Qumështi i nënës
Qumështi i nënës, burimi më natyral yshques për fëmijën. Nuk është e mundur të gjendet një ushqim që të zërë 100 përqind vendin e qumështit të nënës. Por ndodh që nëna e sapolindur të ketë mungesë të qumështit, çka ndikon edhe në shëndetin e fëmijës. Lodhja dhe shqetësimet gjatë ditës janë shkaqet, që çojnë në ulje të sasisë së qumështit të prodhuar nga nëna.
Qumështi i nënës është një përzierje e pakrahasueshme, që shërben si burim ushqimor i shkëlqyeshëm për foshnjën e porsalindur. Këtu nuk mund të lëmë pa përmendur edhe rolin e shumëfishtë të tij për mbrojtjen kundër infeksioneve dhe rritjen e shkallës së imunitetit në organizmin e fëmijës.
As ushqimi artificial i prodhuar nga teknologjia e ditëve tona nuk mund ta zëvendësojë këtë burim ushqimi të mrekullueshëm. Çdo ditë zbulohen dobi të reja, që përmban qumështi i nënës për fëmijën. Pirja e qumështit gjatë dy viteve të para të jetës ka dobi mjaft të madhe, pasi ai ndihmon në asimilimin e lëndëve të rëndësishme për organizmin në rritje të të voglit, që garantojnë rritje dhe zhvillimin normal. Qumështi i gjirit është i pasur me proteina, karbohidrate, yndyrna, vitamina e minerale. Ka aftësinë të mbrojë fëmijën nga disa sëmundje. Fëmijët, që ushqehen me qumështin e nënës janë më të mbrojtur nga sëmundjet, si diarreja, gripi, acarimet e veshëve, të cilat ndeshen më rrallë në krahasim me foshnjat që ushqehen me qumësht tjetër. Edhe në vitet e mëpasshme në fëmijët e yshqyer me qumësht nëne shihen më rrallë sëmundjet e damarëve të gjakut. Përveç kësaj psikologët theksojnë se pirja e qumështit formon lidhjen dhe përshtatjen psikologjike mes nënës e fëmijës.