Shoqëria "Vëllazëria Shqiptare" në Egjipt
Shoqëria "Vëllazëria Shqiptare" në Egjipt në rregulloren e saj mban datën e themelimit 1 maj 1894, në Beni-Suef. Kryetar i kësaj shoqërie ishte zgjedhur I. A. Bakllava, nënkryetar N. Dhuci, arkëtar Marko M. Marku, sekretar K. E. Mitko dhe anëtarë të tjerë të Këshillit drejtues ishin M. Dhimitriu, X. Vito, P. E. Plluska. Qëllimet kryesore të kësaj shoqate ishin të ndihmonin shqiptarët në Egjipt dhe në Shqipëri, për ruajtjen e traditave kulturore kombëtar dhe gjuhën shqipe. Anëtarë i kësaj shoqate mund të bëhej çdo shqiptar i lindur në Egjipt dhe jashtë tij, pa dallim feje dhe krahine. Duke bërë një kërkesë që ia dorëzonin kryetarit dhe 20 franga me dy këste. Po të refuzohej anëtarësimi kërkuesi nuk kishte të drejtë të kërkonte arsyet e refuzimit të kërkesës. Anëtarët rregullisht duhet të paguanin 10 franga në vit kuotën e anëtarësimit. Shoqëria pranonte dhe dhurata në të holla, të cilat pranoheshin me një kërkesë nga dhuruesi dhe me argumentet se si duhet të përdoreshin këto të holla. Shoqëria ishte jo politike dhe punonte që shqiptarët të kishin vendin që u takonte në Egjipt si një diasporë e madhe që ishin.