Shaban Vani u lind në Dibër të Madhe, më 15 janar të vitit 1930. Në Tiranë u vendos në vitin 1941 ku kreu arsimin e mesëm pedagogjik. Studimet e larta për jurisprudencë i bëri në Universitetin "Lomonosov" të Moskës ku përfundoi me vlerësime të larta studimet e drejtësisë. Ndërkohë, përgjatë tre viteve ndoqi edhe kurse të historisë së muzikës që e kishte pasion. Pas kthimit në atdhe më 1956, ai refuzoi të punojë një ditë të vetme në drejtësi dhe punoi si gazetar në Gazeta "Puna", Revista "Hosteni" dhe Revista "Shqipëria e Re", deri më 1990, kur doli në pension.

Shaban Vani
Lindi15 janar 1930
Vdiq14 janar 2015
KombësiaShqiptar
ProfesioniJurist, gazetar

Gjatë gjithë jetës Shabani shkroi me pasion në gjini të ndryshme. Më 1977 dha ndihmesën në përgatitjen për shtyp të librit "Moxarti", dy vjet më vonë botoi librin "Kur dëgjojmë operën", më 1996 vëllimin humoristik "1001 të qeshura”, më pas "11 varre për teto Flavian" në 1998, “Njerëz të shquar në anekdota" në vitin 2000 dhe "Mendime fluturake" gjithashtu në vitin 2000.

Shabani është autor i një fjalori enciklopedik muzikor mjaft voluminoz, puna për të cilin i ka marrë rreth 20 vite, vepër që fatkeqësisht ka mbetur ende e pa botuar.

U nda nga jeta në Tiranë14 janar 2015 një ditë para 85 vjetorit të lindjes.