Suadë Doko Mekuli e lindur në vitin 1931 në Ohër, Maqedoni, është arkitektja e parë në Kosovë. Ajo ka shërbyer si udhëheqëse e Ndërmarrjes Ndërtimore "Ramiz Sadiku" të Prishtinës, dhe ka pasur funksione shoqërore e politike si Kryetare e Këshillit Krahinor të Arsimit dhe Kulturës dhe Anëtare e Këshillit Drejtues të Entit për Urbanizëm dhe Çështje Komunale në Kuvendin Komunal të Prishtinës. Doko Mekuli pjesën më të madhe të veprimtarisë e ka kaluar në mësimdhënie. Punoi në shkollën e mesme teknike të Prishtinës, asistente në Universitetin e Prishtinës, pastaj prodekane për Arsim në Fakultetin Teknik dhe Shefe e Sesionit të Arkitekturës në Fakultetin Teknik.

Edukimi

Redakto

Suadë Doko Mekuli ka kryer shkollën fillore dhe të mesme në vendlindje, Ohër. Për të vazhduar studimet në Fakultetin Teknik të Universitetit të Shkupit "Shën Kirili dhe Metodi" në Degën e Arkitekturës dhe diplomoi në vitin 1958.

Kariera si arkitekte

Redakto

Suadë Doko Mekuli në Ndërrmajen Ndërtimore "Ramiz Sadiku" të Prishtinës ishte udhëheqëse deri në vitin 1962. Pastaj vazhdon të punojë si shefe dhe projektuese përgjegjëse në Byronë Projektuese në "Kosmet Projekt". Gjatë karierës së saj realizoi një numër të madh të projekteve të ndërtesave të banimit kolektiv në Prishtinë, Pejë, Rahovec, Gjakovë, Shtërpcë dhe në të gjithë Kosovën. Disa nga projektet e saja janë: në Prishtinë, Fakulteti Filozofik, Posta Qendrore, Qendra për fëmijët Shurdh-Memec, më pas Fabrika e Mobiljeve në Ferizaj, Fabrika Farmaceutike "Farmakos" dhe Ambulanca Specialistike në Prizren, Gjykata në Viti, Qendra për Nëna dhe Fëmijët dhe Çerdhja e Fëmijëve në Vushtrri, Depoja e Duhanit në Mitrovicë, Shtëpia e Gjuetarëve në Sharr, Posta në Deçan.

Përvoja si mësimdhënëse

Redakto

Doko Mekuli gjatë periudhës njëvjeçare në shkollën e mesme teknike të Prishtinës, ligjëroi lëndët "Konstruksione ndërtimore" dhe "Godinari". Ndërsa prej vitit 1968 dhe deri në pensionim në vitin 1993 angazhohet në Universitetin e Prishtinës, fillimisht si asistente në Fakultetin Teknik në Sesionin e Ndërtimtarisë në lëndët “Godinari I dhe II”. Prej vitit 1970 Suada emërohet ligjëruese në po këto lëndë. Së fundi në Sesionin e Arkitekturës ligjëroi lëndën “Konstruksionet Arkitektonike III”.

Suadë Doko Mekuli vdiq në moshën 81 vjeçare, në vitin 2010, duke lënë pas shumë projekte të realizuara dhe kuadro që kujtojnë mesazhet e saj, siç është: "Banimi lidhet ngusht me jetën shpirtërore dhe shoqërore të njeriut". [1]

Referime

Redakto
  1. ^ Ilazi, Hanëmshahe (2015). Gra të njohura të trojeve shqiptare. Prishtinë: KOHA. fq. 302, 303. ISBN 978-9951-685-25-2. {{cite book}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)