Shekulli i Voskopojës : (1669-1769)
Shekulli i Voskopojës : (1669-1769) me Autor Pëllumb Xhufi. Shtëpia Botuese "Toena"; Akademia e Shkencave, Tiranë, 2010. Faqet e librit 462.
Rasti i Voskopojës është projektuar në një kuadër shumë më të gjerë, në lidhjet e saj të shumëllojshme me mjedisin e afërt e të largët gjeografik e shoqëror, të bindur se asnjë përfundim nuk do të mund të ishte i saktë dhe i drejtë, pa marrë në konsideratë dimensionin krahinor, shqiptar, ballkanik e evropian të këtij qyteti prodige. Por, më shumë se një paragjykim, një trajtim i tillë i historisë, si rezultante e ndërvarësisë dhe e një bashkëveprimi shumëfaktorial, në të vërtetë përbën një ligj e një normë të historiografisë moderne. Ky studim mbështetet kryekëput në shfrytëzimin e vlerësimin e një dokumentacioni historik mjaft të gjerë, si dhe në ballafaqimin kritik me literaturën historike deri tani të prodhuar mbi çështje të veçanta për historinë e Voskopojës. Nëse do të duhej të flisnim për ndonjë paragjykim (paragjykimet gjarpërojnë shpesh, qoftë edhe në formë të fshehtë, në shumë vepra historike), paragjykimi do të ishte thjesht metodologjik: është refuzuar trajtimi i Voskopojës si një "ishull", i palidhur e i pangjizur me mjedisin përreth, siç kanë bërë deri tani, shumë nga autorët grekë e rumunë që janë marrë me historinë e saj.