Rami Memushaj
Rami Memushaj gjuhëtar shqiptar, ka lindur në Kallarat të rrethit të Vlorës më 28 shkurt 1943. Katër klasat e para të 7-vjeçares i ka kryer në vendlindje, klasën e pestë dhe të gjashtë në shkollën 7-vjeçare "1 maj" në Skelë të Vlorës dhe të shtatën në Vranisht. Studimet e mesme i ka bërë në Vlorë, në shkollën pedagogjike "Jani Minga" gjatë viteve 1957–1961, kurse të lartat në degën e gjuhës dhe të letërsisë shqipe të Universitetit të Tiranës gjatë periudhës 1964–1968. Gjatë viteve 1961–1964 ka punuar si arsimtar në rrethin e Vlorës, dy vitet e para si mësues matematike në Gjorm e Vranisht dhe vitin e fundit si drejtor i shkollës 7–vjeçare në Bolenë. Pas diplomimit në shkollën e lartë, ka punuar përsëri në rrethin e Vlorës si drejtor shkolle fillimisht në fshatin Vajzë (1969–1971), pastaj në Vranisht (1971–1973) dhe në Llakatund (1973–1974). Prej vitit 1974 e deri sot punon si pedagog pranë katedrës së gjuhës shqipe të Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë të Universitetit Shtetëror të Tiranës. Përveç mësimdhënies në degën e gjuhës së gjuhës dhe të letërsisë shqipe, ka mbuluar disa lëndë gjuhësore, është marrë edhe me veprimtari kërkimore në fushën e gjuhësisë. Fryt i kësaj pune janë një varg botimesh, monografi e tekste mësimore universitare e për shkollën e mesme, si dhe artikuj gjuhësorë e shkrime në shtypin shkencor dhe në shtypin e përditshëm. Veç fushës së gjuhësisë, e kanë tërhequr edhe çështje të historisë së krahinës së Labërisë dhe të Kurveleshit.
Botime
Redakto•Fonetika e shqipes standarde, Tiranë, 2009.
•Bukuria e gjuhës III, tekst i gjuhës shqipe për shkollat e mesme të përgjithshme të Malit të Zi, Podgoricë, 2009.
•Bukuria e gjuhës II, tekst i gjuhës shqipe për shkollat e mesme të përgjithshme të Malit të Zi, Podgoricë, 2008.
•Bukuria e gjuhës I, tekst i gjuhës shqipe për shkollat e mesme të përgjithshme të Malit të Zi, Podgoricë, 2007.
•Himara, Tirana, 2004.
•Histori e Kurveleshit, I, Tiranë, 2004.
•Teste gjuhësore, Vlorë, 2003 (me bashkautorësi).
•Gjuhësia gjenerative, Tiranë, 2003, 2008 (e ripunuar).
•Shqipja standarde, Tiranë, 2002, 2004, 2005, 2006, 2008.
•Hyrje në gjuhësi, Tiranë, 2002, 2004, 2006, 2008.
•Hyrje në gjuhësi, 1986, 1990, Tiranë (bashkautor).
•Morfonologji e eptimit të gjuhës së sotme shqipe, Tiranë, 1989.