Todi Bozo
Todi Bozo kineast shqiptar lindi në 27 prill 1934- vdiq më 4 shkurt 2018. Shkollën shtatëvjeçare e pat mbaruar në Lushnje, ndërsa arsimin e mesëm e kreu në Gjimnazin “Qemal Stafa” në Tiranë. Studimet e larta i kreu në Universitetin e Kinematografisë “VGIK” të Moskës. Këtu diplomën e mbrojti shkëlqyeshëm si producent filmi. Kështu, ky u bë kuadri i parë me arsim të lartë në fushën e produksionit të filmit.
Më 1958 Todi Bozo filloi punën në Kinostudion “Shqipëria e re”. Filmi i tij i parë ishte “Furtuna”, një prodhim i përbashkët me “Moskëfilm”. Më pas e vazhdoi veprimtarinë e vetë krijuese me disa filma dokumentarë, sidomos artistik. Tani do të ishte drejtor në filmat “Debatik” (1961), “Detyrë e posaçme” (1963), “Vitet e para” (1965), “Oshëtimë në bregdet” (1966), “Ngadhënjim mbi vdekjen” (1967), “Plagë të vjetra (1969).
Ndërkaq, vazhdoi studimet pasuniversitare dhe diplomohet për regjisor. I kësaj kohe është filmi “Lugina e pushkatarëve” (1970).
Në vitin 1971 Todi Bozo kaloi në detyrën e zëvendësdrejtorit të përgjithshëm të Kinostudios, detyrë që e kreu gjatë 12 vjetve. Ndërkohë, nga ky vit e në vazhdim dha leksione të pandërprera në Kinostudio dhe në Akademinë e Arteve të Bukura.
Mbas largimit nga detyra si zëvendësdrejtor i përgjithshëm i Kinostudios, kjo për arsye shëndetësore, Todi Bozo vazhdoi të punojë për prodhimin e filmave dokumentarë. Ka qënë skenarist dhe regjisorë i shumë filmave të tillë, mes të cilëve “Noli ynë”, “Ditë plot diell”, “Pejsazh me mollë”, “Shkripëzimi i tokave”, “Shtegtimi”, “Moj e bukura Arbëri!”, “Këngët e zemrës”, “Drejt kuvendit pluralist” etj. etj.
Edhe mbas daljes në pension Todi Bozo nuk e ndërpreu veprimtarinë e vetë prodhuese e pedagogjike. Vazhdoi të jepte leksione në Akademinë e Filmit dhe Multimedias “Marubi”. Paralelisht me këtë, vazhdoi punën edhe si kineast. Kështu, deri në vitin 2008 punoi si producent ekzekutiv në filmat “Kolonel Bunker’ dhe “Syri magjik” me regjisor Kujtim Çashkun, në filmin “Kronikë provinciale” me regjisor Artan Minarollin dhe në filmin “Koha e Kometës” me regjisor Flamur Koçin. Të gjithë këta filma janë realizuar në bashkëprodhim me partnerë perëndimorë.
Kineasti Todi Bozo është marrë edhe me botime të ndryshme, ndër të cilat mund të përmendim librin “Produksioni i filmit”, një libër profesional e shkencor, që bën fjalë për organizimin dhe teknologjinë e prodhimit të filmit. Në vitin 2014 botoi librin “Copëza kujtimesh, të ëmbla e të hidhura”, në përmbajtjen e të cilit përfshihen edhe episode të ndryshme nga puna në Kinostudion “Shqipëria e re”. U nda nga jeta më 4 shkurt 2018.