Qytetërimi i urnave
Gjatë kalimit nga Koha e Bronxit në Kohën e Hekurit përhapja e ritit të djegies pati rezultat formimin e qytetërimeve të fushave të urnave (“Urnenfelderkulturen”), të cilat pasi morën shtysat e para në Danub, patën si përhapës kryesor qytetërimin “ilir” të Luzasës (Childe, Pittoni). Përdorimi për tërësinë e këtyre kulturave i emërtimit “qytetërimi i urnave” ka sjellë ngatërime të shumta, ndër të cilat më i rëndë ka qenë mëtimi pak a shumë për ta njëjtësuar qytetërimin luzasian me atë të quajtur të urnave, të vendosur në lindje të tij dhe që shtrihej që nga Çeko-Sllovakia, Austria e Turingia deri në Francë e në Spanjë. Ky qytetërim i urnave, në të cilin dëshmohet një evoluim i atij të tumave, kryesisht në Gjermaninë Jugore, nga disa autorë është quajtur si kelt, njësoj si ai i tumave. Përkundrazi, arkeologë të tjerë duke ndjekur Kosinën, të ndikuar nga ilirizimi i qytetërimit të Luzanës, e kanë quajtur qytetërimin e urnave si ilir në kuptimin e ngushtë të fjalës (Schumacher, Pittoni, Kraft).
Ky artikull nuk citon asnjë burim, prandaj mund të mos jetë i saktë. |
Një numër gjuhëtarësh (Krahe, Pokorny) dhe kohët e fundit (Tovar), duke u përpjekur t’i lidhin me qytetërimin e Luzanës disa toponime të Europës Qëndrore, të krahasueshme me atë pak gjë që njihet nga gjuha e folur prej ilirëve, kanë ndihmuar që ta bëjnë ilirizimin e luzasianëve diçka të zakonshme si ndërmjet këtyre gjuhëtarëve, ashtu edhe arkeologëve të Europës Qëndrore.
Këto mendime nuk janë pranuar gjithmonë. Është bërë dallimi themelor ndërmjet qytetërimit të Luzasës dhe atij të urnave, duke e vëvë në dyshim karakterin ilir dhe duke ua quajtur keltëve kulturën e dytë (Bosch). Ngaqë nuk kemi dalë në përpjekjet tona të gjejmë afëri, në Katalonjë, të toponimve kelte që tregojnë një pushtim ushtarak (-dunum), në rast se nuk ka më qytetërimn e urnave, e kemi njohur këtë të fundit gjithmonë si vazhdim të qytetërimit të tumave, porse ky i fundit megjithatë ka pësuar ndryshime nën veprimin e kulturës së Luzasës që nga përparimi i saj në Çeko-Sllovaki, nga depërtimet në Austri e në Hungari dhe në brendësi të grupeve të tumave në Gjermani. Pikënisja e qytetërimit të urnave duhet kërkuar në kulturën bohemiane të Knovizit.
Shumë shpejt u kërkua një rrugë e ndryshme: Kreçmeri dhe pastaj Krahe, të cilët grupin gjuhësor në fjalë e kishin quajtur ilir, e shndruan këtë emërtim në venet. Kështu, venetët dhe qytetërimi i Luzasës u bënë të pavarur nga ilirët, të formuar në treva krejt të ndryshme dhe të larguar nga vatra luzasiane. Së fundi, Pokorni, duke ia mohuar megjithatë çfarëdo karakteri kelt qyetetërimit të urnave në kuptimin e mirëfilltë, por duke pranuar identifikimin e qytetërimit të Luzasës me të venetëve, është pak më pohues kur puna për të vendosur lidhjet e emrave të vendeve, që më parë quheshin se i takonin ilirishtes.
Ai i klasifikon si emra “indoevropianë arkaikë” dhe gjuhën e tyre e sheh si “gjuhën e popullit të qytetërimit të fushave të urnave”, duke menduar se ajo mund të përfaqësonte një etapë parakelte, brenda së cilës mund të përfshihej qytetërimi i mirëfilltë i urnave. Kështu, Krahe, siç do ta shohim më poshtë, në veprat e tij të fundit (1951), arrin të pranojë se, meqë gjatë mijëvjeçarit të dytë, disa gjuhë të Europës Qëndrore kanë qenë në gjendje fluide dhe duke mos qenë të ngulitura përfundimsht, do të qe e kotë të bëhej provë që t’u viheshin këtyre gjuhëve emrat e popujve.
Pas Piçit (çek) dhe Çekankovskit (Czekannkowski, polak), arkeologët sllavë e në veçanti Korstrzhevski, Sulimirski, Henzeli dhe gjuhëtari Lehr-Splavinski, e kanë njëjtësuar qytetërimin e Luzasës me kulturën zanafillëse të sllavëve.
Ua detyrojmë Jazhdzhevskit dhe Lehr-Splavinskit një version të ri, pak më të ndryshuar: ata e pranojnë pa vështirësi se qytetërimi luzasian nuk është ilir, por e vënë theksin mbi qëndrueshmërinë e pushtimit të Luzasës nga po ata elementë të popullimit dhe mbi faktin që, në momentin kur u zhduk uniteti kulturor luzasian, pushtuesit që siguruan sundimin mbi luzasianët megjithatë nuk u asgjesuan. Më vonë, në qytetërimin sllav historik do të gjenden elementë të kulturës materiale që kanë ngjashmëri me ato të Luzasës. Por problemi etnik është shumë më i ndërlikuar se sa e lë të hamendësohet teza e Kostrzhevskit dhe kolegëve të tij.
Sidoqë duke pranuar se vazhdimësia e elementëve të popullsisë luzasiane ka dhënë ndihmesë për përpunimin e kopleksit sllav- gjë që, në një farë mase, mund t’i jepte qytetërimit të Luzasës një karakter protosllav, - përsëri ky nuk mund të përcaktohet pa përzierje dhe vetëm protosllav, sepse një pjesë e rëndësishme e këtyre popujve kanë qenë jashtë teritoreve protosllave dhe ata do të merrnin pjesë në përbërësit e tërësive të tjrera etno-gjuhësore, veçanërisht në tërësinë e keltëve dhe ilirëve. Në antikitet termin etnik të venetëve e gjejmë të zbatuar për territoret luzasiane (grykëderdhja e Vistulës), gjë që konfrimon karakterin venet të qytetërimit luzasian. Emri i venetëve ka vazhduar te popujt që i kanë pasuar.
Nëse burimet historike të shek. I e II të erës sonë e kanë shtrirë emrin e venetëve mbi territoret e qytetërimit të varreve në trajtë kambane (“Glockengraber”, “Bell-barrows”), pastaj mbi atë të varreve në zgavra, kjo duket se na saktëson mbijetesën e këtij emri ndër popujt që kishin pushtuar trevat e venetëve dhe bartës të qytetërimit të Luzasës ose të paktën një pjesë të tyre. Me kalimin e kohës, zgjerimi i kësaj kulture që nga zonat e Oderit e Vistulës, bazave të popullsive sllave, ka shkaktuar formimin e qytetërimit të “varreve në zgavra”, ndoshta bashkëkohës i periudhës së kristalizimit të sllavëve gjatë tre a katër shekujve të fundit para erës së re.
Rreth shekullit III vendbanimi zanafillës i sllavëve do të jetë shtrirë që nga lugina e Oderit nga perëndimi, kryesisht gjatë rrjedhës së Vistulës, në luginën e Bugut dhe në kufinjtë e Dnjeprit nga lindja, deri tek brigjet e Balltikut në veri e deri në shpatet veriore të Karpateve në jug. Nga shekulli I deri në shekullin e II të erës sonë, bashkësitë kulturore të Volhinies e të Dnjeprit të mesëm e të epërm, nuk ndeshen pasardhësit e qytetërimit të lashtë të Tripoljes, do të asimilohen nga qytetërimi i varreve në trajtë kambane (kultura e Zarubinces e arkeologëve polakë dhe e “fushave të varreve” të rusëve), që përfaqëson krahun lindor të sllavëve.
Në asimilimin reciprok të elementëve të veçantë të qytetërimit sllav të përbashkët duhet të ketë qenë ndërmjetës, ashtu siç e mendon arkeologu Artamonov, qytetërimi Çeki-Visockos, i dalë nga shtrirja e zgjerimit luzasian, duke nisur nga Vistula, mbi territoret e kulturave me origjinë “trake” të Podoljes e të Volhinies.
Arkeologu çek J.Filip arrin në po ato përfundime si Jazhdzhevski dhe Lehr-Splavinski: duke hedhur poshtë tezën e prejardhjes ilire për qytetërimin e Luzasës, ai pranon rezervat e shprehura ndaj tezës që ai ia atribuon Halshtadit formimin hisorik të popullit sllav; por qendrat kryesore të qytetërimit të luzasian duhet të ndodheshin në zonën, të cilën pas vitit zero, e kanë zënë veneto-sllavët historik. Që këtej del se populli luzasian duhet të vendoset në rrënjë të atij, që më vonë do të përbëjë popullin sllav, në veçanti të grupit të sllavëve perëndimor.
Është e qartë se qytetërimi luzasian ka luajtur megjithatë, një rol në gjenezën e popujve të tjerë, për shembull, të keltëve në zonën e tumave; por ky do të jetë përsëri mjedisi thjesht luzasian i trevave të Oderit e të Vistulës, që mbetet përbërësi më i pasur i popullit sllav përpara zgjerimit të tij të madh historik. Pjesa çeko-sllovake e kulturës gjithnjë do të jetë vetëm një rajon periferik dhe evoluimi i saj do të ndryshojë nga ai i djepit të vet. Megjithatë, nuk është e pamundur që në Çeko-Sllovaki, me ardhjen e sllavëve historikë në Bohemi e Moravi, mbeturinat e popullit luzasian të jenë përzierë me lehtësi me ata që kishin me ta një farefisni të ngushtë.
Një punim në shpjegimin e etnologjisë së luzasianëve. J. Neustupni trajton marrëdhëniet e tyre me formimin e popullit sllav. Ai diskuton mjaft objektivisht tezat e ndryshme, në të mirë ose në kundërshtim me prejardhjen luzasiane të sllavëve, dhe arrin në përfundimin se, në gjendjen e sotme të problemit, nuk mund të jepet ende asnjë zgjidhje e vlefshme. Ndonëse grupet anësore që i përkasin qytetërimit luzasian kanë pasur një farë pjese në formimin e popujve keltë, të cilët hyjnë në histori në treva me gjurmë të vlerave kuluturore luzasiane, nuk duket e mundur që të pranohet veprimi i një populli unik në qytetërimin e Luzasës që nga origjina e deri në zhdukjen e tij. Për më tepër, ndërmjet Luzasës dhe sllavëve janë ndërfutur qytetërime të ndryshme: Tena, ndikimi romak, kulturat e periudhës së dyndjeve të mëdha, dhe të gjitha këto në kohë që është e vështirë të rroken.
Që me Kostrzhevskin, arkeologët polakë në format e shtëpive, në muret rrethuese të fortifikuar dhe në disa elemente të qytetërimit material kanë gjetur dokumente të tilla, që lejojnë të mendohet për një rilindje të vetë këtij qytetërimi luzasian pas eklipsit të tij. Ndonëse mund të gjenden veçori luzasiane që kanë mbijetuar, të kohëve gjithnjë e më të vona- kështu, Filipi ka saktësuar praninë në Çeko-Sllovaki dhe deri në fillimet e erës sonë të një faze luzasiane të vonë, - dhe ndonëse qytetërimi i mureve rrethuese të fortifikuara sllave është i afërt me Kohën e Krishtit (Borkowski), ekziston përsëri një hapsirë në kohë: mund të mendohet që këto fortifikime të vendosen në marrëdhënie me ato të epokës së Tenës dhe të perudhës romake. Por sido që të jetë, në rast se arrijmë të bashkshoqërojmë qytetërimin luzasian dhe qytetërimin sllav të mureve rrethuese, i vetmi problem që del, do të jetë që të pranohet se tashmë sllavët kanë qenë te luzasianët, tekstet historike nuk lejojnë që të quhen sllavë grupe të tjera veç atyre më të vona, që banonin në lindje të Elbës dhe, ndërmjet tyre, venetët e luzët, në fillim të erës sonë. Sido që të jetë, qendra kryesore e sllavëve duhet të kërkohet në shpatet lindore të Karpateve.
Në kohën e parë të Hekurit, grupet e ndryshme të Halshtatit, prejardhja e të cilëve është vendosur në vendet danubiane, janë shfaqur përgjithësisht ilirë dhe keltët na shfaqen me qytetërimin e Tenës dhe në periudhën e dytë të hekurit. Prejadhja e tyre mbetet e pashpjeguar prej dijetarëve, që nuk pranojnë karakterin kelt të qytetërimeve të tumave dhe fushave të urnave. Shumaheri (Schumacher), që e lidhte me ilirët këtë kulturë të fundit, a nuk kërkonte origjinën e keltëve në verilindje të Francës? Futjen e kulturës së Tenës mbi Rin ai e lidhte me një pushtim të ardhur nga Perëndimi.
Nga disa prej këtyre punimeve interpretuese duket se përvijohet një drejtim, i pasur me premtime, që na shtyn ta braktisim njëjtësimin e përpiktë të disa popujve me gjuhë ose me qytetërime të përcaktuara dhe të pranojmë karakterin e pasigurtë të procesit të formacioneve të ndryshme etnike, që vetëm me vonesë kanë arritur në një kristalizim, por duke u nisur nga një mjedis kulturor zanafillës, të pranojmë ndarje ose diferencime të lloj-llojshme, që do të integroheshin brenda tërësive shumë të ndryshme.