Studiot Barrandov janë një grup i famshëm studiosh të filmit në Pragë, Çeki. Janë studiot më të mëdha të filmit në vend dhe nga më të mëdhatë në Evropë. Disa nga filmat e xhiruar aty fituan Oscar. Aktualisht studiot shpesh quhen "Hollivudi Europian" ose "Hollivudi i Lindjes" për shkak të rritjes së interesit të prodhimeve perëndimore (si filmat: Mission Impossible, The Bourne Identity, Casino Royale, Prince Kaspian dhe shumë të tjerë). Studiot realizojnë një ngjarje vjetore për ndarjen e çmimeve të Trilobitit të Artë (Zlatý Trilobit).

Themelimi

Redakto

Historia çeke e filmit është e lidhur ngushtë me atë të familjes Havel, më saktësisht të vëllezërve Miloš Havel (1899-1968) dhe Václav Havel (1897-1979) (Václav ishte babai i presidentit çek me të njëjtin emër).

Në fillim të viteve '30, Václav Havel planifikoi të ndërtonte një kompleks rezidencial luksoz në një kodër pesë kilometra jashtë Pragës. Miloš Havel kishte sugjeruar që të përfshinte një studio moderne të filmimit. Zona do të quhej Barrandov pas Joachim Barrande, gjeologu francez që kishte punuar në atë vend të pasur me fosile në shekullin e 19-të. Ende shkëmbi ka pllakën me emrin Barrandov.

Ndërtimi i studios, bazuar në dizajnet e Max Urban-it, filloi më 28 nëntor 1931 dhe përfundoi në vitin 1933. Katërmbëdhjetë muaj më vonë u xhirua filmi i parë çek Vražda v Ostrovní ulici (Vrasja në rrugën Ostrovni). Vëllimi i filmave të xhiruar në studio u rrit me shpejtësi. Barrandov kishte treqind punonjës të përhershëm, prodhonte deri në tetëdhjetë filma në vit dhe kishte filluar të tërhiqte prodhuesit e huaj. Ishte studioja më e pajisur në Evropën Qendrore dhe në vitet e hershme kompanitë e prodhimit të huaj si UFA, MGM dhe Paramount zhvilluan sistemet e tyre të shpërndarjes në Çekosllovaki për shkak të këtyre studiove.

Gjatë pushtimit të Çekosllovakisë nga Gjermania naziste në Luftën e Dytë Botërore (1939-1945), ndryshime të mëdha u bënë në ambientet e studios. Menjëherë pas luftës, Barrandov dhe objekti tjetër i tij në Hostivař u shtetëzuan dhe mbetën nën pronësi shtetërore deri në fillim të viteve ´90. Gjatë kësaj kohe, u ndërtuan laboratorët mbresëlënës të filmimit në Barrandov, siç është një skenë me efekte speciale, me një tunel projektimi prapa dhe një rezervuar uji të pajisur për të xhiruar nën ujë.

Vala e re

Redakto

Pranvera e Pragës nga mesi i viteve ´60 u shoqërua nga një valë e re e filmave çekë, e cila tërhoqi vëmendjen në mbarë botën. Regjisorët çekë që punonin në Barrandov në këtë kohë ishin: Miloš Forman, Jiří Menzel, Vojtěch Jasný, Pavel Juráček, Věra Chytilová, Jan Němec, Ivan Passer, Elmar Klos dhe Ján Kadár. Ostře sledované vlaky (Trenat shikuar nga afër) nga Menzel dhe Obchod na korze (Dyqani në Rrugën Kryesore) nga Klos dhe Kadar fituan çmimin e Akademisë Amerikane për filmat më të mirë në gjuhë të huaj, ndërsa Hoří, má panenko (Zjarr, zonjusha ime/The Fireman's Ball) dhe Lásky jedné plavovlásky (Dashuritë e një bjondeje) kanë arritur nominime Oscar. Gjatë viteve ´70-´80 Barrandov vazhdoi të prodhonte filma me cilësi të lartë, sidomos komedi dhe përralla çeke, duke nxjerrë mesatarisht shtatëdhjetë filma në vit. Në vitet ´80, krijuesit e huaj të filmave filluan të vinin në Pragë në mënyrë që të shfrytëzonin objektet cilësore të studios dhe shumëllojshmërinë e vendit për filmim. Prodhimet e mëdha përfshinin filmin Yentl me Barbra Streisand dhe filmin Amadeus nga Miloš Forman (fitues i disa çmimeve Oscar, duke përfshirë atë për filmin më të mirë).

Situata aktuale

Redakto

Menjëherë pas Revolucionit të Kadifenjtë (1989) Barrandov u privatizua dhe shteti nuk ofroi më shumë fonde për prodhimin e filmit çek. Për shkak të konkurrencës në tregun e lirë, studiot pothuajse u mbyllën në vitin 2000. Megjithatë, më vonë, rënia e filmave lokalë u kompensua nga një rritje dramatike e prodhimeve të huaja, veçanërisht të filmave artistikë të realizuar nga prodhuesit e SHBA-së. Stacionet televizive çeke dhe prodhuesit e reklamave, gjithashtu, përdorën studiot në masë të madhe. Studiot Barrandov tani ofrojnë shërbime të plota për prodhimin e filmave të njohur dhe për vëllimin në rritje të prodhimit audioviziv lokal. Më dhjetor 2006 Studiot Barrandov kanë hapur zyrtarisht "Max", një soundstage të ri masiv, që synon tërheqjen e prodhimeve më të mëdha se kurrë. Sipas përfaqësuesve të studios, në aspektin e madhësisë, objekti i ri tani është më i madhi në Evropë me 4.000 metra katrorë. Barrandov është në pronësi të Moravia Steel, e cila është në pronësi të një grupi sipërmarrësish sllovakë.


Ndër filmat më të rëndësishëm

Redakto
  • Starci na chmelu (1964)
  • Romance pro křídlovku (1966)
  • Rozmarné léto (1968)
  • Tři oříšky pro Popelku (1973)
  • Adéla ještě nevečeřela (1977)
  • Vesničko má středisková (1985)
  • Obecná škola (1991)
  • Kolja (1996)
  • Bídníci (1998)
  • Příběh rytíře (2001)
  • Hartova válka (2002)
  • Vetřelec vs. Predátor (2004)
  • Hellboy (2004)
  • Letopisy Narnie: Lev, čarodějnice a skříň (2005)
  • Tristan a Isolda (2006)

Referime

Redakto