Tavë peshku qefull
Lyejmë peshkun qefull me miell nga të dy krahët dhe e skuqim lehtë në tigan me vaj. Tavën e lyejmë me vaj dhe e spërkasim sipër me bukë të thekur të thërrmuar imët (galetë). Vendosim në tavë peshkun e skuqur. Në vajin e ngelur në tigan skuqim lehtë qepët e prera në formë gjysmë hëne. Shtojmë aty domatet e grira ose në mungesë të tyre 1 lugë salcë domate. Shtojmë aty 1 gotë verë ose uthull, piper të zi të bluar, kripë. Këtë masë ja hedhim përsipër tavës me peshk. Në një tas përziejmë majdanoz të grirë imët, hudhra të shtypura dhe bukë të thekur të thërrmuar (galetë). Këtë masë ja hedhim tavës së peshqve përsipër. Shtojmë një gjysmë gote me ujë dhe e fusim në furë për të pjekur.
Masat: peshk sipas personave, 1 tufë majdanoz, 1 kokërr hudhër, 3-4 kokrra qepë, 5-6 kokrra domate ose 1 lugë salcë domate dhe bukë të thekur të thërrmuar (galetë), 1 gotë verë ose uthull, piper të zi, kripë.