Stefan I. Prifti (Arrëz, 2 janar 1910 - Tiranë, 27 tetor 1975) ka qenë akademik, filolog dhe përkthyes shqiptar.[1]

Biografia

Redakto


(1910–1975)

Redakto

Stefan I. Prifti, gjuhëtar dhe përkthyes, lindi në Arrëz të Kolonjës më 2 janar 1910 dhe ndërroi jetë në Tiranë më 27 tetor 1975. Ishte i pesti i gjashtë fëmijëve të prindërve Kristina dhe Ilia Prifti. I ati ishte mësues në fshatin e lindjes. U martua me Efterpi Shuteriqin. Djali i tyre, Ilia, ishte profesor fizike pranë Universitetit Politeknik të Tiranës.

Stefan Prifti Kreu liceun “Zoosimea” të Janinës. Studimet e larta për filologji i kreu me rezultate të shkelqyera pranë Universitetin e Athinës. Më 1938 u emërua mësues në Normalen e Elbasanit, ku filloi karrierën e tij të gjatë arsimore më se tridhjetëvjeçare. Në vitet 1942–1947 shërbeu si mësues dhe drejtor në Liceun e Korçës; në vitet 1947–1948 kryetar i Degës së programeve dhe teksteve në Ministrinë e Arsimit; më pas drejtor i gjimnazit “Qemal Stafa” në Tiranë (1948–1955) dhe pedagog i jashtëm në Institutin e Lartë Pedagogjik 2-vjeçar të Tiranës.

Nga viti 1955 e deri sa doli në pension qe pedagog, në fillim në Institutin e Lartë Pedagogjik 2-vjeçar të Tiranës, –për ca kohë qe drejtor i tij, –dhe më pas, në Institutin e Lartë Pedagogjik Katërvjeçar. Me krijimin e Universitetit të Tiranës u emërua kryetar i Degës mësimore në Rektoratin e këti Universiteti.

Ka qenë pedagog titullar i sintaksës së gjuhës shqipe, i latinishtes dhe i greqishtes së vjetër në degën e gjuhëve të huaja të Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë.

Në vitet 1965–1968 ka qenë përgjegjës i katedrës së gjuhëve klasike e perëndimore të këtij Fakulteti. Punoi për rreth 20 vjet në arsimin e lartë.

Profesor Mahir Domi ka shprehur këtë vlerësim për kolegun e tij të vyer: “Kudo që punoi, u tregua i aftë, i përpiktë, i rregullt, sistematik dhe i palodhur, duke u dalluar për zell, seriozitet dhe ndërgjegje të lartë në detyrë. Nuk i kurseu asnjëherë fuqitë e veta për t'iu përgjigjur kërkesave të ngutshme të zhvillimit të vrullshëm të arsimit tonë. I thjeshtë e i papërtuar, gëzoi simpatinë e nderimin e studentëve të tij”.

Stefan Prifti u shqua dhe dha ndihmesa të vyera në disa fusha të dijes filologjike. Për punë të palodhshme pedagogjike e shkencore është dekoruar me Urdhrin e Punës të klasës së parë, dhe, më 1992, me titullin “Mësues i Popullit” (pas vdekjes) me motivacionin “Pionier i shkencës shqiptare, edukator i shquar, frymëzues për punë të mirëfilltë shkencore. Autor veprash e studimesh shkencore me ide përparimtare dhe demokratike”. Ka qenë delegat në Kongresin e Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe (nëntor 1972), ku mbajti edhe një kumtesë të rëndësishme për problemet që paraqet shkrimi i fjalëve me burim nga greqishtja e vjetër dhe e reja, duke dhënë disa orientime me vlerë për trajtimin dhe zgjidhjen e tyre. Profesor S. Prifti do të kujtohet edhe si një latinist i shkëlqyer që solli në gjuhën shqipe veprën monumentale të Marin Barletit “Historia e Skënderbeut”, shoqëruar me analizën shkencore, letrare dhe gjuhësore të kësaj vepre (Tiranë, 1964, me disa ribotime). Më parë ai kishte përkthyer po nga latinishtja veprën polemike të Frang Bardhit “Apologjia e Skënderbeut” (Tiranë, 1956, me disa ribotime). Mjafton të shohim qindra e qindra shënime e shpjegime plotësuese në këto dy vepra, për të gjykuar jo vetëm për njohjen e thellë të latinishtes, por edhe për fushën e gjerë të dijeve kulturore e historike që zotëronte ky filolog.

Profesor Stefan Prifti është edhe njëherazi e mbi të gjitha sintaksolog i shquar. Ai ka hartuar tekstin universitar “Sintaksë e gjuhës shqipe” (dispensë për Institutin Pedagogjik 2-vjeçar), në dy pjesë (I, 1959; II 1962); është një ndër bashkautorët e vëll. II (“Sintaksa”) të veprës “Gramatikë e gjuhës shqipe”, botim i Akademisë së Shkencave (Tiranë, 1976, me ribotime). Ka botuar në revistën “Studime filologjike” disa artikuj studimorë për çështje të rëndësishme të sintaksës së gjuhës shqipe, si p.sh., “Rreth disa çështjeve të fjalisë kohore” (1966); “Elipsa në sintaksën e fjalisë” (1966); “Klasifikimi i fjalive të varura” (1972); “Mendime për tri çështje të sintaksës” (1965) etj. Megjithëse i përqendruar në hetimin e dukurive sintaksore, shkroi disa artikuj edhe për ndërtimin e saj morfologjik të shqipes: “Mendime për disa çështje të rasave në gjuhën shqipe” (1975); “Emërzimi (substantivizimi)” (1976).

Për studentët e Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë hartoi dhe një tekst të morfologjisë së shqipes së sotme. Vepra e tij më e rëndësishme, teksti universitar “Sintaksa e gjuhës shqipe”, është cilësuar si me frymë logjiciste, por, nga ana tjetër, aty më shumë se në të gjitha gramatikat e shqipes, bëhen analiza të elipsës, të figurave sintaksore dhe të rregullave të kalimit nga ligjërata e drejtë në të zhdrejtë, analiza këto që i hapin rrugën edhe në gjuhën shqipe gjuhësisë ligjërimore, që u vrullësua në Europë nga gjysma e dytë e shekullit të kaluar pas ideve programatike të Roman Jakobsonit dhe të Emil Benvenistit. Sintaksa e Stefan Priftit ka qenë dhe mbetet një nga kulmet shkencore të gjuhësisë shqiptare në përshkrimin e strukturës sintaksore të shqipes, hartuar prej një autori të vetëm, me të cilën kanë mësuar breza të tërë studentësh dhe studiuesish.

Ky tekst u ribotua si libër dhe u miratua si tekst bazë i sintaksës nga Universiteti i Prishtinës (1971), ku u përdor vite me radhë dhe mbetet një nga veprat më të cituara në studimet sintaksore.Në vitet ’60 të shekullit të kaluar, kur drejtimet dhe përmbajtja e shkollës shqiptare iu nënshtruan një diskutimi të gjerë, Stefan Prifti ka qenë një ndër specialistët më aktivë që shtronte mendimet e veta të vyera, sidomos rreth disa çështjeve të teksteve të gjuhës shqipe me synim Stefan Prifti, profesori, filologu dhe përkthyesi i shquar (1910-1975) përsosjen e tyre në vazhdën e traditës sonë, por edhe me risi pedagogjike e shkencore që kërkonin zhvillimet e reja kulturore tek ne, si në letërsi, publicistikë e stile të tjera që po përvijoheshin dukshëm.

Profesor Stefan Prifti ishte i bindur se gjuhësia e re shqiptare, albanologjia përgjithësisht, kishte nevojë të madhe për literaturë këshillimi me autorë e shkolla të vendeve të ndryshme, në mënyrë të veçantë për çështje teorike, që nuk i takonin vetëm shqipes, por mbarë gjuhësisësë përgjithshme a teorisë gjuhësore për probleme të caktuara, prandaj dhe në studimet e tij gjejmë një mbështetje të gjerë tek autorë dhe vepra në gjuhë të huaja, të cilat ai i zotëronte dhe i shfrytëzonte, lidhur me dukuri të shqipes, me nocionet e reja apo trajtesat për kategori të ndryshme sintaksore që nga togjet e fjalëve (siç e përdorte ai) deri në njësitë kumtuese të fjalisë e frazës (periudhës).

Kështu, nga 31 autorë që përmban bibliografia shkencore e punimit monografik për elipsën, 28 prej tyre janë përfaqësues të gjuhësisë evropiane, bashkëkohorë, por edhe të historisë së zhvillimit të sintaksës në shekuj.

Punimet shkencore dhe tekstet mësimore që botoi në fushën e gjuhësisë, veprimtaria e gjatë arsimore dhe përkthimet mjeshtërore i japin prof. Stefan Priftit një vend të nderuar krahas studiuesve të tjerë të gjuhës shqipe dhe mësuesve të përkushtuar të shumë brezave.


  • Historia e jetës dhe e veprave të Skënderbeut / Marin Barleti; Stefan Prifti; Henrik Lacaj
  • Skënderbeu  : apologji / Frang Bardhi; Stefan Prifti
  • Përralla të zgjedhura / Phaedrus; Stefan Prifti
  • Fjalime dhe letra të Skënderbeut : botohet me rastin e 500-vjetorit të vdekjes së heroit tonë kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeut / Stefan Prifti
  • Sintaksa : sintaksa e periudhës : maket / Spiro Floqi; Mahir Domi; Seit Mansaku; Mehmet Çeliku; Stefan Prifti; Mahir Domi
  • Studime / Abaz Dojaka; Muzafer Korkuti; Stefan Prifti
  • Elipsa në sintaksën shqipe : ekstrakt / Stefan Prifti
  • Morfologjia latine / Stefan Prifti Morfologjia latine / Stefan Prifti
  • Përcaktori në gjuhën shqipe / Stefan Prifti
  • Rreth disa çështjeve të fjalisë kohore : ekstrakt / Stefan Prifti
  • Sintaksa e gjuhës shqipe / Stefan Prifti
  • Gjuha ruse : për degët matematikë, fizikë, elektrike / Stefan Prifti; Mefaret Paparisto
  • Figura e Skënderbeut simbol i popullit të vet / Stefan Prifti


Referime

Redakto
  1. ^ Përnaska, Remzi; Topalli, Tefë (2016). "Stefan Prifti, profesori, filologu dhe përkthyesi i shquar (1910–1975)" (PDF). Perla. 74: 119. Arkivuar nga origjinali (PDF) më 28 dhjetor 2019. Marrë më 28 dhjetor 2019.