Teatri i Jára Cimrmanit
Teatri i Jára Cimrmanit (çek. Divadlo Járy Cimrmana) u themelua më 24 nëntor 1967 dhe është një nga teatrot e Pragës. Pjesët më të njohura në repertor janë shkruar prej Ladislav Smoljakut dhe Zdeněk Svěrákut. Ideja themelore e këtij teatri është krijimi i një personazhi imagjinar, i cili u quajt Jára Cimrman (gjeniu çek fiktiv), dhe shpikja e historisë rreth tij. Nga shfaqjet teatrale Jára Cimrman del sikur të jetë një nga poetët, dramaturgët, muzikantët, mësuesit, udhëtarët, filozofët, shpikësit, shkencëtarët, kriminologët dhe atletët më të rëndësishëm në historinë e çekëve. Veprimtaria e tij përfshin: planin e Kanalit të Panamasë, reformën e arsimit në lindje të Austro-Hungarisë dhe projektimin e anijes së parë ajrore, në bashkëpunim me kontin von Zeppelin. Jára Cimrman kinse realizoi një udhëtim në Polin e Veriut dhe pika më veriore e botës i iku vetëm për shtatë metra. Gjithashtu bashkëpunoi me disa personalitete të rëndësishme, si me Thomas Edisonin për shpikjen e llambës. Pastaj, kimistëve Marie dhe Pierre Curie u siguroi furnizimin e bodrumit të tyre me mineralin që përmbante uranium. Jára Cimrman përcaktohet si autori i të gjitha pjesëve në repertorin e teatrit.
Ideja për themelimin e këtij teatri të pazakontë u krijua në vitin 1966 prej Jiří Šebánekut, që pastaj filloi të bashkëpunonte me artistët Ladislav Smoljak dhe Zdeněk Svěrák për krijimin e konceptit të gjeniut çek. Ladislav Smoljak dhe Zdeněk Svěrák në atë kohë punonin në Radion Çekosllovake, ku edhe emri i Jára Cimrmanit u shfaq për herë të parë gjatë një transmetimi në lidhje me zbulimin e trashëgimisë së tij. Pjesa e parë në repertor ka titullin “Akt” dhe shfaqja e saj përbëhet, së pari, nga një seminar rreth jetës dhe veprimtarisë së Cimrmanit, dhe pastaj nga vetë pjesa. Të njëjtën strukturë e kanë edhe pjesët e mëvonshme. Premiera e “Aktit” u mbajt më 4 tetor 1967 në sallën e qendrës kulturore “Malostranská beseda”, në Pragë.
Në vitet vijuese, pjesë të tjera u shfaqën dalëngadalë, si ajo me titullin Vražda v salonním kupé (Vrasja në një kupe salloni) dhe Vyšetřování ztráty třídní knihy (Hetimi rreth humbjes së regjistrit të klasës shkollore). Njëkohësisht Teatri i Jára Cimrmanit u përball me probleme nga ana e regjimit komunist, sepse krijimtaria e tij nuk përputhej me ideologjinë e partisë. Nga viti 1972 shfaqjet u ndaluan në zonën e Pragës.
Pas rënies së komunizmit, asambleja e teatrit pati më në fund mundësi të prezantonte pjesët, që më herët nuk u shfaqën për shkak të censurës. Me këtë hap, historia e Jára Cimrmanit u bë shumë e famshme në tërë vendin. Sot, disa rrugë e shkolla mbajnë emrin e Cimrmanit dhe gjeniu çek ka buste e pllaka përkujtimore në shumë vende të Çekisë. Emri i Cimrmanit gjithashtu hyri në botën e biologjisë. Një lloj miu endemik çek mban emrin latin Apodemus uralensis cimrmani si dhe dy lloje akrepash janë quajtur Heterometrus cimrmani e Parabuthus cimrmani. Në fund, Jára Cimrman arriti gjerë në univers. Një planet i vogël me trajektore midis Marsit e Jupiterit, që u zbulua nga astronomi çek Zdeněk Moravec në vitin 1996, mban emrin Járacimrman. Ndër vite, personazhi i Jára Cimrmanit u bë pjesë e rëndësishme e kulturës çeke.