Të njohim veten
Të njohim veten Autori: Apostol Lira. Botuesi: Toena. Faqet e librit 472.
Të njohim veten është libri që shpreh shqetësimin e autorit për boshllëkun dhe nevojën e vazhdueshme dhe të përgjithshme në problemet e kulturës shëndetësore, në përgjithësi dhe veçanërisht në sferën e organeve gjenitale femërore e mashkullore. Në kapitullin e parë vëmendje i kushtohet përshkrimit të cipës së virgjinitetit (hymenit) të shumëllojshmërisë dhe vlerësimet që i bën rinia deflorimit. Më tej, jepet informacion i mirëfilltë mjekësor për organet gjenitale femërore, anatominë, fiziologjinë, funksionet dhe sëmundshmërinë, përshkruhen qartë shpjegimet e veçanta për çdo patologji, alternuar me interpretime, ekzaminime, trajtime bashkëkohore. Kapitulli i dytë përshkruan veçoritë anatomo-strukturore, funksionale dhe patologjitë e organeve gjenitale mashkullore. Dhe në këtë kapitull vëmendje e veçantë i kushtohet sterilitetit mashkullor, hipertrofisë dhe kancerit të prostatës.Në kapitullin e tretë, të katërt dhe të pestë trajtohen probleme të përbashkëta për të dy sekset, siç janë devijimet, çrregullimet seksuale, sjelljet seksuale, sëmundjet seksualisht të transmetueshme. Në veçanti trajtohen masat profilaktike për sëmundjet seksualisht të transmetueshme. Në mënyrë të hollësishme përshkruhen sëmundjet e organeve gjenitale, gonorea, sifilizi, HIV-aids, me shoqërime të sëmundjeve të ndryshme dhe vlera e aplikimit të vaksinës kundër HVI-it. Po ashtu shërben për rritjen e njohurive të përgjithshme mjekësore dhe shkencore të punonjësve të shëndetësisë, të mbarë popullit dhe sidomos të rinisë, me shumë informacione bashkëkohore në fushën e gjinekologjisë dhe të andrologjisë.