Revista ars është revistë letrare shqiptare, numri i parë doli më 31 mars 2002[1]. ARS konsiderohet si revista me ndikim aktiv në debatin mbi të shkuarën.

Përgjatë 5 viteve të botimit (31 Mars 2002-27 Gusht 2006), u publikuan 40 numra me një total prej 1784 faqesh në format A3, ose mbi 7 mijë faqe libër ose revistë në formate standarde.

30 numra u botuan me nga 40 faqe, 1 numër me 44 faqe, ndërsa 9 numrat e fundit me nga 60 faqe. Revista arriti ta respektojë periodicitetin e premtuar (të Dielën e fundit të çdo muaji) për mbi 30 numra, por më pas, vonesat e daljes së numrave u bënë diçka e zakonshme, aq sa periudha nga numri 38 deri në numrin 39 ishte plot 11 muaj (8 Maj 2005 – 6 Prill 2006).

Revista nisi në Tiranë si një botim i Penclub Orana, me kryeredaktor Irhan Jubica dhe në stafin e ngushtë Gilmana Bushati, Blendi Kraja e për pak muaj, Flori Slatina. E shtypur me një tirazh nga 300 deri në 1700 kopje, që prej numrit 3 (26 Maj 2002) revista nisi të shpërndahej në Kosovë përmes ndërmarrjeve “Buzuku[2]” dhe “Rilindja[3]”, që nga numri 9 (24 Nëntor 2002) shpërndarja u realizua në të gjithë Maqedoninë si dhe në qendrat shqiptare në Mal të Zi, ndërsa shpërndarja në Europë dhe Amerikë ishte spontane.

Fati i revistës qe i përcaktuar që nga fillimi i saj si një nisëm personale e pambështetur financiarisht apo në çfarëdo mënyre tjetër nga institucionet dhe donatorët. 36 nga 40 numra u mundësuan financiarisht nga botuesit, si dhe nga të ardhurat e shitjes së revistës. Në vetëm pak numra, revista mundi të sigurojë disa reklama, kryesisht në Kosovë. Gjatë gjithë ekzistencës, revista mori financime nga një fondacion i huaj për botimin e vetëm tre numrave, ndërsa botimi i një numri tjetër u mundësua nga një biznesmen.

Revista ARS instaloi kulturën e debatit në editorinë letrare shqiptare, duke organizuar 31 debate letrare, ku 252 autorë, përkthyes, botues e kritikë shqiptarë dhe të huaj nga tre kontinente (Europë, Amerikë dhe Azi), përballën pikëpamjet e tyre për një gamë të gjerë çështjesh që shqetësojnë komunitetin e shkrimtarëve jo vetëm në Shqipëri. Disa prej temave të trajtura ishin: përse shkruaj, revista letrare, shkrimtari dhe letërsia e angazhuar, letërsia dhe gratë, letërsia dhe kombi, letërsia dhe interneti, antologjitë letrare, autoriteti publik i shkrimtarit, ripozicionimi i autorëve ndaj veprës në realizmin socialist, çmimet letrare, shkrimtarët e rinj etj.

Pavarësisht pamundësisë financiare për të ofruar honorare, ARS ndërtoi një rrjet jashtëzakonisht të gjerë bashkëpunëtorësh shqiptarë dhe të huaj. Dëshmi e këtij rrjeti janë mbi 40 rubrikat e revistës, shumica prej të cilave ishin të përhershme, ndër më jetëgjatat e të cilave deri në 21 numra, janë: Editoriali (Lazër Stani, Irhan Jubica, Shqipëri), Premisa (Katerina Zucaro, Itali), Seriozisht (Ardian Marashi, Francë), Letra nga provinca (Ridvan Dibra, Shqipëri), Kohësi (Blendi Kraja, Kosovë), Arbërisht (Mario Bellizzi, Itali), Italianët (Martino Baldi, Itali); Qiell i përtejmë (Jozef Radi, Itali), Teatri (Jeton Neziraj, Kosovë), Hebraisht (Elisha Porat, Izrael), Poezi Gjermane (Ferdinand Laholli, Gjermani), Mbishkrim (Laura Shimili, Shqipëri), Borhes n’shqip (Astrit Cani, Itali), Miti dhe Letërsia (Brikena Smajli, Shqipëri), Hap n’hap me shkrimtarët amerikanë (Erica Weitzman, SHBA), Hispanoportugalisht (Ardian Muhaj, Portugali), Refuzim (Ardian Ndreca, Itali) etj.

Në total, rreth 2500 autorë, nga të cilët rreth 900 të huaj u përfshinë në faqet e revistës ARS përmes debateve, krijimtarisë, intervistave, përkthimeve, studimeve etj.

Në vitin 2003, dy përzgjedhje të kontributeve të këtyre autorëve u botuan në formën e antologjive: “Letërsia jashtë kopshteve tanë[4]”, ese të autorëve bashkëkohorë shqiptarë, përgatitur nga Gilmana Bushati dhe “Antologji e prozës bashkëkohore shqiptare[5]”, përgatitur nga Irhan Jubica. Më pas u botuan librat me poezi “Albagen” nga Blendi Kraja dhe “Provokim” nga Mentor Haliti; librat në prozë “Më përtej kohërave” nga Kasëm Trebeshina, “Ato letra i shkrova vetë” nga Hida Halimi, “Rrëfim për plakun e mirë dhe vajzën e bukur” nga Italo Svevo, përkthyer nga Ridvan Dibra; “Alfabeti i fshehtë” dhe “Ungjilli sipas djallit” nga Gazmend Krasniqi, “Kthina e çudirave” nga Teuta Dhimarko, si dhe studimet “Dy fytyrat e Islamit” e Stephen S. Schwartz, “Saussure” e Jonathan Culler dhe “Synor femne” nga Genevieve Vaughan, që të tre të përkthyera nga Blendi Kraja etj.

Thuuajse çdo numër i revistës shoqërohej me një suplement prej 4, 8, ose 12 faqe.

Fillimisht kushtuar autorëve të Ballkanit, e më pas të Mesdheut, shumica e 40 suplementeve ARSplus u përgatitën nga Gilmana Bushati[6] dhe Flori Slatina, ndërsa një pjesë tjetër u kushtohej dukurive letrare, teatrit e madje edhe krijuesve të rinj.

Revista mori pjesë në disa panaire kombëtare të librit, si në Tiranë, Prishtinë etj, ndërsa u prezantua si e tillë në aktivitete të organizuara për të në Itali, Amerikë etj. Dëshmi e komunikimit frekuent të revistës ARS dhe botës janë intervistat e shumta ekskluzive – për herë të parë në një media në gjuhën shqipe – të autorëve të njohur, si: Susanna Tamaro, Paolo Coelho, Mia Cuoto, Mohammed Bennis, Alice Notley, Julio Monteiro Martins, Dane Zajc, Laura Sims, Matvei Yankelevich, Ammiel Alcalay, Giuliano Ladolfi, Christian Zorka, Brian Kim Stefans etj. E tillë është edhe krijimtaria e autorëve të huaj bashkëkohorë, e sjellë ekskluzivisht për revistën ARS nga vetë autorët (ose përmes bartësve të të drejtave të botimit për rastet e autorëve të së kaluarës), si esesisti austriak Karl-Markus Gauß, apo autorët Bertholt Brecht, Rose Auslander, Dagmar Leupold, Luigi Manzi, Rosemarie Schulak, Erich Fried, Dominique Dolmieu, Wolfgang Windhausen, Goran Simic, Kristiane Allert-Wybranietz, Manfred Ach, Hans-Herbert Dreiske, Hans Kruppa etj.

Aktualisht, arkivi i gjithë kësaj pasurie të jashtëzakonshme të editorisë letrare shqiptare, është dixhitalizuar dhe mund të shfletohet online në adresën: www.issuu.com/arsalbania

Referime

Redakto
  1. ^ "Gazeta Tema". {{cite web}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  2. ^ "Sh.B. Buzuku". Wikipedia. 2017-11-25.
  3. ^ "Rilindja (OPGBG)". Wikipedia. 2014-04-30.
  4. ^ "Biblioteka Kombëtare e Shqipërise". {{cite web}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  5. ^ "Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë". {{cite web}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  6. ^ "Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë". Arkivuar nga origjinali më 22 janar 2020. Marrë më 8 tetor 2021. {{cite web}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)