Tradita të detarisë në Shqipëri
Shqiptarët trashëgojnë tradita të lashta të detarisë. Në periudhën e ilirëve fisi i parë më i përmendur për detari të zhvilluar ishin japodët dhe pas tyre liburnët me anijet liburnide të famshme. Nën mbretërinë e Agronit, Teutës e Gentit fuqia detare ilire u rrit. Nën pushtimin romak, bizantin e venedikas, aftësitë për detari të vendësve u shfrytëzuan për fuqizimin e flotave të sunduesve. Me principatat shqiptare të mesjetës traditat e detarisë u përtërinë. Balshajt, Topiajt u përpoqën të krijonin flotat e tyre tregtare e luftarake. Në shek.XVII-XVIII vetëm Ulqini kishte 500 mjete lundrimi të ndërtuara në vend. Detaria shqiptare filloi të bjerë në shek.XIX për arsye të konkurrencës nga shoqëritë e mëdha evropiane të lundrimit.