Shpella e Nezirit ndodhet rreth 800 m në verilindje të shpellës së Blazit në zonën e Matit. Gërmimet janë bërë më 1979-1981. Vendbanimi ka pasur një jetë mjaft të gjallë, që vërtetohet nga trashësia e shtresës kulturore deri në 4 m dhe horizontet e shumta të banimit. Janë përcaktuar tre periudha: eneoliti, bronzi i hershëm dhe bronzi i mesëm. Karakteristike për eneolitin është qeramika njëngjyrëshe gri në të zezë, e ngjashme me qeramikën eneolitike të Maliqit. Për periudhën e bronzit të hershëm tipike është qeramika shiritore dhe ajo pseudobarbotine. Qeramika e bronzit të mesëm është punuar më me kujdes, paraqitet e thjeshtë, por më e larmishme nga format.