Shqipëria e ribashkuar qetëson Ballkanin
Shqipëria e ribashkuar qetëson Ballkanin vëllimi i parë, libër me Autor prof.dr Mehdi Hyseni. Libri është botuar nën kujdesin e Institutit të Prognozave Politike Rajonale në Tiranë, me parathënie te Dr. Koço Danaj. Libri ka 396 faqe.
Në parathënien e shkruar nga Koço Danaj thuhet se:
Nuk e kam gjetur rastësisht titullin në formë pohimi të parathënies që vendosa të bëj për librin e Politologut të shquar shqiptar Mehdi Hyseni. Bëhet fjalë për një libër politik, të mirëfilltë. Por me përmbajtje shqiptare të pastër si akulli. Me llogjikë të ftohtë prej studjuesi dhe me argumente prej shkencëtari. Ky është libri i Mehdi Hysenit me titull: Shqipëria e ribashkuar qetëson Ballkanin. Ka qënë e vështirë për mua të përzgjedh materialin e këtij libri. Pasi kam pasur në dispozicion një mori analizash, për të cilat nuk mund të konkludoj se këtë po e lë, pasi qëndron më poshtë se shoqet e saj. Prandaj edhe në fund vendosa, të bëj një përzgjedhje rastësore. Nga afër njëmijë faqe, përzgjodha vetëm 350 faqe analiza mbi Ballkanin dhe për Ballkanin, mbi shqiptarët dhe për shqiptarët.
Por çfarë janë ato, cili është thelbi i tyre. Eshtë shqiptarizmi. I Plotë, i hapur, i qartë, i padebatueshëm. Por nuk është një shqiptarizëm folkpatriotik, të cilin e ndeshim mjaft herë kohet e fundit. Eshtë një shqiptarizëm real, i bazuar në fakte, i nënshtruar një analize te plotë dhe të hollësishme. Unë do ta quaja nje shqiptarizëm i bukur.
Tek Mehdi Hyseni dhe analizat e tij ka shumë për të thënë. E, në një parathënie, nuk i thua dot të gjitha. Por janë disa që medoemos duhet t'i evidentosh.
I nderuar lexues, pasi të lexosh Mehdi Hysenin, mendo për një çast që autori nuk jeton as në Prishtinë dhe as në Tiranë, por larg, shumë larg. Jeton në SHBA. Dhe nëqoftëse e njeh letërsinë e atyre që jetojnë larg atdheut, pra letërsinë e mërgimit nuk mund të mos vësh re ose doza të theksuara folklorizmi patriotik apo doza të një nacionalizmi të sëmurë. Kur të lexosh këtë libër, do të shikosh se Mehdiu nuk bën pjesë në këtë kategori. Ai është i ftohtë në analizë. Por është i ftohtë edhe kur nxehet me të drejtë. Prandaj duhet lexuar analiza e tij. Analiza e tij nuk atakon popullin serb, malazez apo maqedonas, jo, përkundrazi, ai i respekton ata. Analiza e tij atakon shovinizmin e të gjitha ngjyrave, që janë shfaqur dhe vazhdojnë të shfaqen mbi paqen ballkanike dhe në kurriz të kombit shqiptar. Dhe këtu qëndron një tjetër meritë e librit të tij; largësia nga atdheu, atë e ndihmon të jetë më i kthjellët, më i pastër dhe më i qartë në ato që thotë. Ne që jemi në mesin e ciklonit, nuk i shohim dot të gjitha, ata që janë më larg, shikojnë më mirë edhe të mirat, por edhe rreziqet.
Në një parathënie mund të thuhet shumë. Por Mehdiu ka folur shumë më shumë.
Unë që u mora me përzgjedhjen e analizave disavolumshe të tij, mund t'i them pa mëdyshje lexuesit shqiptar: Ky libër duhet lexuar!