Todi Janku
Theodhor Janku (Todi Janku) ka lindur më 8 janar 1930 në Tiranë. Është një figurë e ndritur e sportit shqiptar e në veçanti e boksit shqiptar. Sportin e dorezave e ka ushtruar në vitet 1952-1963.
Në vitin 1956 merr titullin Mjeshtër Sporti. Nga viti 1956 dhe deri më 1963 është trajner i Tiranës në boks. Boksier, kapiten i Tiranës dhe më pas i ekipit kombëtar të të rriturve. Në vitin 1971, Mjeshtër i Merituar i Sportit. Është dekoruar me urdhrin “Naim Frashëri” të klasit të parë më 7 dhjetor 1995, dekreti Nr. 1316.
Në karrierën e tij, Todi Janku është fitues tre herë i anketës së 10 sportistëve më të mirë në vitin 1959, 1960, 1961. Jo vetëm kaq, por është fitues i anketës “Boksieri më i mirë i shekullit| më 1996, si dhe super-anketës “10 sportistët më të mirë të shekullit” më 1998. Për 12 vjet rresht është “kampion kombëtar”, fitues i Kupës së Republikës, pikërisht në vitet 1952-1963. Më 1999 është nderuar me titullin “Nderi i sportit shqiptar”, kurse në 2000-n nga Bashkia e Tiranës ka marrë titullin “Mirënjohje e qytetit të Tiranës”.
Në kuadrin e Lojërave Olimpike “Athinë 2004”, Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar e ka vlerësuar me urdhrin olimpik. Është nderuar me titullin “Mirënjohje” nga Federata Shqiptare e Boksit në vitin 2004, si dhe nga klubi sportiv Tirana më 2012.
Që nga viti 1991 është anëtar i grupit nismëtar për rilindjen dhe riorganizimin e boksit shqiptar, kurse për shumë vite ka qenë edhe anëtar i Komitetit Drejtues të kësaj Federate.
Që nga viti 2001, Klubi Shumësportësh “Tirana” për nder të Todi Jankut organizon turne boksi për nder të tij.
Ndërkohë për të janë shkruar shumë në Kalendarin Enciklopedik, Fjalorin Enciklopedik, Visaret e sportit shqiptar, Më të mëdhenjtë e sportit shqiptar, Homazhe për artistë e sportistë shqiptar, Historia e boksit shqiptar në dy vëllime.
U nda nga jeta më 17 shkurt 2017.