Gazeta e parë që doli në gjuhën shqipe në vilajetin e Kosovës ishte “Shkupi”, e botuar më 29 gusht 1911, e cila konsiderohej edhe si botim i parë periodik në gjuhën shqipe në Kosovë. Në të do të botohen materiale të shumta me tematikë politike, shoqërore, kulturore dhe letrare. Kjo gazetë njëherë ishte edhe organ kombëtar politik e demokratik i Vilajetit të Kosovës. Gazeta që doli në gjuhën shqipe e turqishte, u vu në shërbim të aspiratave demokratike të Lëvizjes Kombëtare për autonomi politike dhe për çlirimin e plotë nga zgjedha pesëqind vjeçare e shtetit osman. Meritë të jashtëzakonshme, kjo gazetë ka dhe për faktin se edhe materialet e karakterit letrar, kishin karakter arsimor dhe kishin përmbajtje demokratike- patriotike, prandaj autorët e këtyre shkrimeve për arsye të caktuara të ndëshkimit eventual nënshkruheshin me pseudonime.

“Shkupi” gazetë në gjuhën shqipe

Edhe pse gazeta "Shkupi" ishte mjaft jetëshkurtër, vetëm 34 numra (29 gusht 2011 - 3 tetor 1912) ajo ka një rëndësi të veçantë. Vetë rrethanat historike janë ato që e bëjnë këtë gazetë të veçantë dhe të rëndësishme. Janë vitet e fundit të Perandorisë Osmane dhe vitet kur Ballkani gjendej në një udhëkryq. Botimi i gazetës "Shkupi" duhej të vetëdijësonte masën dhe të shmangte rrezikun e shkombëtarizimit. Lëvizja Kombëtare Shqiptare shtroi para vetes detyra të rëndësishme që nëpërmjet hapjes së shkollave dhe botimit të një gazete në gjuhën shqipe në kryeqendrën e Vilajetit të Kosovës, në Shkup, t’i rezistonte këtyre synimeve.

Kjo gazetë është e rëndësishme nga disa aspekte. Së pari aspekti gjeopolitik i tokave shqiptare, sepse doli në Shkup dhe mban emrin e këtij qyteti, duke e bërë atë një nga qendrat më të rëndësishme. Së dyti gazetaria shqiptare në këto troje nuk mbeti prapa gazetarisë së shteteve fqinje dhe e treta është e rëndësishme për mendimin politik autentik shqiptar.