Recensioni
Recensioni (lat. recensio - vështrim), në kritikën e tekstit ka domethënien e vështrimit dhe të vlerësimit të dorëshkrimeve dhe materialeve tekstore, në bazë të të cilëve përcaktohet autenticiteti i tekstit.
Recensioni ka domethënien edhe të vetë botimit kritik të teksteve të vjetra, e në veçanti të komentit hyrës të botuesit – shpjegimin, paraqitjen e materialit të tërësishëm, burimet dhe arsyet e përcaktimit të versionit të caktuar.
Në kohën e zhvillimit të hovshëm të shtypit periodik (fundi i shek. XVIII), recensioni ka kuptimin e vështrimit letrar, të kritikës në gazeta ose revista.
Recensioni, në rastet më të shpeshta është rubrikë e rregullt e publikimeve periodike, kurse gazetat dhe revistat i kanë recensentët e vet, të cilëve u dërgohen falas kopjet e librave, ose shkrimeve të tjera që duhet të prezantohen.
Në praktikën shkencore dhe universitare, recensioni nënkupton paraqitjen e veprës para se të jetë shtypur, përkatësisht vështrimin, i cili rekomandon një vepër për botim.
Recensenti është personi që merret me shkrimin e recensioneve, ekspert i fushave të caktuara, të cilit i besohet shkrimi i një recensioni, autor recensionesh.