“RINGJALLJA NË EPOSIN SHQIPTAR SI TRASHËGIMI UNGJILLORE”

- Për konferencën shkencore ndërkombëtare “Eposi i kreshnikëve - monument i trashëgimisë kulturore shqiptare” -

- Organizuar nga Instituti Albanologjik i Prishtinës dhe Qendra e Studimeve Albanologjike në Tiranë -

- Prishtinë 28-29 gusht 2010 -

Ermira Ymeraj Shkolla e Masterit, Universiteti i Shkodrës


Përmbledhje: Ringjallja është një prej motiveve me karakter parabiblik dhe biblik në eposin shqiptar dhe fondin e baladave. Në epos shfaqet në formën e vdekjes së përkohshme apo të pajetës së përkohshme. Heronjtë kulturorë të eposit ngrihen nga varri pas 100 vjetësh dhe u duket se kanë marrë një sy gjumë. Në fondin e baladave paraqitet një formë tjetër e ringjalljes, ajo e frymës humaniste. Në epos ka një formë të amshimit: heronjtë kulturorë, kur mbaron epoka e tyre, ndryshe prej eposit boshnjak, nuk vdesin e nuk varrosen, nuk kanë vende pelegrinazhi, por mbyllen në zgafellë. Kjo është koha e mbarimit të epokës së kalorësisë dhe e shfaqjes së armës vrastare në largësi. Ky problem shihet në rrafsh krahasues me motivin biblik, me ëndrrën e njeriut për përjetësi, me konceptin e përjetësisë si mallkim, me konceptin ungjillor të amshimit, me ringjalljen laike në letërsitë humaniste dhe me konceptin mitologjik për pavdekshmërinë e heroit, duke specifikuar konceptin e vdekjes së përkohshme, apo të ndërprerjes së përkohshme të jetës, në formën e vdekjes fiction, në epet “Muji mas deket“ dhe “Halili mas deket“.

Fjalë çelësa: ëndrra e njeriut për përjetësi, përjetësia si dënim, ringjallja parabiblike dhe biblike, ringjallja ungjillore, amshimi, ringjallja laike e letërsive europiane, vdekja e përkohshme në epos apo jeta e ndërprerë përkohësisht, mbyllja e kreshnikëve në zgafellë, përjetësia artistike e heronjve, eposi i shqiptarëve, baladat.


Ringjallja është një dilemë tronditëse e gjithë shekujve. Besimi ne ringjallje si mitologji me fuqi shprehëse të lartë ka qenë njëkohësisht një përpjekje filozofike për të tronditur idhujtarinë në çfarëdo forme, qoftë duke përfshirë dhe vetë mitologjinë biblike, duke qenë se në bazë të Shkrimeve kanonike biblike nuk mund të kishte ringjallje tjetër pas Mësisë dhe ringjalljes së përgjithshme. Njeriu me vetëdije besimi monoteist ishte lindur për të bërë jetë të zakonshme tokësore, për të shkuar pastaj në botën e të shumtëve pa emra, pa histori, bujë e lavdi. Mirëpo ajo që i takon si ekskluzivitet botës hyjnore, përmes artit laik, përmes epikës legjendare dhe baladave, u bë dhe atribut i njeriut tokësor. Me ringjalljen bota shqiptare dhe ajo botërore lartësohen deri tek e vërteta ungjillore, si thelb i të vërtetave universale. Ngritja e të vdekurit nga varri dhe kthimi në botën e të gjalleve për të përmbushur një mision të përkryer, për të hyjnizuar një virtyt tradicional etnoveçues, që madhështon nderin fisnik të shqiptarit “mostrandjen e varrit“, shpreh cilësi të larta të etnotipit shqiptar. “Ndëshkimi pas vdekjes“ është një motiv i lashtë në shumë letërsi: Hektori tërhiqet zvarrë te Iliada dhe dënohet nga Akili të qendrojë mbi dhe, rrahja e varrit të Halilit nga Harambashi dhe e Mujit nga bajlozi i detit në ciklin shqiptar sjell kultin e varrit, shenjtërimin e “tokës vakëf“. Këto janë dëshmi të pranisë së mitit të ringjalljes, si dëshmi e fuqisë së njeriut për të ruajtur shpërbërjen morale. Bota shqiptare dhe mendësia e gjithëhershme kryengritëse e Njeriut në raport me vdekjen, kishte kohë që nxirrte Mesi, si thirrje të fuqishme kundër erozioneve dhe shpërbërjes. Para se të ishte ringjallja ishte të kuptuarit e ndërmjetëm jetë -vdekje. Kur njeriu kuptoi se ishte i përkohshëm në tokë, filloi të mendonte për botën tjetër dhe rikthimin. Epi i Gilgameshit i kushtohet tmerrit të vdekjes dhe fatit tragjik të njeriut. Vdekja përmbyll fatin e çdo qenie të gjallë, por njeriu e përjeton në mënyra të ndryshme. Gilgameshi nuk kishte kuptuar sa duhet për kuptimsinë e jetës dhe vdekjes, vdekja e Enkidujit e vetëdijëson e bën të ndërrojë qëndrim ndaj jetës dhe të vihet në kërkim të jetës së amshuar, por dhe pse vdekjen e përjetojnë si ëndërr Gilgameshin e gjen fati tragjik i njeriut. Por kur njeriu nisi ta shohë veten të ndarë prej hyjve dhe tentoi të kishte përjetësi, përjetësia iu kthye në një mallkim: “Mos vdeksh kurrë!“ është mallkimi i Torah-ut eposin hebraik, ku njeriu i ankohet hyut që e bëri jetën të përkohshme, duke e bërë atë të endet si çifuti në shkretëtirë, motiv i cili gjendet dhe në vepren e M. Kutelit “E madhe është gjëma e mëkatit“. Rapsoditë “Muji mbas deket“, “Muji nën dhe“, “Halili mbas deket“, kanë një bërthamë poetike, prej së ciles merr jetë epika legjendare dhe një peshë ideoemocionale, fuqi rrëmbyese që të trondit në gjithë ciklin e saj të lindjes - vetërritjes - shuarjes. Në fillesën e vet gjenetike dhe bërthamën poetike, qendron në potencë natyra e karakteri i papërsëritshëm etnopsikologjik i popullit që e krijoi, si shprehje e jetës dhe e ndërgjegjes së tij. Pavarësisht se ku është marrë motivi që i dha jetë këtyre figurave legjendare, e rendësishme është vërtetësia artistike e fjalës së krijuar nga mendësia autoktone, si produkt i vlimeve të mëdha në jetën e ketij populli, ku vula shqiptare nuk është instiktive, por pasqyrë e një shoqërie etnike me lëndën e vet poetike-etnografike-psikologjike. Epoka e kreshnikëve përcjell një lloj simbiozë mitologjike të formuar nga ndikime të ndërsjella të mitologjisë së lashtë primitive, që mbijetuan në formën e besimeve pagane te çdo popull. Heroi nis e jeton në këtë botë gjysmëfantastike edhe pse shpirtërisht ai është i kthjellët ,i ekuilibruar ,sepse ndërmjet tij dhe gjithçkaje që e rrethon nuk ka asgjë të pazgjidhshme, sepse ëndrra e njeriut për përjetësi është në gjellën e çdo epopeje. Koha pagane hyri në mënyrë alegorike në epos dhe u shfrytëzua për të dhënë konceptin e ringjalljes, jo si realitet besimi, por si realitet estetik, që ndodhi në klimën e Shën Njeriut, që e krijoi Resenanca, e cila në fakt e çliroi njeriun prej asketizmit dhe refuzimit të jetës. Tre kulmet e ringjalljes: si triumf i krishterimit, si premtim i amshimit, dhe ringjallja në epokën e humanizmit, kanë ngjashmëri me ringjalljen në epos, ku kreshnikët përjetojnë vdekje të përkohshme, ngrihen nga varri për të marrë hak. Kreshnikët vendosin vetë të ndërrojnë jetë: “Tash un po due jetë me ndrrue“; vriten dhe vdesin, dhe kur ngrihen mbas 100 vjetesh, e sheh barin kah rritet, i duket sikur ka ba nji sy gjumë, përjetësia nuk është një ënderr. Pavarësisht se nga ç’faktorë kushtëzohet e nxitet kjo ringjallje, ajo realizohet dhe tenton ekzistencën e jetës së përtejme, si pasqyrë e besimit popullor te bota tjetër: I mrekulli zoti ka ba /Prej vorrit Halili ka dalë /Edhe Mujes vorrin ia ka zblue/ kambëkryq Mujin ma ka gjetë! /Doren Mujit Halili ia ka dhanë /e prej vorrit Mujin ma ka qite /e n’gjog t’vet Mujin m’a ka hip /shnosh e mirë n’Jutbinë me te ka ra /shumë trimni bashkë prap qi i kan ba. Gjithçka përthyhet nëpërmjet prizmit epik, e ruan përmasat epike edhe kur koha e tyre mbaron dhe malësitë shqiptare “nuk i nxenë ma“ ata futen në zgafella dhe që andej bëjnë jetë tjetër, duke e parë këtë botë si të huaj, kjo është një prej epërsive më të rëndësishme artistike të figurave të eposit tonë ndaj homonimeve të epit boshnjak, ku dy heronjtë kanë varr, përkundër mbylljes së heronjëve tanë në shpellë, si mohim i vdekjes. Tragjikja e ardhjes së njeriut nga bota tjetër merr ngjyrime pikëlluese të një kohe të largët, ku motivi i “dhunimit të varrit“ të heroit të vdekur prej një armiku të egër të cilët kërkojnë ndeshjen në pozita të pabarabarta: “i gjalli i kërkon mejdan të vdekurit“ bën që të zgjohet vigjilja kanunore e mendësisë së lashtë, të nderohet dhe të respektohet vdekja. Halili hap varrin e të vëllait të vdekur , me këtë akt ai shkon përtej vdekjes: si një dukuri që ka paralelet e veta dhe në eposet e tjera. Kalimi i njeriut në botën tjetër, është një ëndërr kryengritëse e përhershme e njeriut: Udhëtimi i Odiseut në Hadin homerik për të zbuluar të ardhmen e vet, udhëtimi i Eneut ne ferrin Virgjilian, udhëtimi i Dantes në ferr, nën udhëheqjen e dijes virgjiliane, për të dënuar pa dallim të gjithë mëkatarët, udhëtimi i Gilgameshit për të zbuluar përjetësinë janë shembuj të mëndësisë botërore, por veprimi i Halilit, i cili merr të vëllanë e vdekur dhe e sjell në botën e të gjallëve, i realizuar me një fuqi poetike të rrallë, mveshur me elemente imagjinativë, sjell një mesazh të fuqishëm të kësaj ringjallje: përballimi i tragjizmit të jetës, duke njehsuar në mënyrë autoktone kufinjtë e reales me irealen, të jetës me vdekjen. Vdekja e Mujit si cikël natyror dhe ringjallja e tij përmes zanave ndodh për shkak të dëshirës së përhershme të njeriut për t’u matur me misterin e botes së përtejme. Mendësia estetike e artistike e eposit bën që me ngjalljen e Mujit dhe të Halilit të sintetizohet brenda vetes e vërteta e ringjalljes laike pa mistifikuar realitetin jetësor, e ngjashme me atë ungjillore. Ajo vjen në emër të jetës, mbrojtjes sakrale të së drejtës të mos dhunimi të varrit. Është pikërisht kjo njohje e këtij fondi mitologjik e parabiblik si formë klasike e modelimit të hershëm, që krijon lidhje ngjashmërie të eposit me letërsitë biblike dhe ato antike. Këto bashkëpërkime motivesh ndërtojnë marrëdhëniet e këtyre botëve në hapësirë dhe kohë dhe na japin mundësi për ta parë zhvillimin e kulturës shqiptare si kulturë e mëvetësishme në këtë zhvillim enciklopedik të kulturave në hapësira të ndryshme territoriale. Te Homeri konceptimi antropomorf i hyjnive arriti pjekurinë e vet, perënditë u ngjasojnë njerëzve me një superioritet për nga fuqia, rinia e përjetesia. Duke krijuar heroin me pikë të dobët, si shprehje e shpresës së njeriut për të qenë i mbrojtur nga vdekja, mitologjia antike krijoi qenie gjysmë-hyj gjysmë-njerëz. Thembra e Akilit është shëmbëllyer dhe në epose e figura si Samsoni, që pikën e dobët e kishtë tek flokët në Torah-un e hebrenjve, kreshniku serb Ilia në krifën e gjogut, Muji që e merr fuqinë prej zanave shqiptare përbën motivin burimor të dyfishtë, mitologjik dhe biblik, se kryqëzon fuqinë e madhe me dobësinë e vogël, duke bërë që heronjtë si të mbinatyrshëm të qëndrojnë në këtë botë. Falë kultit të heronjëve të tillë të cilët u ngritën pas vdekjes në rangun e gjysmëperëndive, mendësia antike nisi të besonte te një jetë pastokësore ,duke hedhur pas krahëve konceptin e Hadit Homerik, ku të vdekurit nuk ishin veçse hije të pikëlluara . Ringjallja jeta pas vdekjes shprehet në forma të ndryshme. Heroi shqiptar Milosh Kobiliq paraqitet duke udhëtuar me kokën e prerë nën sqetull. Pamja e njeriut të vrarë që bisedon me vetveten, nga përtejjeta, është mahnitëse, sa verbon udhëtarët që e shohin, edhe pse vetë është ndarë prej kësaj bote. Motivi i kokës së prerë që jep e merr mesazhe nga bota tjetër është ballkanizuar në një shkallë të gjërë, ai bredh me kokën e prerë nën sqetull dhe nuk është shenjtor. Kjo rendje tragjike e dramatike është në emër të shpëtimit të luftës së nisur. Ky hero as i gjallë e as i vdekur nuk ka asgjë më pak se Hamleti, që gjykon fatin e botës me kafkën e të atit në duar. Ne epikën historike kufiri midis jetës dhe vdekjes është i përcaktuar rreptë, kurse në epos jo. Ritmi i lëvizjes së kohës është dëshmi e legjendariteti të mitit dhe shprehje e një mendësie autoktone. Veprimet e kreshnikëve kryhen në një vetë të së shkuarës së largët dhe të papërcaktuar; eposi evokon nje realitet tjetër sipëror. Sipas këtij përfytyrimi koha e kreshnikëve s’i bindet kohës njerëzore: Muji mban inatin 700 vjet, si Danhaku që sundon 1000 vjet, duke bërë që gjithçka të përthyhet sipas një prizmi epik dhe duke ruajtur përmasat epike të një kalendari hyjnor. Ringjallja në eposin e kreshnikeve është jokishtare, është e ngjashme me ungjilloren, por edhe nje blasfemi, një herezi, sepse njeriu u barazua me atë që e kishte përjashtimisht atribut ringjalljen, me Krishtin. Pikërisht ky është heroizmi kulturor i humanizmit europian, në radhë të parë i luterianizmit dhe i kalvinizmit, pastaj dhe i krishtërimit kanonik vete. ,kthehet të ringjallet ,të trondisë botën me kurajon të bëjë diçka që vetëm zoti mund ta bënte dhe vetëm njëherë me ngjalljen e Birit të vet,Konstandini si një i rilindur e njeriu i parë i Renesancës shqiptare, është termet i vërtetë për botën e mesjetës dhe shpërthim humanist i shkëlqyer.Prania e gjithë këtyre fakteve të ringjalljes në epos janë dëshmi hershmërie dhe një fakt i padiskutueshëm i karakterit paraosman ,sepse në këtë motiv rrjedh bota psikologjike e popullit shqiptar ,vetitë e tij morale ,doket ,zakonet me elemente integrale, sipas modeleve antike ,mbështetur në dijen e një kohe të largët ,lejon të kuptosh burimin dhe autenticitetin etnik ,kjo dhe në sajë të seriozitetit të studimeve shkencore që mëndjet e albanologëvë të huaj dhe vendas ,provuan për këtë epope të madhe orale .me një të kaluar etnike ku ruhet ndërgjegjja dhe kujtesa e nje bashkësie ,ngërthen kultin e të parëve të fisit ,ku himnizon bëmat e heronjëve të vet duke i legjendarizuar si MITE.


BIBLIOGRAFI

1. FIRDEUSIU, SHAH NAME, përkthim i Vexhi Buhara Tiranë , 2010 ,fq 47 2. Sinani Shaban , Mitologji në eposin e kreshnikëve , Studim monografik , fq 213 3. Po aty, fq 224 -225 4. Po aty, fq 230 5. “Visarët e kombit“ ,vëllimi i dytë , kënga „Muji mbas deket“ ,Botime franceskane Shkodër 2001, fq 234. 6. Po aty “Halili mbas deket“ , fq 237 7. Homeri “Odisea“ përkthim i Spiro Çomora, kenga XI 8. Homeri,“Iliada“ përkthim i Gjon Sllakut , kënga e XXIII. 9. „Epi i Gilgameshit“, përkthim i Anton Berishës , kënga e III,VI,VIII . 10. Balada popullore shqiptare, “Kënga e Dhoqinës“, Tirane , 1982 ,fq32 11. Po aty “Kostandini i vogël“, fq 35 12. Po aty “Kostandini e Garentina“,fq 27 13. Fjalor i mitologjisë klasike , përkthim i Ardian Dokes