Lakra turshi seleksionohet, lahet dhe po të jetë shumë e thartë mbahet 1-2 orë në ujë të ftohtë, shtrydhet dhe grihet hollë. Pastaj vendoset në një tenxhere të vogël, shtohet pak lëng mishi ose ujë, pak yndyrë, mbulohet me kapak dhe lihet të ziejë. Në një tenxhere tjetër kaurdisen qepët, karotat, selinoja, i shtohen domatet ose pak salcë, lëngu i mishit sa të marrë valë, patatet e prera në kubikë të vegjël dhe pas 10 minutash zierje hidhet lakra e stufuar.
Duhet të kihet parasysh se patatet nuk ziejnë në lëngun e lakrës turshi, prandaj duhet të ziejnë veç. Në rast se supa zihet pa patate, atëherë zarzavatet e kaurdisura hidhen drejtpërdrejt në lakër së bashku me sasinë e lëngut të mishit ose të ujit të nevojshëm për supë. Në fund të zierjes supa rregullohet me kripë, piper, fletë dafine dhe majdanoz e kopër të grirë hollë.