Shqipëria dhe çështja shqiptare pas Luftës së Parë Botërore
Shqipëria dhe çështja shqiptare pas Luftës së Parë Botërore Gjinia: Histori. Autori: Romeo Gurakuqi. Shtëpia botuese: "UET Press". Viti: 2013. Faqet e librit 320.
Koment nga autori
Ky punim është një përpjekje për të trajtuar historinë politike të Shqipërisë në një hark kohor që përfshin periudhën nga përfundimi i Luftës së Parë Botërore deri në përcaktimin e statusit ndërkombëtar të këtij shteti dhe kufijve të tij, më 9 nëntor 1921. Përveç historisë politike, monografia merret gjerësisht me trajtimin diplomatik të Çështjes Shqiptare pas Luftës së Parë Botërore, gjegjësisht në Konferencën e Paqes së Parisit dhe në Konferencën e Ambasadorëve që e pasoi atë, deri në zgjidhjen përfundimtare në parim të çështjes së statusit dhe kufijve, më 9 nëntor 1921.
Punimi është mbështetur mbi një bazë të gjerë dokumentare që vjen nga Public Record Office, fondet e Foreign Office, nga dokumentet dorëshkrimore që ruhen në Biblioteken e London School of Economics and Political Science, nga dokumentet e botuara të Arkivit Qendror të Shtetit të Republikës së Shqipërisë dhe një numër burimesh të tjera burimesh arkivore të botuara, italiane, britanike dhe amerikane, që autori ka pasur mundësinë t'i hulumtojë gjatë punës studimore. Pra, bëhet fjalë për më shumë se tre vjet histori politike, diplomatike dhe në një masë më të kufizuar, sociale, kulturore, të Shqipërisë dhe çështjes së saj.
Vendin kryesor në libër e zë trajtimi i çështjes shqiptare në Konferencën e Paqes së Parisit. Në fakt, Çështja Shqiptare u trajtua në këtë hark kohor trevjeçar në tri instanca ndërkombëtare, me radhë dhe paralelisht: në Konferencën e Paqes së Parisit, në Lidhjen e Kombeve dhe në Konferencën e Ambasadorëve. Çdo trajtim paralel apo vijues i çështjes shqiptare, ka qenë i lidhur dhe i kushtëzuar nga vendimet themelore të paqebërësve të mbledhur në Konferencën e Paqes së Parisit më 1919.
Vetë këto instanca madje ishin ngritur nga forumi më i lartë i Konferencës së Paqes, nga Këshilli Suprem, dhe qenë të ngarkuara për t'u dhënë zgjidhje çështjeve të veçanta që kishte ngritur lufta, mes të cilave edhe çështjes shqiptare.