e korrierit partizan në Komandën e Vendit në Çepan. Vazhdoi deri në fund të vitit dhe pastaj inkuadrohet partizan në Grupin e Skraparit në kompaninë e shtabit të grupit. Në tetor 1944 ai rreshtohet në Brigadën e 10-të S. që komandohej nga Njazi M. Çepani. Mbas çlirimit të atdheut ai kryen detyra të ndryshme në Brigadën e Mbrojtjes së Popullit në Vlorë, Sarandë e gjetkë; me gradën nëntoger në vitet 1948-1950 kryen detyrën e delegatit dhe të përgjegjësit të rinisë në degën e punëve të brendshme Kukës.
Më 16 mars 1950 e nxjerrin në lirim (ishte pasojë e letrave që shkonin tinëz nëpër zyra për të denigruar njeriun e mirë) dhe ai deri në vitin 1960 punon në Komitetin Ekzekutiv të Qarkut të Beratit: në kadastër, kontrollor, referent i seksionit të bujqësisë. Në vitet 1960-1974 caktohet me detyrën e kryetarit të kooperativës bujqësore Dronovicë-Samaticë të Beratit. Në vitin 1966 këto u bashkuan me Kutallinë dhe kryetari i kësaj kooperative të bashkuar u caktua Qemali. Këtë detyrë e kreu deri më 1974. Në vitet 1974-1986 ishte drejtori i SMT të rrethit të Beratit.
Mbas 53 vjetësh jete intensive më 1987 del në pension. Me dekret numër 4600, datë 22.11.1969 dekorohet me titullin më të lartë të Republikës, "Hero i Punës Socialiste".