Shampanja
Fillimet e historisë së shampanjës
RedaktoHapat e parë të zhvillimit të shampanjës nisin me pushtimin e Galicisë prej romakëve. Romakët sollën në rajonin e Shampanjës (Champagners) jo vetëm rrushin dhe verën, por krijuan me urbanistikën e tyre edhe një produkt rasti, qilarin e parë të madh të verës.
"Për të ndërtuar në shekullin IV këtë qytet, pra kryeqytetin e provincës romake të Belgjikës, të cilën e quanin Durocortorum, duheshin gurë. Për këtë duhej rrëmuar nëntoka, sepse i gjithë territori është terren gëlqeror", - shpjegon Jean-Pierre Redon nga kantina e shampanjës “Taittinger”.
Durocortorum romak është sot qyteti Reims, nëntokën gëlqerore të të cilit romakët e gërmuan si një djathë zviceran. Megjithatë, ideja për t'i përdorur këto shpella si qilarë vere, lindi 700 vjet më vonë. "Ishin murgjit e Mesjetës, benediktinët, ata që si të thuash i vunë në përdorim shpellat gëlqerore. Ata i përdorën dhe i zgjeruan ato duke krijuar edhe rrugë lidhëse midis shpellave të veçanta", - sqaron Jean-Pierre Redon.
Shampanja është krijuar vetvetiu
RedaktoNë shekullin e 16-të dhe 17-të vera e Shampanjës ishte e njohur edhe në oborrin mbretëror francez. Por, asokohe ajo ende nuk ishte shkumëzuese. Shampanja ishte një verë pa gaz, ashtu si gjithë të tjerat. Sipas legjendës, thuhet se ai që ka shpikur shampanjën, ishte murgu benediktin Dom Perignon, i cili punonte rreth vitit 1668 si mjeshtër i kantinës në abacinë Hautvillers.
Por e vërteta nuk është krejtësisht kështu, mendon shoqëruesja e turistëve, Aline Milley: "Dom Perignon është një mit. Ne nuk kemi dokumente me shkrim, që të vërtetojnë se ai e ka shpikur shampanjën. Por ajo që dimë mirë, është se ai është i pari që ka përdorur teknikën e përzierjes. Shampanja nuk ka një origjinë të qartë dhe as shpikës. Shampanja është krijuar vetvetiu". Ajo që Dom Perignon përziente nga fuçitë e depove të ndryshme, ishte gjithmonë më e mirë se vera origjinale, por megjithatë ajo as në kohën e tij nuk ishte shkumëzuese. Përveç kësaj, ai zbuloi se si nga rrushi i kuq mund të prodhohej vera e bardhë, duke i veçuar shpejt lëkurët e kuqe të rrushit nga lëngu.
Deri në shekullin e 18-të procesi i shkumëzimit të verës nuk ishte vënë re. Pozicioni verior i Shampanjës kushtëzon fillimin e shpejtë të të ftohtit në vjeshtë. Kjo bën që fermentimi shpesh të ndërpritet përpara se të jetë shndërruar në alkool e gjithë glukoza e rrushit. Në pranverë, kur temperatura rritet sërish, fillon fermentimi dhe krijohet gazi që e bën verën të shkumëzojë. Por deri në shekullin e 18-të kjo nuk u vu re, sepse vera depozitohej nëpër fuçi dhe gazi me kalimin e kohës dilte. Pas kësaj nisi periudha e shampanjës në shishe, e cila mori nxitje veçanërisht pasi mbreti Luigj i 15-të i Francës lejoi për herë të parë në vitin 1728 transportimin e shampanjës në shishe.
Përmbajtja e lartë e gazit të shampanjës në shishet e asaj kohe kishte shpesh efekt shkatërrues dhe u krijonte probleme të mëdha tregtarëve. Edhe në mesin e shekullit të 19-të ndodhte që një prodhues të humbiste gati 50% të prodhimit të shampanjës së tij, sepse shishet nuk i bënin dot ballë fuqisë së gazit dhe shpërthenin. Anglezët ishin preferues të mëdhenj të verës pa gaz të Shampanjës qysh në shekullin e 18-të. Për këtë në Angli sollën shumë shpejt xhiro të mëdha shitjeje edhe shishet e shampanjës me gaz.
Madame Barbe-Nicole Cliquot-Ponsardin dhe zgjidhja e problemit
RedaktoPas kësaj, erdhi Madame Barbe-Nicole Cliquot-Ponsardin, një sipërmarrëse me vizion. Kjo zonjë i dhuroi emrin e saj edhe kësaj marke nobël. Mjeshtri gjerman i kantinës së saj, Anton von Müller, shpiku në vitin 1813 pultin për përzierjen në shishe, prej nga vera me shkumë u bë edhe më e kthjellët. Ky ishte një avantazh i madh për shitjen. Xhiroja u rrit. Nga disa qindra mijë shishe të shitura në vitin 1785, në vitin 1845 u shitën 6,5 milionë të tilla. Sot numri i shitjeve është shumëfishuar. Sasia më e madhe e shampanjës pihet në fund të vitit. 65% e të gjitha shisheve të shampanjës hapen në periudhën mes Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri. Në 2008-n Shampanja prodhoi gjithsej 300 milionë shishe. Kjo do të thotë që dy të tretat e këtyre 300 milionë shisheve janë pirë brenda një jave.