Revista "Gjeopolitika", Nr.3

Titullohet "Kriza globale, Shqipëria, Kosova, Rajoni". Ky numër i revistës merret me krizën ekonomike globale që ka mbërthyer sot botën e industrializuar, por jo vetëm. Debati kryesor midis studiuesve të ekonomisë është nëse kjo krizë ishte pasojë e gabimeve njerëzore të drejtimit tëekonomisë, apo është krizë e vetë sistemit. Me fjalë të tjera a duhet që ekonomia e tregut të lihet totalisht e lirë, apo i nevojitet një kontroll e ndërhyrje rregullatore e shtetit. Ky numër i revistës sjell një këndvështrim "shqiptar" të krizës botërore financiare, si edhe analiza të ekspertëve ndërkombëtarë mbi të.

Ky numër është ndarë në tre pjesë: Pjesa e parë "Ne përballë krizës" mbështetet në punimet e Nandi Shanit "Kriza, çfarë mund të bëjë Shqipëria?!", Merita Canit, prof. dr. Shkëlqim Canit, Lorena Skufit "Kriza botërore dhe Shqipëria: A jemi prekur?", Ardian Fullanit "Kriza na imponon disiplinë financiare", Rudina Seserit "Kriza dhe ndikimi ekonomik për Shqipërinë", Gjin Bibës "Kriza globale dhe tregu i pasurive të palujtshme".

Pjesa e dytë me titull "Ballkani përballë krizës" përmban një studim nga Jan Peter Olters "Përgjigje rajonale për krizën globale: as lojtar, as spektator, por arbitër", nga dr. Agim Paca "Paraja, buxheti dhe përgjegjësia".

Pjesa e tretë "Dilemat e kapitalizmit" sjell kontributet e Alan Greenspan "Epoka e trazirave", dr. Zamira Çavos dhe MA Burbuqe Ribës "Karl Marx dhe kriza financiare botërore", të Amartya Sen "Kriza ushqimore dhe kriza të tjera", të Daniel Bell "Dilemat e rritjes: kontradiktat ekonomike të kapitalizmit", Ilir Mitezi "Anatomia e krizës financiare dhe rrugëdaljet".