"Shqipëria pas rënies së komunizmit" libër me Autor Clarisa De Waal. Shqipëroi Jorgji Qirjako. Shtëpia botuese "AIIS", viti i botimit 2009. Faqet e librit 410. ISBN 978-99956-736-6-6


Ndërsa emigracioni vazhdonte të ishte burimi kryesor për krijimin e të ardhurave, reagimi negativ fillestar filloi gradualisht të zëvendësohej nga një përgjigje popullore shumë më konstruktive për ndryshime... duke kuptuar se për të ecur përpara 'ne duhet të mbështetemi te vetja se sa të presim të veprojë qeveria'. Kjo pjesërisht ishte rezultat i rritjes së vetëdijes se nuk mund të varje shpresat te shteti që ishte shumë i dobët. Fjalët dëshpëruese 's'ka shtet, s'ka ligj' dëgjoheshin gjithnjë e më shumë nga 1993 e në vazhdim, ndërsa gabimet nëpër gjykata shtoheshin dhe boshllëqet e sistemit ligjor mbështeteshin të paplotësuara. Padyshim që përvoja e dorës së fortë në regjimin e mëparshëm e thellonte mendimin e publikut për dobësinë e qeverive të tyre postkomuniste. Por siç vë në dukje Hobsbaum në fund të viteve '90, në një diskutim mbi të ardhmen e shtetit si institucion: "Çështja se në çfarë shkalle ne mund të diskutojmë sot për shtetin funksionues në Shqipëri nuk është e qartë. Kontrasti është befasues sepse, duam apo 'sduam ne, në Shqipëri kishte një shtet deri sa vdiq komunizmi."