Tafil Kasumaj (Shkollë)
Shkolla e mesme teknike “Tafil Kasumaj” Shkolla e mesme teknike “Tafil Kasumaj” në Deçan mund të konsiderohet si një shkollë e re pasi që ajo vetëm në vitin 1999 filloi të vepronte si shkollë e pavarur. Deri atëherë, drejtimet teknike vepronin në kuadër të gjimnazit “Vëllezërit Frashëri” po në Deçan. Që nga ndarja e saj si shkollë më vete, historia e kësaj shkolle thjesht mund të quhet një tregim i suksesit pasi që ndryshimet e arritura janë me të vërtetë mbreslënëse. Drejtori i kësaj shkolle z.Zenel Kasumaj, i cili përndryshe është inxhiner i diplomuar i elektroteknikës, tregon se gjatë ekzistimit si pjesë e gjimnazit, degët teknike ishin të lëna pas dore. Sa e rëndë ishte situata tregon fakti se kur u bë pavarësimi i kësaj shkolle, ajo kishte vetëm 87 nxënës. Ndërsa, vetëm tri vite më vonë numri i nxënësve u rrit në 1170, kurse suksesi më i madh ishte hapja e dy degëve të reja: teknik informatike dhe teknik i trafikut rrugor, të cilat ndikuan që numri i vajzave të regjistruara në këtë shkollë të arrinte në rreth 400 sosh. Por i gjithë ky sukses nuk erdhi vetvetiu dhe për këtë drejtori Kasumaj i është më së shumti falënderues kolektivit të kësaj shkolle, duke filluar nga punëtorët teknik, mësimdhënësit e deri të administrata e shkollës të cilët në vitet e kaluara kanë treguar profesionalizëm dhe korrektësi ndaj punës dhe nxënësve që mund t’ja ketë zili çdo shkollë tjetër. “Pas mëvetësimit objekti i shkollës tonë ishte në gjendje të mjerueshme, çatia pikonte në mëse 18 vende, të gjitha dritaret dhe dyert kishin nevojë për riparime mungesa e inventarit ishte e theksuar. Por në këtë situatë të vështirë kolektivi ynë nuk ndenji duarkryq, përkundrazi të gjithë u angazhuam dhe madje edhe unë vetë kam punuar në meremetimin e dyerve dhe dritareve”, theksoi drejtori Kasumaj. Më tutje, një falënderim të veçant ai ua dedikoi edhe donatorëve të ndryshëm si: International Rescue Committee, UNDP, projekti KOSVET, Agjensioni Evropian për Rindërtim me të cilat kjo shkollë ka bashkëpunuar gjatë këtyre viteve dhe të cilët iu gjendën në kohët më të vështira për ta kthyer atë sot në një ndër shkollat më mirë të pajisura në gjithë Kosovën. Nga donacionet e shumta që kjo shkollë ka përfituar janë kabineti i informatikës me lidhje të internetit që nga viti 2003, pastaj dy kabinete tjera njëri për matje në elektronikë dhe një tjetër për telekomunikacion, të gjitha këto të pajisura me mjete shumë të sofistikuara. Po ashtu, shkolla ka përfituar edhe një kabinet për zdrukthtari dhe një për ngasje motorike, me fjalë të tjera shkolla sot ka kushte optimale për zhvillimin e mësimit. Nga ana tjetër kjo ka bërë që, për shkak të kthimit të disa klasëve në kabinete, numri i nxënësve të reduktohet në 750, të cilët zhvillojnë mësimin në dy orare. Por përkundër zvogëlimit të numrit të nxënësve, cilësia e procesit edukativo-arsimor është e nivelit më të lartë të mundshëm dhe reformat e parapara nga Ministria e Arsimit mund të zbatohen në tërësi pasi që ekzistojnë kushtet për zhvillimin e mëismit në praktikë dhe nxënësi me të vërtetë është në qendër të këtij procesi. Gjatë kësaj kohe në mesin e donatorëve, përmes z.Dervish Krasniqi i cili jeton dhe vepron në Luksemburg, kjo shkollë vendos kontakte me komunën e Esperancës-Luksemburg e cila së bashku me qeverinë e Luksemburgut përfundimisht vendosi që të financonte renovimin e çatisë së shkollës, ndërtimin e një aneksi të ri, dhe lyerjen e objektit shkollor. Edhe në këtë rast kolektivi i mësimdhënësve është shembullor pasi 50 prejt tyre punojnë për 12 ditë rresht i pastrojnë dhe largojnë me mijëra metra kub të dheut dhe mbeturinave tjera. Asokohe ndihmë japin edhe pjesëtarët Zviceran të KFOR-it të cilët sigurojnë mjete teknike si vinçat për realizimin e punimeve. Për sa i përket personelit, drejtori Kasumaj është krenar edhe për faktin se 90% e tyre kanë të mburuar fakultetin për lëndën përkatëse në të cilën japin mësim si dhe kanë përfunduar të gjitha trajnimet e nevojshme për zbatimin e reformave arsimore. Me sa duket kjo ka bërë që edhe nxënësit të angazhohen maksimalisht në mësim dhe të ruajnë si paisjet ashtu edhe objektin e shkollës. Kështu kjo shkollë mund të jetë shembull për të gjitha shkollat kosovare, sepse siç u shpreh z.Kasumaj nuk ka nxënës të dobët, atyre thjesht u mungon nxitja dhe mjetet e nevojshme për zhvillimin e mësimit cilësor. Në fund, ai porositi të gjithë të rinjtë që të angazhohen sa më shumë në shkollë dhe mësime sepse rinia është koha kur ata duhet ti marrin mësimet e nevojshme për sukses në jetë.