Surja el-A`rafë
Suretu El A`rafë është surja e 7 në Kur'an me 206 ajete. Mekase.
Përmbajtja
Redakto''Me emrin e Allahut , Mëshiruesit, Mëshirbërësit!''
1 Elif, Lam, Mim, Sad.
2 (Ky është) Libri, që të është zbritur ty, që me të t'ua tërheqësh vërejtjen dhe t'i këshillosh besimtarët, pra të mos ketë shtrëngim në gjoksin tënd (për kumtimin e tij).
3 Përvetësoni atë që ju është zbritur nga Zoti juaj, e mos zini miq (përkrahës) pos Tij. Pak është ajo që po merrni përvojë.
4 Sa fshatra (banorë) kemi shkatërruar (me fajin e tyre) e dënimi Jonë u erdhi atyre natën, a (ditën) kur ishin duke pushuar (duke fjetur).
5 Kur u erdhi atyre dënimi Jonë, s'kishin ç'të kërkonin tjetër, vetëm të thonë: "Vërtet, ne ishim zullumqarë" (të pranojnë gabimin).
6 Ne patjetër do t'i marrim në përgjegjësi ata, të cilëve u është dërguar (pejgamber), e do t'i marrim në pyetje edhe të dërguarit.
7 Dhe duke e ditur mirë Ne do t'u rrëfejmë atyre (për atë që punuan), se Ne nuk ishim që mungonim (ishim të pranishëm).
8 Atë ditë peshimi (masa) është i drejtë. Atij që i rëndohen peshojat, ata janë të shpëtuar.
9 Kujt i vijnë lehtë peshojat, ata e humbën vetveten, ngase i refuzuan argumentet Tona me të padrejtë.
10 Ne ju vendosëm në tokë dhe ju mundësuam jetesën (mjetet për të jetuar), e pak prej jush po falënderoni.
11 Ne ju krijuam pastaj ju dhamë formën, e mandej engjëjve u thamë: "Bëni sexhde për Ademin". Ata i bënë sexhde pos Iblisit. Ai nuk qe prej atyre që bënë sexhde.
12 (All-llahu) Tha: "Çka të pengoi ty të bësh sexhde, kur Unë të urdhërova?" Ai (Iblisi) tha: "Unë jam më i vlefshëm se ai, më krijove mua nga zjarri, e atë e krijove nga balta!"
13 (All-llahu) Tha: "Zbrit nga ai (xhenneti), nuk të takon të bësh kryelartësi në të, dil jashtë, s'ka dyshim ti je i poshtëruar".
14 (Iblisi) Tha: "Më afatizo gjer ditën kur ringjallen (njerëzit)!"
15 (All-llahu) Tha: "Ti je i afatizuar!"
16 (Iblisi) Tha: "Për shkak se më humbe mua, unë do t'u ulem atyre (do t'u zë pusi) në rrugën Tënde të drejtë,"
17 Mandej do t'ju sillem atyre para, prapa, nga e djathta dhe nga e majta e tyre, e shumicën e tyre nuk do ta gjesh që të falënderohen (të besojnë)!
18 (All-llahu) Tha: "Dil nga ai (xhenneti), i urrejtur, i dëbuar. Kush prej tyre vjen pas teje, Unë kam për ta mbushur xhehennemin me të gjithë ju."
19 (Ne i thamë) O Adem, ti dhe bashkëshortja jote zini vend në Xhennet, hani nga të doni, e mos iu afroni kësaj peme, pse do të bëheni prej zulumqarëve (të vetvetes suaj).
20 Shejtani i nxiti ata të dy (i mashtroi), që t'ua zbulojë atyre pjesët e turpshme që u ishin të mbuluara dhe tha: "Zoti juaj nuk ua ndaloi juve dyve atë pemë vetëm që të mos bëheni meleqë (engjëj), ose të mos bëheni prej të përjetshëmve".
21 Dhe ju bëri be atyre (duke u thënë) se: Unë jam këshillues për ju.
22 Atëherë me mashtrim i zbriti (në nivel të palakmueshëm). E kur e shijuan pemën u zbulua vendturpi i tyre dhe filluan ta mbulojnë atë (duke vënë gjeth mbi gjeth) nga gjethet e (pemëve të) xhennetit. Zoti i tyre i thirri (duke u thënë): "A nuk ua ndalova ju dyve atë pemë dhe a nuk ju thashë ju dyve se shejtani është armik i hapët për ju?!"
23 Ata të dy thanë: "Zoti ynë, ne i bëmë të padrejtë(i dëmtuam) vetvetes sonë, në qoftë se nuk na falë dhe nuk na mëshiron, ne me siguri do të jemi prej të shkatërruarve!"
24 (All-llahu) Tha: "Zbritni, jeni armik i njëri-tjetrit. Në tokë ju e keni vendqëndrimin (vendbanimin) dhe përjetim deri në një kohë".
25 Tha: "Në të (në tokë) do të jetoni (do të gjallëroni), në të do të vdisni (do të varroseni) dhe prej saj do të nxirreni (do të ringjalleni)".
26 O bijtë e Ademit, Ne krijuam për ju petk që ju mbulon vendturpësinë dhe petk zbukurues. Po petku i devotshmërisë, ai është më i miri. Këto janë nga argumentet e All-llahut, ashtu që ata të përkujtojnë.
27 O bijtë e Ademit, të mos ju mashtrojë kurrsesi shejtani sikurse i nxori prindërit tuaj nga xhenneti, zhveshi prej tyre petkun e tyre që t'ju dalë në shesh lakuriqësia e tyre. Vërtet ai dhe shoqëria e tij ju sheh, ndërsa ju nuk i shihni. Ne i kemi bërë shejtanët miq të atyre që nuk besojnë.
28 Kur punojnë ata (idhujtarët) diçka të shëmtuar, thonë: "Ne i gjetëm që kështu prindërit tanë, edhe All-llahu na urdhëroi këtë (vizitën reth Qabes lakuriq). Thuaju: "All-llahu nuk urdhëron të shëmtuarën, a thoni për All-llahun çka nuk dini?"
29 Thuaj: "All-llahu ma urdhëroi mua drejtësinë dhe në tërësi kthejuni Atij në çdo namaz (lutje) dhe adhurojeni Atë duke qenë të sinqertë në lutje vetëm për të. Ashtu sikur që ju filloi (krijoi) së pari, do të ktheheni te Ai".
30 Një grup (nga ju) Ai e vuri në rrugë të drejtë, e një grup meritoi të jetë i humbur, pse ata (të humburit) shejtanët i morën për miq, e megjithatë mendonin se ishin në rrugë të drejtë.
31 O bijtë e Ademit, vishuni bukur për çdo namaz (lutje), hani dhe pini e mos e teproni, pse Ai (All-llahu) nuk i do ata që e teprojnë (shkapërderdhin).
32 Thuaj: "Kush i ndaloi bukuritë dhe ushqimet e mira që All-llahu i krijoi për robtë e vet?" Thuaj: "Ato janë në këtë botë për ata që besuan, e në ditën e kijametit janë të posaçme për ta. Kështu ia sqarojmë argumentet një populli që kupton".
33 Thuaj: "Zoti im i ndaloi vetëm të këqijat e turpshme, le të jenë të hapta ose të fshehta, ndaloi mëkatin, ndaloi shtypjen e tjetrit pa të drejtë, ndaloi t'i mvishni All-llahut shok pa patur për të kurrfarë argumenti, dhe ndaloi të thoni për All-llahun atë që nuk e dini se është e vërtetë".
34 Çdo popull (që përgënjeshtroi pejgamberët) ka afatin e vet, e kur t'u vijë afati tyre, ai nuk mund të shtyhet për asnjë moment, e as të përngutet më parë.
35 O bijtë e Ademit, juve ju vijnë të dërguar nga mesi juaj, ua përkujtojnë faktet e Mia (shkoni pas tyre). E kush ruhet dhe përmirësohet, për ta s'ka as frikë as s'kanë përse të pikëllohen.
36 E ata që i konsideruan të rreme faktet tona dhe me kryelartësi u larguan prej tyre, ata janë banues të zjarrit dhe në të janë përjetë.
37 Kush është më mizor se ai që trillon shpifje ndaj All-llahut, apo i përgënjeshtron argumentet e Tij? Ata e arrijnë pjesën e tyre që u është caktuar (në shënime) deri kur t'u vijnë atyre të dërguarit tanë (melaiket) t'ua marrin shpirtin e u thonë: "Ku janë ata që pos Zotit i lutshit?" Ata thonë: "Kanë humbur prej nesh" dhe ashtu dëshmojnë për vete se ishin mohues (kafirë).
38 (All-llahu) Ju thotë: "Hyni në xhehennem me atë popull që ishte para jush nga xhinët dhe njerëzit (e që ishin si ju). Sa herë që një grup hyn në të, e mallkon atë të mëparshmin derisa kur të arrijnë në të të gjithë, grupi i fundit i tyre thotë për grupin e parë: "Zoti ynë, këta (paria) na kanë humbur neve (nga rruga e drejtë), pra shtoju dënimin me zjarr atyre!" (All-llahu) Thotë: "Për secilin (grup) është (dënimi) i shtuar, por ju nuk po dini".
39 Të parët e tyre (paria) të mbramëve të tyre ju thotë: "Ju nuk keni përparësi ndaj nesh (pse vetë keni bërë kufër), shijojeni pra dënimin për atë që e fituat!"
40 Nuk ka dyshim se ata që përgënjeshtruan argumentet Tona dhe nga mendjemadhësia u larguan prej tyre, atyre nuk u hapen dyert e qiellit dhe nuk do të hyjnë në xhennet deri të përbirojë deveja nëpër vrimën e gjilpërës. Ja, kështu i shpërblejmë kriminelët.
41 Për ata është përgatitur shtrat nga zjarri dhe mbulojë (nga zjarri). E kështu pra i shpërblejmë zullumqarët.
42 Ata që besuan dhe bënë vepra të mira, e Ne as që obligojmë ndokënd çka nuk ka mundësi (të veprojë), të tillët janë banues të xhennetit dhe në të janë përgjithmonë.
43 Nga zemrat e tyre kemi hequr (kemi zhdukur) çdo gjë që ishte krijuar nga zilia (nga urrejtja), janë në xhennet, ku rrjedhin lumenj, e ata thonë: "Falënderojmë All-llahun që na udhëzoi për këtë (për iman, për punë të mira, na e hoqi zilinë, na futi në xhennet), pse sikur të mos na drejtonte All-llahu, ne nuk do të dinim të udhëzohemi. Vërtet, të dërguarit e Zotit na e thanë të vërtetën dhe ne u besuam!" E atyre u drejtohet thirrje: "Ky është xhenneti, iu dha juve për atë që vepruat".
44 "Ata të xhennetit i thërrasin (i pyesin) banuesit e zjarrit e u thonë: "Ne e gjetëm të vërtetë atë që na e pat premtuar Zoti ynë, e ju (banues të zjarrit) a e gjetët të vërtetë atë që ua pat premtuar zoti juaj?" Ata (banuesit e zjarrit) thonë: "Po". Atëherë në mes të tyre (mes dy grupeve) thërret një zë: "Mallkimi i All-llahut qoftë mbi zullumqarët!
45 Ata që penguan nga rruga (imani) e All-llahut dhe që kërkuan shtrembërimin e saj dhe ata që ishin mohues të botës tjetër.
46 E mes atyre dyve (dy grupeve) është një perde (mur), e mbi A'raf (lart mbi mur) janë burra që e njohin secilin (të xhennetit dhe të xhehennemit) me shenjat e tyre. Ata i thërrasin banuesit e xhennetit: "Paqja (shpëtimi) qoftë mbi ju!" Ata (të A'rafit) nuk kanë hyrë në të, por shpresojnë.
47 E kur u shkon shikimi i tyre nga ata të xhehennemit, thonë: "Zoti ynë, mos na bë neve me mizorët!"
48 "Ata të A'rafit i thërrasin do burra që i njohin me shenjat e tyre dhe u thonë: "Çka ju vlejti ai grumbullimi juaj (në pasuri e numër) dhe ajo që bënit kryelartësi?" (e tash jeni në xhehennem).
49 "A këta janë ata (besimtarët), për të cilët betoheshit se nuk ka për t'i përfshirë mëshira e All-llahut?". (Në mënyrë ironike i përqeshin kufarët e mandej u thonë besimtarëve): "Vazhdoni në xhennet, as nuk ka frikë për ju, as nuk keni për t'u brengosur!
50 "Banuesit e zjarrit i thërrasin (dhe i lusin) ata në xhennet (duke ju thënë): "Na qitni diç nga ju apo nga ajo që u ka furnizuar All-llahu (se mbaruam nga etja)!" Ata (në xhennet) thonë: "All-llahu i ka ndaluar që të dyja këto për jobesimtarët!
51 "Ata që fenë e tyre e morën tallje e lojë dhe të cilët i mashtroi jeta e Dunjasë. Sot, pra, Ne i harrojmë ata sikurse e patën harruar takimin e kësaj dite të tyre dhe, sikurse i refuzonin argumentet Tona!
52 Ne u sollëm atyre (mekasve) një libër (Kur'anin) që ua shkoqitëm në baza të diturisë, e që është udhërrëfyes e mëshirë për ata që besojnë.
53 "Ata nuk presin tjetër, por vetëm atë që do t'u vijë. E atë ditë kur t'u vijë (dënimi i premtuar) ajo që e pritnin, ata të cilët më parë e kishin harruar thonë: "Vërtet, të dërguarit e Zotit tonë erdhën me fakte të vërteta, a kemi ndonjë ndërmjetës që të na shpëtojë, ose të kthehemi (në Dunja) e të veprojmë tjetër nga ajo që vepruam". Ata shkatërruan vetveten dhe u shkoi huq trillimi që e bënin.
54 Vërtet, Zoti juaj, All-llahu, është Ai që krijoi qiejt dhe tokën brenda gjashtë ditësh, pastaj qëndroi mbi Arshin, Ai e mbulon ditën me natën, që me të shpejtë e kërkon atë (mbulimin e dritës së ditës), edhe dielli, edhe hëna e edhe yjet i janë nënshtruar sundimit të Tij. Ja, vetëm Atij i takon krijimi dhe sundimi. I madhëruar është All-llahu, Zoti i botëve.
55 Luteni Zotin tuaj të përulur e në heshtje, pse Ai nuk i do ata që e teprojnë.
56 Mos bëni çrregullime në tokë pas rregullimit të saj (me të ardhur të pejgamberëve) dhe luteni Atë duke pasur frikë (dënimin) dhe duke shpresuar (mëshirën). S'ka dyshim se mëshira e All-llahut është pranë atyre të mirëve.
57 Ai është që i lëshon erërat si myzhde pranë mëshirës (shiut) së Tij. E kur ato (erërat) bartin re të mëdha, Ne i sjellim mbi një tokë të vdekur dhe lëshojmë në të ujin (shiun), dhe me të (me ujin) nxjerrim të gjithë frutat. Kështu i nxjerrim (i ngjallim) të vdekurit, ashtu që ta përkujtoni (fuqinë e Zotit).
58 Me lejen e All-llahut toka e mirë mbinë bimët, e ajo që nuk është kualitative, ajo nuk mbinë vetëm (pak) me vështirësi. Kështu Ne i radhisim argumentet Tona për ata që falënderojnë.
59 Ne e patëm dërguar Nuhun te populli i vet, e ai tha: "O populli im, adhurojeni All-llahun, nuk keni zot tjetër pos Tij. Unë kam frikë për dënimin tuaj në një ditë të madhe!"
60 Paria nga populli i tij tha: "Ne po të shohim (në këtë që na thërret) plotësisht të humbur!"
61 (Nuhu) Tha: "O populli im, unë nuk kam kurrfarë humbje, por unë jam i dërguar prej Zotit të botëve!"
62 "Unë ua kumtoj juve shpalljet e Zotit tim, ju këshilloj dhe unë di nga Zoti im çka ju nuk dini!"
63 "A mos u çuditët që shpallja ju erdhi nga Zoti juaj përmes (gjuhës së) një njeriu nga mesi juaj, për t'ua tërheqë vërejtjen që të ruheni dhe ashtu të shpëtoni!"
64 Po ata e përgënjeshtruan atë (Nuhun), e Ne e shpëtuam atë dhe ata që ishin me të në anije, ndërsa ata që i përgënjeshtruan faktet tona i fundosëm. Vërtet, ata ishin popull i verbër.
65 Edhe te (populli) Ad-i (dërguam) vëllain e tyre Hudin, e ai tha: "O populli im, adhurojeni (një Zot) All-llahun, ju nuk keni zot pos Tij, a nuk po frikësoheni?!"
66 Paria që nuk besoi nga populli i tij tha: "Ne po të shohim mendjelehtë dhe të konsiderojmë vërtet rrenacak!"
67 Tha (Hudi): "O populli im, nuk jam mendjelehtë (nuk kam të metë mendore), por unë jam i dërguar prej Zotit të botëve".
68 (Jam i dërguar) Që t'ua komunikoj shpalljet e Zotit tim dhe unë jam këshillues besnik për ju.
69 A mos ju erdhi çudi që ju erdhi shpallja nga Zoti juaj përmes një njeriu nga mesi juaj, e për t'ua tërheqë vërejtjen. Përkujtoni kur Ai ju bëri sundues pas popullit të Nuhut dhe ua shtoi fuqinë fizike. Përkujtoni të mirat e All-llahut që të gjeni shpëtim.
70 Ata thanë: "A na erdhe (të na frikësosh) që ta adhurojmë vetëm All-llahun e ta braktisim atë çka adhuronin prindërit tanë? Nëse je i vërtetë (çka thua) sillna atë që na premton (kërcënohesh)".
71 (Hudi) Tha: "Juve ju gjeti dënimi dhe përbuzja nga Zoti juaj. A më polemizoni mua për emra (të idhujve) që i emëruat ju dhe prindërit tuaj, e që për te All-llahu nuk shpalli kurrfarë argumenti? Pritni pra (dënimin), edhe unë së bashku me ju jam duke pritur".
72 Ne me mëshirën Tonë e shpëtuam atë dhe ata që ishin me të, dhe i shkulëm nga rrënja ata që i përgenjështruan argumentet Tona dhe nuk ishin besimtarë.
73 Edhe te (populli) Themud ua dërguam vëllain e tyre, Salihun, e ai u tha: "O populli im, besojeni All-llahun (Një) nuk keni zot tjetër pos Tij. Qe, ju erdhi argumenti nga Zoti juaj. Ja, kjo deveja është mrekulli për ju. Lereni këtë të lirë të hajë në tokën e All-llahut dhe kurrsesi mos e merrni me të keq, e t'ju kapë dënimi i dhembshëm".
74 "Përkujtoni kur Ai ju bëri sundues pas Adit, ju vendosi në tokë e ju në rrafshin e saj ndërtoni pallate, kurse në kodrina ngreni shtëpia, përkujtoni të mirat e All-llahut e mos u bëni shkatërrues në tokë".
75 Krerët kryelartë nga populli i tij u thanë atyre që ishin më të dobët e që kishin besuar: "A e dini se me të vërtetë Salihu është i dërguar nga Zoti i tij?". Ata thanë: "Vërtet, ne jemi besimtarë të asaj me çka është dërguar".
76 Ata kryelartit thanë: "Ne jemi mohues (jobesimtarë) të asaj që ju i besuat".
77 Ata e therën deven dhe me kryelartësi shkelën dispozitën e Zotit të tyre dhe thanë: "O Salih, sillna atë me çka na u kërcënove, nëse je prej të dërguarve".
78 Atëherë ata përjetuan tërmetin dhe u gdhinë në shtëpitë e tyre kufoma të ngrira.
79 Ai u zbraps prej tyre e tha: "O populli im, unë ju komunikova dërgesën e Zotit tim, ju këshillova sa munda, por ju nuk i përfillni këshilluesit".
80 Përkujto kur popullit të vet Luti i tha: "A punoni të shëmtuarën, që asnjë nga popujt e botës nuk e bëri para jush".
81 "Vërtet, ju të shtyrë nga epshet u afroheni burrave duke i lënë gratë. Po ju jeni popull i shfrenuar".
82 Përgjigjja e popullit të tij nuk ishte tjetër vetëm se të thonë: "Dëboni ata (Lutin me besimtarë) nga vendbanimi juaj, ata janë njerëz që ruhen shumë (i largohen të shëmtuarës)".
83 Ne e shpëtuam atë dhe familjen e tij, pos gruas së tij që mbeti aty (ndër të shkatërruarit).
84 Ne lëshuam mbi ata një lloj shiu (me gurë). E shiko se si ishte fundi i kriminelëve!
85 E në Medjen (dërguam) vëllain e tyre Shuajbin. Ai tha: "O populli im, adhurojeni All-llahun (Një), ju nuk keni zot tjetër pos Tij. Juve ju erdhi mrekullia nga Zoti juaj. Zbatoni drejt matjen dhe peshojën, e mos u bëni padrejtësi njerëzve në sendet e tyre, dhe mos bëni çrregullime në tokë pas përmirësimit të saj. Këto janë më të dobishme për ju, nëse jeni besimtarë".
86 "Mos zini pusi në çdo rrugë e të kërcënoheni dhe të pengoni nga rruga e All-llahut atë që i ka besuar atij (Shuajbit), e të kërkoni shtrembërimin e asaj (rrugës). Përkujtoni kur ishit pakicë e Ai ju shumoi dhe shikoni se si qe fundi i çrregulluesve".
87 "E në qoftë se një grup prej jush është që i besoi asaj me të cilën unë u dërgova, e një grup nuk besoi, duroni deri të gjykojë mes nesh All-llahu, e Ai është gjykatësi më i mirë".
88 Paria që ishte kryelartë nga populli i tij, tha: "O Shuajb, ne do të dëbojmë ty dhe së bashku me ty edhe ata që besuan nga fshati ynë, ose patjetër të ktheheni në fenë tonë". Ai (Shuajbi) tha: "A edhe nëse ne nuk e dëshirojmë atë (kthimin)?".
89 Ne do të kem shpifur gënjeshtër ndaj All-llahut, nëse kthehemi në fenë tuaj (idhujtare), pasi që All-llahu na shpëtoi nga ajo. Nuk është për ne të kthehemi në të vetëm nëse është dëshira e All-llahut, Zotit tonë. Zoti ynë ka përfshirë me diturinë e vet çdo send, ne ju kemi mbështetur All-llahut. Zoti ynë, vendos mes nesh dhe mes popullit tonë gjykimin tënd të drejtë, se Ti je më i miri gjykatës.
90 Krerët prej popullit të tij, që nuk besuan, i thanë: "(Popullit i thanë) Nëse shkoni (pranoni) pas Shuajbit, (pas fesë së tij), atëherë ju me siguri jeni të dëshpëruar".
91 Ata (popullin e padëgjueshëm) i kapi tërmet i fortë dhe aguan në shtëpitë e tyre kufoma të gjunjëzuara.
92 Ata që e përgënjeshtruan Shuajbin, sikur nuk ekzistuan fare aty, ata që e konsideruan Shuajbin rrenacak, vërtet ishin të dështuarit.
93 E ai (Shuajbi) u kthye e tha: "O populli im, vërtet unë ju kumtova porositë e Zotit tim, ju dhashë këshilla, e si të brengosem për një popull që nuk besoi".
94 Ne nuk e dërguam asnjë pejgamber në ndonjë vendbanim e që nuk e ndëshkuam atë (popullin) me skamje e vështirësi të tjera, në mënyrë që ata të përulen (të binden).
95 Mandej e zëvendësuam të keqen me të mirën derisa u shumuan ato (të mirat) e thanë: "Prindërit tanë i pat goditur skamja e mjerimi", (ky është rregull natyror, po ata nuk falënderuan). Atëherë befas i dënuam pa e vërejtur ata.
96 E sikur banorët e këtyre vendbanimeve të kishin besuar dhe të ishin ruajtur, Ne do t'ju hapnim begati nga qielli e toka, por ata përgënjeshtruan, andaj i dënuam me shkatërrim për atë që merituan.
97 A mos u siguruan banorët e fshatrave nga dënimi jonë kur ata ishin fjetur (natën)?
98 A mos u siguruan banorët e fshatrave nga dënimi jonë paradite, kur ata ishin duke luajtur?
99 A mos u siguruan ata prej ndëshkimit të All-llahut? Nuk sigurohet kush prej frikës së ndëshkimit të All-llahut pos njerëzve të humbur.
100 A nuk e kanë të qartë ata që e trashëguan tokën pas banorëve të saj (që u shkatërruan) se, nëse dëshirojmë Ne i godasim (i dënojmë) për mëkatet e tyre, ua mbyllim zemrat e tyre, dhe ata nuk dëgjojnë (këshillat).
101 Këto janë fshatra për të cilat po të tregojmë disa nga lajmet e tyre. Atyre u patën ardhur të dërguarit e tyre me argumente (me mrekulli), por ata nuk i besuan asaj të cilën më parë e kishin gënjyer. Ja, kështu vulos All-llahu zemrat e atyre që nuk besojnë.
102 Ne te shumica e tyre nuk gjetëm zbatimin e premtimit, e gjetëm shumicën e tyre jashtë bindjes (respektit).
103 Mandej pas tyre e dërguam Musain me mrekulli të argumentuara te faraoni dhe rrethi i tij, e ata i refuzuan edhe ato, e shih se si ishte përfundimi i shkatërruesve?
104 Musai tha: O faraon, s'ka dyshim, unë jam i dërguar prej Zotit të botëve".
105 "Është dinjitet për mua ta them për All-llahun vetëm të vërtetën. Unë u kam ardhur me argumente nga Zoti juaj, lejoi pra beni israilët të vijnë me mua!
106 Ai (faraoni) tha: "Nëse ke ardhur me ndonjë argument dhe nëse je ai që thua, na trego pra atë argument".
107 Ai (Musai) e hodhi shkopin e vet, kur ja, u shfaq gjarpër i vërtetë.
108 Dhe e nxori dorën e vet, kur qe, për shikuesit dritë e bardhë.
109 Rrethi i parisë nga populli i faraonit tha: "Ky nuk është tjetër pos një magjistar i përsosur".
110 Ai dëshiron t'ju nxjerrë prej tokës suaj: "E çka më urdhëroni (propozoni ju)?"
111 Ata (krerët) thanë: "Ndale atë dhe vëllain e tij, e dërgo nëpër qytete tubues (të magjistarëve)".
112 Të sjellin çdo magjistar të dijshëm (të aftë).
113 Magjistarët erdhën te faraoni, e thanë: " Ne do të kemi shpërblim në qoftë se dalim fitues!"
114 Ai (faraoni) tha: "Po, dhe ju do të jeni prej të afërmve të mi".
115 Ata (magjistarët) thanë: "O Musa, (zgjidh) ose do të hedhish ti, ose ne po hedhim?"
116 Ai (Musai) tha: "Hidhni ju"! E kur hodhën ata (shkopinj e litarë), magjepsën sytë e njerëzve, i frikësuan ata dhe sollën një magji të madhe.
117 E Ne e frymëzuam Musain (duke i thënë): "Hidhe shkopin tënd!" Kur qe, ai gëlltiste atë që kishin magjepsur.
118 Atëherë u dëshmua e vërteta dhe u zhduk ajo që kishin përgatitur.
119 Aty u mundën ata (magjistarët dhe faraoni) dhe u kthyen të poshtëruar.
120 E magjistarët u hodhën (u përulën) në sexhde.
121 Dhe thanë: "Ne i besuam Zotit të gjithësisë,"
122 "Zotit të Musait dhe të Harunit!"
123 E faraoni tha: "I besuat atij (Musait) para se t'ju lejoj unë? Kjo është një dredhi që ju e përgatitët në qytet (Misir) për t'i dëbuar prej tij banorët e tij (kibtët), po më vonë do ta kuptoni (çka do t'ju gjejë)".
124 Kam për t'ua prerë duart dhe këmbët tërthorazi, pastaj të gjithë juve do t'ju gozhdoj.
125 Ata (që besuan) thanë: "S'ka dyshim, ne jemi të kthyer te Zoti ynë".
126 "Ti nuk hakmerresh ndaj nesh vetëm pse besuam në argumentet e Zotit tonë, pasi që na erdhën ato. Zoti ynë, na dhuro durim (për dënimin që do të na e bën faraoni) dhe na bëjë të vdesim muslimanë!"
127 Të parët nga populli i faraonit thanë: "A do ta lejosh Musain dhe popullin e tij të bëjë përçarje në tokë dhe të braktisin ty dhe zotat e t'u?" Ai (faraoni) tha: "Do t'ua mbysim djemtë e do t'i lëmë të gjalla gratë e tyre për shërbim, ne jemi dominues mbi ta".
128 Popullit të vet Musai i tha: "Kërkoni ndihmë prej All-llahut dhe kini durim. S'ka dyshim se toka është e All-llahut, ia lë në trashëgim atij që do nga robtë e tij, e ardhmja e lumtur është për të devotshmit".
129 Ata (populli i Musait) thanë: "Ne ishim të shtypur para se të na vije ti, e edhe pasi na erdhe". Ai (Musai) tha: "Është shpresë se All-llahu do ta shkatërrojë armikun tuaj (faraonin), e juve do t'ju bëjë ta zëvendësoni në këtë vend, e do t'ju shikojë se si ju veproni".
130 (Për madhërinë e Zotit) Ne e provuam popullin e faraonit me skamje dhe me pakësim të frutave, në mënyrë që të marrin mësim.
131 Kur u vinte atyre e mira (viti i begatshëm), ata thonin: "Kjo është e (mira) jona thjesht". E kur i godiste ndonjë e keqe, fatin e zi ia përshkruanin Musait dhe atyre (besimtarëve) që ishin me të. Veni re, fati i tyre është te All-llahu (e jo te Musai), por shumica e tyre këtë nuk e dinin.
132 Ata thanë: "Me çfarëdo argumenti të na vishë që me të të na magjepsish (largosh nga feja që kemi), ne nuk do të besojmë ty".
133 Atëherë (për shkak të mohimit) Ne lëshuam kundër tyre: vërshimin, karkalecat, rriqërat (insekte dëmtuese), bretkosat dhe gjakun, fakte të qarta njëra pas tjetrës, po ata mbanin kokëfortësi sepse ishin popull mëkatarë.
134 Pasi që i gjeti belaja (me ato masa dënim) ata thanë: "O Musa, lute për ne Zotin tënd me atë meritë që ke (si pejgamber), nëse na e largon dënimin ne do të pranojmë ty (si të dërguar) dhe do t'i lejojmë beni israilët bashkë me ty (të shkoni ku të doni)".
135 E kur e larguam nga ata dënimin (me lutjen e Musait) për deri në një afat që do të arrinin, ata e thyen besën.
136 Atëherë ndërmorëm kundër tyre dhe i fundosëm në det, ngase përgënjeshtruan argumentet Tona dhe nuk çanë kokën për to.
137 E atij populli që ishte i nënshtruar i trashëguam lindje e perëndim të tokës, që Ne e bekuam (me të mira), ndërsa për durimin që patën, u plotësua fjala më e mirë (premtimi i vërtetë) e Zotit ndaj beni israilëve; rrënuam atë që bënte faraoni i tij, si dhe atë që kishin ndërtuar ata.
138 Beni israilët i kaluam përtej detit, e ata u takuan me një popull që adhuronte do statuja të tyre, dhe thanë: "O Musa, na e bën edhe neve një zot (statujë) si zotët që i kanë ata (ai popull)". Ai (Musai) tha: "Ju jeni popull që nuk di".
139 Vërtet, ai popull (që po adhuron idhuj) është i shkatërruar në atë (adhurim) dhe ajo që vepruan është e asgjësuar (s'ka dobi).
140 Musai tha: "Mos deshët, pos All-llahut, të kërkoj për ju zot tjetër, kurse Ai ju vlerësoi mbi njerëzit e tjerë?"
141 "Përkujtoni (o beni israilë) kur Ai ju shpëtoi prej popullit të faraonit, që u shtroi më të keqin mundim, ua mbyti djemtë tuaj, ua la të gjalla gratë tuaja. E ju me këto ishit në sprovë të madhe nga Zoti juaj".
142 Dhe Ne i caktuam Musait tridhjetë net (afatin për shpallje), e ato i plotësuam edhe me dhjetë dhe kështu u mbush afati për takim me Zotin e tij në katërdhjetë net. Ndërsa Musai vëllait të vet Harunit, i tha: "Më zëvendëso mua te populli im dhe rregullo, e mos shko rrugës së të këqinjve".
143 E kur Musai erdhi në kohën që ia caktuam dhe i foli Zoti i vet, ai tha: "Zoti im! Ma mundëso pamjen tënde e të shikojë!" Ai (Zoti) i tha: "Ti nuk ke mundësi të më shohësh, por shiko kodrën, e nëse ajo qëndron në vendin e vet, ti do të më shohish Mua". Kur u drejtua kah kodra, një pjesë e dritës nga Zoti i tij e bëri atë (kodrën) thërrmi, e Musait i ra të fikët. Kur erdhi në vete, tha: "E lartë është madhëria Jote, pendohem te Ti (për atë që kërkova), dhe unë jam i pari i besimtarëve!
144 Ai (All-llahu) tha: "O Musa, Unë të gradova ty mbi njerëzit me shpalljen Time dhe me të folurit tim. Merre atë që ta dhash dhe bëhu mirënjohës".
145 Dhe i përshkruam atij në pllaka çdo gjë (që i nevojitej), si këshillim dhe sqarim për secilin send. "Merri këto me seriozitet dhe urdhëroje popullin tënd që t'i përvetësojë më të mirat e tyre (dispozitat me shpërblim më të madh). Unë do t'ua tregoj vendbanimin mëkatarëve".
146 Unë do t'i zbraps nga argumentet e Mia ata të cilët pa pasur të drejtë bëjnë kryelartësi në tokë, të cilët edhe nëse shohin çdo argument nuk besojnë, dhe nëse shohin rrugën e shpëtimit nuk e marrim atë rrugë, e nëse e shohin rrugën e gabuar ata e marrin atë rrugë. Këtë (këtë verbërim të tyre), ngase ata i konsideruan të rreme faktet Tona dhe ngase i lanë pas dore ato.
147 Ata të cilët i mohuan argumentet Tona dhe takimin në ditën e botës së ardhshme, ata asgjësuan veprat e tyre. A shpërblehen ata (me thevab ose me dënim) pos sipas asaj si kanë vepruar.
148 Populli i Musait, pas tij (kur ai shkoi në kodrën Tur për pranimin e shpalljes), e mbaroi nga stolitë e tyre një figurë viçi që kishte britmë (pallte). A nuk e shihnin ata se ai nuk ju fliste as nuk i udhëzonte në ndonjë rrugë të drejtë. E morën atë (e adhuruan si idhull viçin), e ishin të padrejtë ndaj vetes së tyre.
149 E kur në duart e tyre u thye (ajo vepër e shëmtuar u penduan) dhe e kuptuan se me të vërtetë kanë gabuar, thanë: "Nëse nuk na mëshiron Zoti ynë dhe nuk na e falë gabimin, ne pa dyshim do të jemi nga më të dëshpëruarit".
150 E kur u kthye Musai shumë i hidhëruar te populli i vet, tha: "Sa keq më paskeni zëvendësuar pas shkuarjes sime! A e ngutët (pritjen) urdhrin e Zotit tuaj?" I hodhi pllakat dhe e zuri për (flokë) koke vëllain e vet duke e tërhequr kah vetja. Ai (vëllai Haruni) tha: "O bir i nënës sime, populli më mundi dhe gati më mbyti, mos më konsidero mua me njerëzit mizorë".
151 (Musai) Tha: "Zoti im, më falë mua dhe vëllain tim dhe na dhuro mëshirën Tënde, se Ti je mëshirues i mëshiruesve".
152 Nuk ka dyshim se ata që adhuruan viçin ka për t'i përfshirë përbuzja nga Zoti i tyre dhe nënçmimi në jetën e Dunjasë. Kështu i shpërblejmë (me dënim) trilluesit e rrenës.
153 E ata që bënë vepra të këqija e pastaj u penduan pas tyre dhe besuan sinqerisht, Zoti yt ua falë gabimet dhe është mëshirues pas tij (pas pendimit të tyre).
154 E kur iu ndal hidhërimi Musait, ai i mori pllakat (që i pat hedhur), e në tekstin e tyre ishin (shënuar) udhëzime e mëshirë për ata që kanë frikë ndaj Zotit të tyre.
155 Musai zgjodhi nga populli i vet shtatëdhjetë veta për kohën që Ne ia caktuam takimin. E pasi që i kapi ata dridhja (e tokës), ai tha: "Zoti im!, sikur të kishe dashur Ti, i kishe zhdukur më parë ata dhe mua. A po na zhduk për atë që bënë të marrët nga ne? Kjo është vetëm sprovë e Jotja, që me të e bën të humbur atë që do dhe e vë në rrugë të drejtë atë që do. Ti je mbrojtësi ynë, pra falna e mëshirona, se Ti je më i miri që falë (gabimet)".
156 Dhe cakto për ne (jetë) të mirë në Dunja dhe të mirë në botën tjetër, pse vërtet jemi kthyer kah Ti. Ai (Zoti) tha: "Dënimi im është ai me të cilin e godas cilin dua, e mëshira Ime ka përfshirë secilin send. Atë (Mëshirën) do ta caktoj për ata të cilët u ruhen (mëkateve), e japin zeqatin dhe për ata që i besojnë argumentet tona".
157 Që pranojnë të dërguarin (Muhammedin), Pejgamberin arab, (që nuk shkruan as nuk lexon), të cilin e gjejnë të cilësuar (të përshkruar me virtytet e tij), te ata në Tevrat dhe në Inxhil, e që i urdhëron ata për çdo të mirë dhe i ndalon nga çdo e keqe, u lejon ushqimet e këndshme dhe u ndalon ato të pakëndshmet, dhe heq nga ata barrën e rëndë të tyre dhe prangat që ishin mbi ta. Pra, ata të cilët e besojnë atë, e nderojnë dhe e ndihmojnë, veprojnë me dritën që iu zbrit me të, të tillët janë të shpëtuarit.
158 Thuaj (Muhammed): "O ju njerëz! Unë jam i dërguari i All-llahut te të gjithë ju. All-llahut që vetëm i Tij është sundimi i qiejve e i tokës, s'ka të adhuruar tjetër pos Tij; Ai jep jetë dhe Ai jep vdekje, pra besoni All-llahun dhe të dërguarin e Tij, pejgamberin e pashkolluar, që beson All-llahun dhe shpalljet e Tij, ndiqeni rrugën e tij që ta gjeni të vërtetën".
159 Edhe prej popullit të Musait qe një grup që udhëzoi drejt dhe iu përmbajt asaj (drejtësisë).
160 Ne i ndamë ata (popullin e Musait) në dymbëdhjetë grupe fisesh, e kur Musait i kërkoi ujë populli i vet, Ne e udhëzuam (duke i thënë): "Bjeri me shkopin tënd gurit" (ai i ra) dhe prej tij (gurit) gufuan dymbëdhjetë kroje, ashtu që secili grup e dinte krojin e vet. Ne bëmë që retë t'u bëjnë hije atyre dhe u sollëm rrëshirë dhe shkurtëza (dhe u thamë): "Hani nga të mirat me të cilat ju dhuruam!" (e pse ishit përbuzës). Ata nuk na dëmtuan Ne, por e dëmtuan vetveten e tyre (ngase u dënuan).
161 (Përkujto edhe këtë) Kur atyre iu tha: "Banoni në këtë fshat (vendbanim) dhe hani nga (frutat e tij) kah të doni e thuani: "Falje" dhe në derë hyni të përulur, se Ne do t'ua falim mëkatet tuaja dhe do t'ua shtojmë edhe më punëmirëve!
162 E ata prej tyre që ishin mizorë ndryshuan fjalë tjetër nga ajo që iu kishte thënë, atëherë Ne zbritëm kundër tyre një dënim nga qielli për shkak se ishin zullumqarë.
163 Dhe pyeti ti (Muhammed) për fshatin që ishte në breg të detit e ata e shkelën rendin e të shtunës (që e kishin të ndaluar gjuajtjen e peshqve), kur në të shtunën e tyre peshqit u vinin sheshazi mbi ujë, e në ditën që nuk festonin nuk u vinin. Ja, kështu i sprovuam ata ngase ishin mëkatarë.
164 Dhe kur një grup prej tyre thanë: "Përse këshilloni një popull që All-llahu do ta shkatërrojë ose dënojë me një dënim të ashpër?" Thanë (këshilluesit): "Arsyetim para Zotit tuaj dhe me shpresë që t'u largohen gabimeve".
165 E kur braktisën atë për të cilën ishin këshilluar, Ne i shpëtuam ata që pengonin nga të këqijat, ndërsa ata që kundërshtuan i kapëm me një dënim të fortë, ngase ishin të shfrenuar.
166 E kur ata tejkaluan me arrogancë të hapët nga ajo që ishin të ndaluar, Ne i shndërruam në majmunë të përbuzur.
167 Përkujto (o i dërguar) kur Zoti Yt shpalli qartas se mbi ta do të vë, deri në ditën e kijametit, sundimin e ndonjë që ka për t'ua shijuar atyre mundimin më të shëmtuar. Vërtet Zoti yt ndërmerr shpejtë dënimin, Ai edhe falë e mëshiron shumë.
168 Ne i shpërndajmë ata në grupe nëpër tokë; prej tyre ka të mirë, por edhe jo të tillë. Ne i provuam me të mira e me të këqija, në mënyrë që të tërhiqen nga e keqja.
169 E pas tyre erdhi brezi që trashëgoi librin. Këta merrnin mjete të pavlerë të kësaj bote (lakmues që nuk dallonin të mirën a të keqen) e thonin: "Do të na bëhet falje", ndërsa, po t'u vijë atyre diç si ajo, e merrnin atë përsëri. A nuk është marrë prej tyre zotimi në librin (Tevratin) se nuk do të thonë ndaj All-llahut tjetër pos të vërtetës dhe ata e dinin mirë se çka në të (libër). Po a nuk po kuptoni se bota tjetër është më e mirë (se ajo çka merrnit ju) për ata që ruhen.
170 Po atyre që i përmbahen librit dhe e falin namazin, Ne nuk u humbim shpërblimin të mirëve.
171 Përkujto kur ngritëm kodrën mbi ta si re, e ata menduan se ajo do të bie mbi ta. (Ne u thamë): "Merrni këtë që ua dhamë me kujdes dhe përkujtoni ç'keni në të, e të ndaleni nga ajo që është e ndaluar".
172 Përkujto kur Zoti Yt nxori nga shpina e bijve të Ademit pasardhësit e tyre dhe i bëri dëshmues të vetes së tyre (duke u thënë): "A nuk jam Zoti juaj?" Ata thanë: "Po, dëshmuam!". Të mos thoni në ditën e kijametit: "Ne nga ky (dëshmim) ishim të panjohur".
173 Ose të mos thoni: "Prindërit tanë më parë ishin idhujtarë, e ne ishim pasardhës të tyre. A do të na shkatërrosh ne për atë që bënë ata asgjësues të së vërtetës?"
174 Po, kështu ua sqarojmë argumentet, që ata të kthehen nga e gabuara në të vërtetën.
175 Dhe lexoju atyre tregimin e atij që ia patëm dhënë dituritë Tona, ndërsa ai u zhvesh prej tyre dhe atëherë atë e shoqëroi shejtani dhe kështu ai u bë prej të humburve.
176 E sikur të donim Ne, do ta ngrenim lartë me atë (dituri), por ai nuk iu largua tokës (Dunjasë) dhe shkoi pas epshit të vet. Shembulli i tij është si ai i qenit, të cilin nëse e përzë ai e nxjerr gjuhën, po edhe nëse nuk e përzë, ai sërish e nxjerr gjuhën. Ky është shembulli i atyre që i konsideruan të rreme argumentet Tona. Ti rrëfe tregimet (umetit tënd) në mënyrë që ata të mendojnë.
177 Shembull i keq është populli që i përgënjeshtroi faktet Tona dhe e dëmtoi vetveten.
178 Atë që All-llahu e udhëzon, ai është në rrugë të drejtë, e atë që e humbë, e ata janë të dëshpëruarit.
179 Ne krijuam shumë nga xhinët e njerëzit për xhehennem. Ata kanë zemra që me to nuk kuptojnë, ata kanë sy që me ta nuk shohin dhe ata kanë veshë që me ta nuk dëgjojnë. Ata janë si kafshët, bile edhe më të humbur, të tillët janë ata të marrët.
180 All-llahu ka emrat më të mirë, andaj Atë thirreni me ata e hiquni nga ata që bëjnë shtrembërime me emrat e Tij. Ata kanë për t'u shpërblyer (me dënim) për veprimet e tyre.
181 E ndër ata që krijuam Ne, ka njerëz që udhëzojnë në të drejtën dhe veprojnë me te.
182 Ndërsa ata që i konsideruan të rreme argumentet Tona, Ne do t'i shpiejmë në humbje në mënyrë graduale kah nuk e kuptojnë ata.
183 Mirëpo, atyre u jap afat, se kapja (dënimi) Im është i fortë.
184 A nuk menduan ata se ai, bashkëkohaniku i tyre (Muhammedi), nuk ka farë çmendurie, ai është vetëm qortues i hapët.
185 A nuk vështruan ata me vëmendje pushtetin e madh në qiej e në tokë dhe çka krijoi All-llahu prej sendeve, e edhe në atë se ndoshta u është afruar afati i tyre i vdekjes. Atëherë, cilës bisedë pos kësaj (Kur'anit) do t'i besojnë?
186 Për atë që All-llahu e la në humbje, s'do të ketë udhëzues, dhe ata do t'i lë të bredhin në vrazhdësinë e tyre.
187 Të pyesin ty (Muhammed) për çastin (katastrofën e përgjithshme) se kur do të ndodhë ai. Thuaj: "Atë e di vetëm Zoti im, kohën e tij nuk mund ta zbulojë kush pos Tij (e sjell kijametin pa e hetuar asnjë nga krijesat). Çështja e tij (se kur do të ndodhë) është preokupim i rëndë (për krijesat) në qiej e në tokë. Ai (katastrofa) nuk ju vjen ndryshe, vetëm befas. Të pyesin ty sikur ti di për të. Thuaj: "Për të di vetëm All-llahu, por shumica e njerëzve nuk e dinë (pse është e fshehtë)".
188 Thuaj: "Unë nuk kam në dorë për veten time as ndonjë dobi, as ndonjë dëm, pos çka do All-llahu. Sikur ta dija të fshehtën, do t'i shumoja për vete të dobishmet, e nuk do të më prekte gjë e keqe. Unë nuk jam tjetër vetëm se qortues dhe përgëzues për njerëzit që besojnë.
189 "Ai (All-llahu) është Ai që ju krijoi prej një vete, e prej saj krijoi palën e saj për t'u qetësuar pranë saj. Kur e mbuloi ai (mashkulli) atë (gruan), ajo u ngarkua me një barrë të lehtë dhe ashtu vazhdoi me të, e kur u bë e rëndë, ata të dy lutën All-llahun, Zotin e tyre: "Nëse na jep një (fëmijë) të mirë (pa të meta), ne do të jemi falënderues ndaj Teje".
190 Pasi që atyre të dyve ju dha (fëmijë) të mirë, ata (fëmijë e pasardhës) i përshkruan shokë në atë që iu dha. I pastër është All-llahu nga ajo që ia përshkruajnë.
191 A i përshkruajnë shok atë çka nuk mund të krijojë asnjë send, e ata (idhujt) vetë janë të krijuar.
192 Ata (idhujt) nuk mund t'u sjellin atyre ndonjë ndihmë e as veten e tyre ta ndihmojnë.
193 Dhe, edhe nëse i thirrni për t'i udhëzuar, ata nuk ju përgjigjen. Për ju është njëjtë, i thirrët ata ose heshtët.
194 S'ka dyshim se ata që po i adhuroni ju pos All-llahut, janë të krijuar sikur ju (njerëzit janë më të përsosur). Thirrni pra ata, e le t'ju përgjigjen juve nëse thuani të vërtetën.
195 A kanë ata (idhujt) këmbë të ecin me to, a kanë duar të rrëmbejnë me to, a kanë sy të shohin me ta, a kanë veshë të dëgjojnë me ta? Thuaj: "Thirrni shokët (zotat) tuaj e thurni kurtha për mua e mos pritni".
196 Mbrojtësi i im është All-llahu që zbriti librin. Ai kujdeset për të mirët.
197 E ata që ju i lutni pos Tij, ata nuk kanë mundësi për ndihmë ndaj jush e as veten ta ndihmojnë.
198 Dhe nëse i thirrni për udhëzim, nuk dëgjojnë, e të duken se po të shikojnë ty, po ata nuk shohin.
199 Ti (Muhammed) merre të lehtën, urdhëro për mirë dhe hiqu prej të padijshmëve.
200 E nëse të godet shejtani me ndonjë vesvese, ti kërko strehim te All-llahu, sepse vërtet Ai dëgjon e di.
201 Vërtet, ata që janë të ruajtur, kur i prek ndonjë iluzion nga djalli, ata përkujtojnë (All-llahun), dhe atëherë shohin (të vërtetën).
202 E vëllezërit e tyre (jo të ruajturit) i përkrahin (shejtanët) për në humbje dhe nuk u ndahen.
203 Dhe, kur ti nuk u sjell atyre ndonjë mrekulli (që e kërkojnë), thonë: "Përse ti nuk e trillove vetë?" Thuaj: "Unë (nuk trilloj) i përmbahem vetëm asaj që më shpallet nga Zoti im, ky (Kur'ani) është argument (me të cilin ndriçohen zemrat) nga Zoti juaj, është udhërrëfyes dhe mëshirë për popullin që beson".
204 Kur lexohet Kur'ani, ju dëgjojeni atë (me vëmendje) dhe heshtni, në mënyrë që të fitoni mëshirë.
205 Ti përmende Zotin tënd në vete (heshtas), me respekt e me dro, jo me shprehje të larta, (përmende) në mëngjes e në mbrëmje dhe mos u bër prej atyre që nuk kanë kujdes.
206 S'ka dyshim se ata që janë pranë (afër) Zotit tënd (melekët) nuk tërhiqen nga adhurimi ndaj Tij nga mendjemadhësia, Atë e madhërojnë dhe vetëm Atij i bëjnë sexhde.
Përmbajtja
Redakto- Historia e profetit Nuh, i cili fillon duke i paralajmëruar njerëzit e tij, por ata e refuzojnë dhe pastaj i'u vjen atyre dënimi.
- Historia e profetit Hud, njerëzit në vendin ku ka jetuar Hudi nuk e kanë refuzuar ekzistencën e Allahut. Çfarë kanë refuzuar populli i Adit është se nuk kanë pranuar ta adhurojnë vetëm Allahun.
- Historia e profetit Salih, Salihu ishte dërguar tek populli Themud, pasardhësve së Nuhit. Por edhe ky popull e refuzuan që ta adhurojnë vetëm Allahun.
- Historia e profetit Shuajb, Shuajbi ishte dërguar tek fisi Medjen. Këta popuj ishin idhujtarë, poashtu bënin hile në shitblerje. Poashtu këta e refuzuan ta adhurojnë vetëm Allahun.
- Historia e profetit Musa dhe Harun, Musai dhe vëllai i tij ishin dërguar tek faraoni për ta adhuruar vetëm Allahun. Por faraoni refuzoi. Pastaj kur Musai e shpëtoi beni isralëve, faraoni u nervozua shumë derisa i erdhi vdekja e tij.