Shutrria

një burim ujë nëntokësor i fuqishëm që ndodhet midis Kurbneshit dhe Mërkurthit

Shutrria (Shutrreja) është një burim ujë nëntokësor i fuqishëm që ndodhet midis Kurbneshit dhe Mërkurthit, në Grykën e Selitës rreth 20 m mbi lumin e Urakës, në anën e malit të Mullit. Në sipërfaqe të tokës është një pus i thellë rreth 30 m, i cili të mundëson uljen në gropën nga kalon uji me shushurimën e tij të përjetshme. Lumi i nëndheshëm sjell prurje të konsiderueshme. Hamendësimet për rrugën që ndjek ky ujë janë nga më të ndryshmet por deri tani është vërtetuar se nuk ka lidhje me lumin e Urakës, i cili buron jo larg këtij burimi nëntokësor. Nuk është vërtetuar nëse derdhet përsëri në Shutrrinë e Bruçit. Provat e bëra deri tani nuk kanë sjellë ndonjë të dhënë të saktë për komunikimin e këtyre dy burimeve.

Në vitet '80 u investua për të nxjerrë një sasi uji të këtij burimi për të vaditur tokat e fshatrave Kurbnesh, Zajs, Bardhaj dhe Lëkundë. Sistemi i vaditjes ishte i mbështetur tërësisht në tubacione dhe kanale betoni në një largësi rreth l0 km, i cili funksionoi vetëm disa vite, pasi u prish në vitin 1992.