Ky numër i revistës i kushtohet një konference të mbajtur në shkurt të vitit 2011 në Universitetin "Marin Barleti" me temë mbi Gjykatën Administrative. Nga referuesit u trajtuan elemente teorike dhe praktike të së drejtës administrative, përfshirë edhe procesin historik ndërkombëtar të kësaj të drejte; lidhja midis procesit gjyqësor dhe procedimit administrativ; perspektiva e një gjykate administrative në Shqipëri; probleme të organizimit të sistemit gjyqësor për gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative; aspekte të kuadrit ndërkombëtar të drejtësisë administrative dhe zhvillimi i jurisprudencës administrative të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg, sidomos lidhur me çështjet ku përfshihet Shqipëria.

Ndër të tjera autorët e punimeve konkludojnë se reformimi I drejtësisë administrative dhe I zgjidhjes së mosmarrëveshjeve në këtë fushë duhet të trajtohet dhe të jetë një koncept më I gjerë se gjykata administrative e cila, si e vetme, edhe pse e krijuar nëpërmjet një ligji të posaçëm, nuk do të mjaftonte për të zgjidhur atë çfarë publiku dhe biznesi shqiptar kërkojnë, pra një gjykim administrativ të drejtë, të shpejtë dhe efektiv.

Ky numër përmbledh kontribute nga akademik Esat Stavileci "Gjyqësia administrative, mundësitë dhe përparësitë", dr. Eralda Methasani Cani "Të përcaktosh drejtësinë administrative - perspektiva e një gjykate administrative në Shqipëri", LL.M. Ledina Mandia "Zhvillimi I jurisprudencës administrative të GJEDNJ", dr. Jordan Daci "Probleme të organizimit të sistemit gjyqësor për gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative", Alma Faskaj Vokopola "Gjykata Administrative, lidhja midis procesit gjyqësor dhe procedimit administrativ", MA Eriselda Sauli "Drejtësia administrative shqiptare në kontekstin ndërkombëtar: jurisprudenca administrative dhe Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut", LL.M. Uarda Albunesa dhe M.A. Hermina Albunesa "E drejta e autorit në legjislacionin aktual shqiptar dhe atë evropian. A ka përqasje mes tyre?", MA Jonida Kondili "Mosmarrëveshjet e kompetencave midis pushteteve & Jurisprudenca e Gjykatës Kushtetuese"