Revista Pedagogjike (revistë)
Revistë tremujore në gjuhën shqipe. Shkencore e metodike, organ i Institutit të Studimeve Pedagogjike. Numri i parë doli në dhjetor 1945 me titullin "Shkolla e re", më pas ka ndërruar disa herë emërtimin dhe periodicitetin: "Arsimi" (1946), "Arsimi popullor" (1947-1953), "Arsimi dhe kultura popullore" (1954-1956), "Arsimi popullor" (1957-1971). Deri më 1969 ishte organ i Ministrisë së Arsimit, dhe Institutit të studimeve e botimeve shkollore, nga viti 1972 botohej me titullin "Revista Pedagogjike". Revista trajtonte probleme aktuale të edukimit komunist të brezit të ri, të revolucionarizimit të mëtejshëm të shkollës dhe të sistemit arsimor, të përmbajtjes së arsimit, të formave dhe metodave të mësimdhënies për të tre komponentët mësim-punë prodhuese, edukim fizik e ushtarak, të psikologjisë etj. Botonte materiale me karakter studimor eksperimental dhe nga historiku i shkollës e mendimit pedagogjik shqiptar. Rubrikat kryesore ishin: çështje të punës mësimore-edukative, çështje të psikologjisë, historia e shkollës dhe e mendimit pedagogjik, kritikë e bibliografi, jeta shkencore. Revista u drejtohet kryesisht mësuesve e pedagogëve.