Ju flet Kukësi..”. Kjo sigël zanore që u përhap më 16 tetor 1959, nga katër altoparlantë, që vareshin në pemët e qytetit të vjetër të Kukësit, hapi rrugën e një radioje, që në jetën e saj të gjatë do të bëhej një legjendë e informimit në gjuhën shqipe. Sigla që ende shoqëron mëngjeset e mijëra dëgjuesve, nuk është ndalur në këta 45 vjet. Kjo radio i afirmoi vlerat në ruajtjen e ndjenjës kombëtare të gjuhës, kulturës dhe historisë, sidomos te shqiptarët jashtë kufijve në Kosovë e Maqedoni, për të cilët u ngrit dhe ky radiostacion që më pas do të identifikohej me vetë qytetin e Kukësit. Në qytetin e vogël, njerëzit që nuk kishin dëgjuar më parë radio, habiteshin kur nga altoparlantët në vatrat e tyre, hyri vala e Radio Kukësit, që u bë pjesë e pandarë e jetës së tyre. Fillimi ishte krejt i natyrshëm. Një program i improvizuar, një tribunë ku ngjitet ish-presidenti Haxhi LLeshi, për të prerë shiritin ishte dita e startimit të kësaj radioje që ishte e dyta në vend, për nga rëndësia dhe numri i dëgjuesve, pas Radio Tiranës. Qyteti dhe rrethi i Kukësit kanë jetën e tyre në këtë radio, që nga viti 1959 e deri më sot. Koha vlerëson si të pazëvendësueshme punën e radios që identifikohet me emrin e qytetit.

Faqe zyrtare Radio Kukesi www.radiokukesi.al [1]

OnAir streaming (https://web.archive.org/web/20130501001813/http://radiokukesi.al/mobile/)[2]